Mes kopshtit me trëndafila të bardhë

KRITIKË LETRARE nga Vlash Prendi 

Vite më parë, kur isha në moshën e rinisë, lexoja pa pushim libra të llojeve dhe gjinive të ndryshme letrare, disa prej të cilëve më tërhiqnin aq shumë, saqë më përndiznin përfytyrimin tim rinor dhe padyshim, linin gjurmë të pashlyera në përjetimet e mia të asaj kohe, madje edhe sot kujtesa ime nuk e ka të vështirë të shpalosë mrekullinë e atyre kujtimeve të magjishme. Dhe unë, krijimtarinë time të parë e kam provuar në fushën e poezisë, madje pata përgatitur edhe një vëllim me poezi për botim me titull “Buzëqeshje rinore”, të cilin e patën vlerësuar asokohe si poeti i mirënjohur lezhjan, Rudolf Marku që punonte në Zejmen dhe poeti Hamdi Meça që punonte në Krujë.

Nuk e botova, pasi nuk isha i bindur se kishte nivelin e duhur artistik. E bëra këtë hyrje për të treguar se kështu më ka ndodhur edhe me poeten e talentuar nga Zejmeni i Lezhës Valbona Prendaj – Marku, e cila ka nisur të krijojë që në rininë e hershme, po për çudi nuk ka botuar asnjëherë.
Valbonën e njoh që fëmijë, pasi pothuajse është rritur në ambientin tim familjar. Një vajzë e shkathët, e sinqertë, e papërtuar dhe mjaft e komunikueshme. Madje që, në moshë të vogël, fare të vogël i mësoja me kënaqësi emrat e poetëve dhe këngëtarëve të shquar shqiptarë. Kënaqesha kur shqiptonte emrin e Dritëro Agollit, Azem Shkrelit, Ali Podrimes, Zhevahir Spahiut apo këngëtarëve Luan Hajro, Esad Bicurri, Nexhmie Pagarusha, Shyqyri Alushi, Ismet Peja, Hafsa Zyberi etj.. Ndoshta që në atë moshë, në qenien e saj u ngjiz dëshira për të shkruar. Ka qenë nxënëse e shkëlqyer jo vetëm në mësime,por edhe në komponentë të tjerë të edukimit. Lexonte shumë, madje edhe librat i merrte dhe kthente në kohë. Pati nisur të shkruante që në shkollën e mesme pedagogjike në Shkodër, kur ishte nxënëse, madje dy shkrime të saj në prozë i pata lexuar dhe më patën pëlqyer mjaft. I kërkova mjaft këto ditë, por nuk munda t’i gjeja në morinë e dosjeve të mija plot me dokumente e dorëshkrime. Më pati dhënë dikur një cikël me poezi. E mora me indiferencë ciklin dhe e lashë mbi tavolinë. E pas disa kohësh e lexova, u befasova me brendinë, nivelin dhe vlerat që shpaloste. Si në ëndërr më kujtohen disa vargje nga poezia “Aviatorëve”, “…Shigjeta ajri jeni ju,/Heronj të e heshtur të lirisë,/në sy kemi qiellin blu,/Të nën Shqipërisë…”.

Tek shfleton poezitë e këtij vëllimi poetik, kupton përkushtimin e poetes së re për ta skalitur vargun, për ta veshur artistikisht mendimin poetik dhe për ta përshtatur me realitetin shoqëror. Në këtë vëllim, autorja ka derdhur art, ka shprehur mendimet dhe ndjenjat e saj, ka dhënë shpirtin e saj të bukur për të kaluarën, në të cilën ka vuajtur mjaft dhe të sotmen, ku problemet dhe shqetësimet, malli për atdheun dhe vendlindjen po e mundon. Ngushëllohet Valbona Prendaj – Marku me poezinë, përmes së cilën kërkon të shprehë ndjenjat, të mposhtë brengat, të flasë me njerëzit, t’u dhurojë atyre mirësi dhe dashuri. Ka shkruar për njerëzit e saj të dashur prej të cilëve ka mësuar shumë, ka përvetësuar artin e të qënit njeri, ndonëse në dukje kanë qenë të heshtur dhe janë larguar nga kjo botë pa zhurmë,Valbona i ngre në art vlerat e tyre njerëzore. Ka marrë prej tyre vlerat pozitive, prandaj dëshiron t’i bëjë shembull frymëzimi përmes poezisë, gjyshen, nanëdajën, babin, mamin, Xhesikën, Xhuljon, minatorin e vjetër Pjetër dhe gjithë personat që kanë ndikuar në formimin e personalitetit të saj sadopak. Kështu në poezinë e poetes së talentuar Valbona Prendaj – Marku ndihet me tona të larta bota e pastër shpirtërore e vajzës së dashur, femrës së emancipuar dhe plot kulturë poetike.
Poezia e saj dallohet për thjeshtësinë, por brenda kësaj thjeshtësie fshihen vlera poetike me domethënie të pasur ideore dhe artistike, sepse përmes vargjeve poetja e talentuar pasqyron ambientin, ku është lindur, rritur dhe edukuar, pasi përmes vargjeve plot fantazi zbërthen mesazhin poetik, sistemin e metaforave, krahasimeve dhe simboleve, të cilat përdoren me mjaft kujdes dhe në kontekstin artistik marrin vlera më të veçanta. Dikur shkrimtari i njohur Zholanov pati thënë: “Çdo gjë gjeniale, është e thjeshtë, por jo çdo gjë e thjeshtë,është gjeniale…”, ja pra, gjenialja qëndron tek arti, tek vargu poetik, tek përjetimi artistik i realitetit. Vuan poetja Valbonë, sepse në vend të huaj është e detyruar të punojë edhe punët më të rëndomta,për të siguruar bukën e gojës, por kurrë nuk e ka harruar vendlindjen, atdheun, kombin, prandaj kudo ku shkon flet shqip, sepse është shqiptare, prandaj: “…Shekujve kaluar histori e përgjakun shkruar në gurë,/Nga varri desh nxorët Fishtën në 100 vjet – flamur,/Mos më prek ku më dhemb shqiptar i huazuar,/Se festojmë në dhe të huaj festën e Pavarësisë,/Ti në gjuhë të huaj, ma reciton himnin e tij të trashëgimisë…”. Por elementi personal në poezinë e autores së re merr vlerë shoqërore, sepse shpesh ngrihet në nivelin e shembullit pozitiv duke ndikuar pozitivisht në jetën shoqërore. Kështu ndodh me poezitë e dashurisë, të cilat janë të thjeshta, emocionuese dhe me vlera artistike të padiskutueshme. Të bind njohja vlerësuese kur ajo shprehet tek poezia “Uragan dashurie”: “…Largësitë zhduken si në përrallë,/Përqafuar bashkë si në ëndërr, /Unë, zanë me fustan të bardhë, /Ti si princ, qenke veshur dhëndër…”. Padyshim, vlerat vëllimit ia shtojnë edhe ilustrimet e piktorit të talentuar Gjergj Kola, i cili po trondit botën e artit pamor europian me krijimtarinë e tij të kohëve të fundit, pasqyruar përmes ekspozitave të shumta vetjake.
Poezia është produkt i shpirtit, ndjenjë dhe mendim i thellë emocional, aspekt human i qenies njerëzore dhe sharmit poetik. Këto cilësi të vyera shpirtërore ka derdhur edhe poetja e re Valbona Prendaj – Marku në vëllimin e saj të parë poetik “Testament shpirtëror” duke na dhënë një material tepër të realizuar, që do mbetet gjatë në memorien e lexuesit. Shpresojmë se Valbona nuk do të heshtë … do ta çojë zërin më lart në vëllimet e tjera poetike.

 

 

SHKARKO APP