Mësimi online dhe mungesa e debatit

Nga Sibora Elezaj – Pandemia COVID-19 prej një viti ka ndryshuar rrjedhën e jetës duke na detyruar të përshtatemi me një realitet të ri. Ky realitet, edhe pse i vështirë, na ka përballur me sfida të mëdha ne të rinjve, ku një prej tyre është edhe metoda e leksioneve nëpërmjet platformave teknologjike, smart. Aktualisht kjo metodë po aplikohet në çdo univerisitet që prej nisjes së Pandemisë. Por, si ka ndikuar tek ne studentët dhe a është efektive në marrjen e dijeve të nevojshme?

Mësimdhënia online është e vetmja alternativë e mundshme për realizimin e procesit mësimor në këto kohë. Padyshim që ndikimi tek studentët është shumë i madh si në aspektin social, psikologjik ashtu edhe në aftësinë e tyre për të përvetësuar njohuri të reja. Distancimi social po krijon rreth studentëve, mure që i ndan ata nga auditoret, mure, që i ndan nga gjallëria e jetës normale dhe i fut në një botë virtuale, pa dimensionet e nevojshme për një të ri. Distancimi shpesherë kthehet në stres dhe kjo ndikon drejtëpërdrejtë edhe në aspektin psikologjik të studentëve të cilët priren të jenë më të stresuar, më të mbyllur. Qëndrimi për orë të tëra përpara aparateve teknologjike sjell mungesën e përqëndrimit duke krijuar një situatë të lodhshme e cila shoqërohet dhe me “braktisjen” e mësimit, duke krijuar një boshllëk që shpresoj mos të jet I pakthim.

Të gjitha këto efekte sjellin pasojat zinxhirë të cilat shoqërohen me mungesë në pjesëmarje të procesit mësimor dhe më pas edhe në mangësi në përthithjen e njohurive të nevojshme. Për pasojë edhe efektiviteti i mësimdhënies i bie që të mos jetë në nivelin e duhur. Pavarësisht faktit që mësimi online “zhvillohet” mund të themi që një pjesë e mirë e studentëve janë të prirur që mos ta ndjekin atë rregullisht.

Sigurisht që mësimdhënia online ka edhe anët  e saj pozitive. Gjithmonë të krijon komoditetin që të ndjekësh procesin mësimor nga çdo vend ku gjendesh pa qenë e nevojshme të jesh i pranishëm fizikisht. Por unë këtë element e shikoj si jo pozitivë në afatgjatë. Interaktiviteti në komunikimin midis studentëve me pedagogët është disi më i shtuar për çdo vështirësi me të cilat studentët përballen, ndërkohë që në mësimdhënien në auditore jo gjithmonë ky komunikim është aq I shtuar. Përpos anëve pozitive, metoda e mësimdhënies online mbetet një sfidë e vështirë që duhen bërë përpjekjet maksimale për ta përballuar me sukses në mënyrë që secili student t’i  krijojë vetes mundësinë për të qenë sa më fleksibël deri në përfundimin e kësaj situate. Të zhytesh në një botë teknologjike për muaj më rradhë dhe të shkëputesh nga realiteti që të rrethon është një përpjekje e madhe për të gjithë dhe na mundon. E në këtë situatë, duhet menduar seriozisht për zgjidhje pak si mësimi I alternuar. Ndoshta duke parë shifrat e përhapjes së covid duket pak shpejt për aplikimin e një teze të tillë, por me ardhjen e vaksinës, situata duhet të ndryshojë.

 

 

 

SHKARKO APP