Mine Mulosmani Balaj, një heroinë e kombit tonë!

Nga Moza Boletini (SHBA)

“Plagë të pashërueshme” kështu e ka emërtuar “Ditarin” e saj të papublikuar Zj. Mine Mulosmani Balaj, e cila prej disa vitesh jeton në SHBA tek i biri, Fitimi dhe familja e tij. Pata kënaqësinë ti vizitoj një ditë. Të bisedoj nga afër me ata edhe rreth persekucionit politik që kishte pësuar Zj. Mulosmani Balaj e familja e saj nga diktatura komuniste në Shqipëri.

Shfletonte Ditarin…kishte shkruar poezi edhe për vëllain e vrarë në kampin famëkeq të Tepelenës. Ishte vetëm 13 vjeç kur sigurimi i shtetit e arrestoi dhe e burgosi në burgun Tropojës, në burgun e Kukësit dhe burgun e Beratit me motrat më të vogla Elmien 11 vjeç, Zenepin 3 vjeç dhe vëllain Shemsedinin 9 vjeç, më pas i internojnë në kampin e përqëndrimit – Tepelenë. Atje ku humbi jetën edhe i vëllai Shemsedini. Sipas rregjimit të kohës shkak për këto vuajtje që do të përjetonte vajza e vogël Mine, kthyer nënë për motrat e vëllain ishte arratisja përtej kufirit shqiptar të prindërve Çelë dhe Gjyle Mulosmani dimrin e vitit 1949 së bashku me dy vëllezërit e saj më të rritur Musli dhe Hysni Mulosmani. Me Musliun fati e takoi ta shihte vetëm në vitin 1992 pas vajtjes së tij në Shqipëri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur në fuqi erdhi qeveria demokratike.

I ati i saj, Çelë Mulosmani rridhte nga një familje e njohur patriotësh e nacinalistësh në veri të vendit. Por që diktatura komuniste e kishte venë në shënjestër për ta burgosur dhe ekzekutuar. Shtëpinë ja kishin djegur e shkatërruar disa herë, marrë edhe gjenë e gjallë që kishin, po jetonin në kasolle. Në këto kushte sëbashku me grua dhe dy fëmijët më të rritur detyrohen të lenë vatanin, të arratisën, ndërsa më të vegjëlit për shkak të motit të keq e të ftohtë i lenë në kasollen e tyre në fshatin Bujan të Tropojës. Pas largimit kthehen disa herë për ti marrë vocërrakët, por ishte e pamundur. Ata tashmë ishin arrestuar, e më pas dërguar në kampin e Tepelenës.
Me dhimbje në zemër, e shpirt të rënuar si relikë të vetme të vëllait të vrarë, Minia ruante një çorape të coptuar nga bomba që shpërthye mbi trupin e tij. Edhe helm kishte pirë për të vdekur nga marrazi i vdekjes së vëllait, por Zoti i dha jetë për tu kujdesur si “nënë” edhe për motrat më të vogla.
Puna e rëndë dhe e detyruar nuk ju nda në internim në Tepelenë, edhe pse e rraskapitur nga lodhja, racionin e bukës së saj si fuqi punëtore e atij kampi e ruante për më të vegjëlit. Kishte shpirt human e të fortë. Koha bëri të vetën tek ajo vajzë e vogël që për vetë rrethanat familjare mori rolin e nënës. Përveç punës kujdesej edhe për vogëlushët, të cilët i donte shumë e bënte çmos, mos ti mbante larg vetes asnjë çast. Edhe ata e donin.
“Kujdesu për më të vegjëlit” – e kishte porositur i ati, atë natë dimri, kur u largua për mos ti parë më kurrë…”Për ne vetëm nesër shko në postën e kufirit, thuaj nuk e di se ku ndodhen, por di që nuk jane tek ne në banesë”….
Dhe Minia e kishte kryer porosinë e amanetin e babait. Por një ditë ndodhi tragjedia, aty diku në kampin e Tepelenës shpërrtheu një bombë e mbetur nga lufta që i mori jetën vëllait të saj. Me gjithë dhimbjen në shpirt arriti nga pluhuri i eshtrave të tij të merrte si relike vetëm një çorape të coptuar nga bomba që i shpërtheu trupin. E ruante dhe sot, si gjënë më të çmuar… Pa bukë, pa ujë, pa rroba, pa strehë në kushte jashtë normales për jetesë, papastërti, ku çdo ditë humbnin jetën në atë qiell të hapur gra, fëmijë e të moshuar, kalonte ditët e netët edhe Minia me të vegjëlit e saj. S’mjaftonte vetëm kjo, por çdo ditë xhelatët e kuçedrës së kuqe do ti bënin edhe apelin njerëzve të pambrojtur, të paushqyer e të mërdhirë nga i ftohti i madh i dimirt.
Kampi i përqëndrimit në Tepelenë u ngrit me urdhër direkt të diktatorit Hoxha, për familjarët e njerëzve të pakënaqur të rregjimit, veçanerisht zonave në veri të vendit, ku të internuar ishin pleq, gra, fëmijë, klerikë të moshuar shqiptarë e të huaj. Siç është shprehur me të drejtë në një intervistë edhe ish i internuari politik i atij kampi përqëndrimi Eugjen Merlika, i cili thotë se: “Po përdoreshim si kavje sprovash për të parë se sa qëndronte organizmi njerëzor”.
Pas vdekjes së vëllait komanda e kampit i dërgon në fshat andej edhe nga i kishin marrë fëmijët e vegjël, si fillim i mori motra e madhe Hajrija që e thërrisnin Dad, martuar në Luzh, ku qëndruan për disa kohë atje, më pas nën mbrojtje i merr vëllai nënës, daja Sulë në fshatin Zogaj. I cili hyri garant për tu kujdesur për rritjen e edukimin e fëmijëve të motrës së arratisur e nuk do të lejonte që të kalonin kufirin. Sapo mbushi të 19 Minen e martojnë në fshatin Luzh me Hamëz Balaj dhe patën gjashtë fëmijë. Motra tjetër Elimia po ashtu u martua në fshatin Luzh, ndërsa më e vogla Zenepi u arratis pas një bisede – këshilluese për kalim kufiri që i kishte bërë Minia gjatë një dasme në fshat. Ajo u arratis dhe arriti të bashkohet me familjen në Prishtinë, të cilët në fillim as e njohën e as i njohu. I ati Mines rrezikoi disa herë jetën duke kaluar natën kufirin për ti marrë vogëlushët, por edhe pse ata tashmë larg internimit ishin nën përgjegjësinë e dajës dhe survejimin e sigurimit të shtetit. Kur i ati mësoi lajmin e vdekjes së të birit, dhimbja e mposhti, e vuri përpara, nuk e mori më veten e u nda nga jeta në moshë tepër të re.
Vëllezërit e Mines, Musliu, Hyseni dhe Zenepja arritën të shkojnë në SHBA. Ku vëllai i madh Musliu zhvilloi edhe në Amerikë veprimtarinë e tij patriotike dhe demokratike pranë komunitetit shqiptarë, deri në ditën që u nda nga jeta dy vite më parë. Musli Mulosmani ky veprimtar i shquar është dekoruar edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani me Medaljen më të Lartë të Patriotizmit. Nana Gjylë, e cila edhe ajo iku herët nga kjo botë, merak në zemër i mbeti që nuk arriti të shikojë familjen e fëmijët e saj të bashkuar…
Minia, gruaja trimereshë, e vuajtuar por fisnike për të drejtën e paqes dhe familjes së saj, kujton me dhimbje ato vite të shkuara. “Por që nuk duhen harruar kurrë” – thotë ajo. Edhe pse vuajti shumë në jetë nuk kërkon hakmarrje, por vetëm drejtësi. Pas përmbysjes së rregjimit komunist dhe sa herë që ajo ndodhet në Shqipëri shkojnë sëbashku me familje në Tepelene, vendin ku vuajti ajo, motrat, ku humbi jetën Shemsedini dhe mijëra bashkëvuajtës të tjerë të pafajshëm nga diktatura më egër në Europë. Vendosin kurora me lule e ndezin qirinj në shenjë dashamirësie e respekti. Edhe pse mësova këto ngjarje tepër të trishtueshme, largohem nga shtepia e Zj. Mine Mulosmani Balaj me mbresat më të veçanta, për këtë grua heroinë e të rrallë të kombit tonë.

SHKARKO APP