Mirdita dhe Lugu i Drinit të Bardhë

Nga Mikel Gojani-  Lugu i Drinit është vendbanim i vogël gjeografik e etnografik. Në burimet historike ndeshet si vendbanim i hershëm që prek shekujt, me të gjitha tiparet dukagjinase me një popullatë të pajisur me kulturë dhe traditë shqiptare. Me emrin e Lugut të Drinit të Bardhë (në Dukagjinin Verior) lidhen shumë fshatra e lokalitete, të cilat gjeografikisht janë të lidhura ndërmjet tyre. Fshati Zllakuqan, që njihet edhe si “kryeqytet”, i kësaj krahine, bën pjesë në mesin e tetëmbëdhjetë fshatrave të Lugut të Drinit të Bardhë, krahinë e Rrafshit të Dukagjinit, është vend blegtorësh dhe bujqësor. Ky vendbanim i hershëm iliro-dardan përmendet që nga shekujt e hershëm të  mijëvjeçarit. Si të tillë e dëshmojnë faktet të cilat i sjell Dr. Zef Mirdita në veprën e tij “Antroponimia e Dardanisë në kohën romake”. Ky historian i shquar, përmes fakteve  historike të shekullit I dhe II pas lindjes së Krishtit, vërteton se Zllakuqani  ka qenë një lokalitet i hershëm dhe është i banuar me popullsi autoktone. Për këtë vendbanim flasin edhe dokumentet tjera mesjetare.

Rrethanat historike, të cilat kanë lënë vulën në jetën e popullit shqiptar kanë qenë mjaft të ashpra. Shumë familje të Lugut të Drinit, nëpër dallgët historike kanë qenë të detyruara të lëvizin brenda trojeve shqiptare. Dhe, pothuaj të gjitha këto familje të Lugut të Drinit, kanë lëvizur dhe këto lëvizje kryesisht i kanë bërë nga Mirdita dhe janë vendosur në këtë pjesë të Dukagjinit dhe të Kosovës, ku tashmë kanë krijuar “Mirditën e Vogël”, apo siç e quajmë ndryshe “Mirditën në miniaturë”. Deri në arritjen e lirisë lidhjet të kësaj popullate, të një gjaku, kanë munguar, ndërsa tash kjo popullatë, vëllezër të një gjaku, ka forcuar komunikimin dhe lidhjet fizike dhe shpirtërore. Këto lidhje çdo ditë edhe më tepër po kultivohen dhe po forcohen.

Në fshatin Zllakuqan, që njihet si fshat i rezistencës kombëtare, që gjatë gjithë rrugës historike ka dhënë trima të paepur e dëshmorë të kombit për çështjen kombëtare. Në shumë periudha të stuhishme ky rajon u bë emër tmerri për armiq dhe simbol i guximit e i heroizmit ndër shqiptarë për luftërat me pushtuesit otomanë më herët dhe së fundi edhe me  serbomalazezët. Në këtë fshat dhe në Lugun e Drinit në përgjithësi, u zhvilluan shumë luftëra dhe beteja kundër pushtuesve shumëshekullor, të cilët gjithherë patën për synim ta pushtonin këtë rajon dhe Kosovën. Nëpër gjurmë të historisë del se ky lokalitet u bëri ballë të gjitha stuhive dhe rrebesheve të kohërave. Qëndresa e këtij vendi rrjedh shumë herët nëpër histori e shekuj, nëpër epoka e etapa të shumë viteve të përgjakshme deri në Motin e Madh. Kështu, Zllakuqani i Lugu i Drinit në përgjithësi, gjatë sundimit shumëshekullor nga shumë pushtues mizorë rropatej me të gjitha vështirësitë që sillnin ata. Mirëpo, përkundër të gjitha vështirësive ky popull asnjëherë nuk u gjunjëzua. Në vargun e shumë shekujve kujtojmë sundimin osman në fundin e shekullit XIX, që ishte një epokë mjaft e rëndë për popullin e këtij lokaliteti. Në këtë kohë sunduesit osmanë aplikonin format më të egra të dhunës për të kaluar në fenë islame. Ky popull, i cili asnjëherë nuk u pajtua as nga pushtimi turk, edhe përkundër gjithë asaj trysnie që bënte arriti ta ruajë indentitetin e vet shpirtëror e kombëtar. Me këtë rast si formë e rezistencës janë organizuar edhe disa procesione nëpërmjet të tyre haptazi kundërshtonin ato projekte që i kishin hartuar pushtuesit otomanë.

Shkolla shqipe e hapur nga Gjeçovi

 Ngjarje me rëndësi të veçantë për këtë lokalitet shënon viti 1897 kur në kishën e Zllakuqanit erdhi për të shërbyer frati atdhetar Atë Shtjefën Gjeçovi, i cili në këtë fshat hapi Shkollën e Parë Kombëtare. Ai, po në meshën e parë që deshi ta koncelebrojë në kishën e këtij fshatit lëshon kushtrimin: “Ta hapim shkollën shqipe në fshat!” Gjeçovi, me këtë rast lëshoi edhe mesazhin tjetër sa të fuqishëm aq edhe domethënës që u bë udhërrëfim për të gjithë mësuesit atdhetarët të tjerë të kohës për t’i nxitur ata për përhapjen e dijes dhe të arsimit kombëtar, në mënyrë që fëmijët shqiptarë të mos mbesin në errësirë. Dhe, me këtë rast Gjeçovi shprehet: “Po deshe me ja falë orës s’ligë e ditës s’zezë fmiin t’an, o shqyptar e mos t’ja shofish nneren as ti as komi, dergoje nner msojtore të hujëja sa t’jetë m’kamë t’vogla, e ke me mrri me pan t’zezën t’ane: maax t’parit tyy ka me t’pasë gjak nner  sy manej nanën e vet, vllazent e motrat, atdheun e komin e gjuhën e vet…”  Gjeçovi edhe u martirizua për këto ideale të shtrenjta.

Edhe viti 1909 shënon një ngjarje të rëndësishme historike për këtë truall të lashtë iliro-dardan. Këtë vit katërqind burra dhe trima të paepur të kësaj ane, në mesin e tyre kishte edhe nga fshati Ranoc, në krye me kaçakun e mirënjohur të kombit tonë Zef Gjidodën, i cili për dyzet vjet qëndroi në mal me pushkë në dorë, formoi çetën dhe iu bënë krah për luftë tribunit të kombit tonë Isa Boletinit. Edhe viti 1913, gjatë Luftës Ballkanike, Zllakuqan dhe treva e Lugut të Drinit në përgjithësi është përballur me pushtetin e atëhershëm malazez. Ky pushtet sundues, në atë kohë, ndaj popullatës së këtij lokaliteti ushtronte një terror të përgjakshëm, i cili bënte përpjekje që shqiptarët të konfesionit katolik ta ndërronin fenë dhe kombin, pra të bëheshin ortodoks dhe të sllavizoheshin. Mirëpo, edhe me këtë rast populli qëndroi i palëkundshëm në besimin dhe bindjet të tyre. Gjurmët e gjenocidit e të kulturocidit serb në këtë rajon si dëshmi i ruajmë edhe ato të vitit 1919 kur qeveria e atëhershme e Jugosllavisë së Vjetër merrte masa sa më shfarosëse për t’i zhdukur shqiptarët nga trojet e tyre etnike. Këtë vit u arrit kulmi i këtij pushtimi të egër. Zllakuqani dhe të gjithë fshatrat përreth të Lugut të Drinit u dogjën të tërët. Këtu u bënë mizoritë më të tmerrshme: shumë burra u dogjën, u vranë e u theren; populli autokton i lëshoi vatrat e tyre shumëshekullore dhe kërkonte shpëtimin në mjedise të tjera të vendit, kryesisht në rrethin e Gjakovës.

Për masakrimet dhe djegiet e fshatrave të Lugut të Drinit që nga viti 1918 deri në vitin 1921 nga disa të dhëna të Komitetit të Kosovës, që i dërgohen Komitetit të Kosovës në Shkodër që dëshmojnë gjenocidin dhe fashizoidin serb ndaj popullatës shqiptare. Kështu që, në këto vite në fshatin Zallq pati 13 të vrarë, të djegur dhe plaçkitur fshati; në Drejë 3 të vrarë, djegur dhe plaçkitur fshati; në Bërkovë djegur dhe plaçkitur fshati; në Zllakuqan 7 të vrarë dhe djegur e plaçkitur fshati, ndër të vrarët 4 pleq e 3 gra; në Pataqan djegur e plaçkitur fshati; në Ranoc djegur dhe plaçkitur fshati; në Leskoc djegur dhe plaçkitur fshati; në Radulloc djegur dhe plaçkitur fshati; në Krushevë të Vogël djegur dhe plaçkitur fshati; në Shtupel 4 të vrarë, djegur dhe plaçkitur fshati; në Gjurgjevik të Vogël 3 të vrarë, djegur dhe plaçkitur fshati etj. Me krime të tilla u shoqërua dhe zbatimi i “Reformës agrare” gjatë kohës së Mbretërisë së Jugosllavisë, ku sipas programit shtetëror duhej të kolonizoheshin me një numër të madh kolonësh serbomalazezë. Prandaj kjo formë e shtypjes së kësaj popullate u zbatua edhe në Ranoc, ku pushteti i atëhershëm shumë shqiptarëve ua rrëmbeu pronat e tyre, duke u dhuruar kolonizatorëve serbo-malazezë. Prandaj, edhe në këtë kohë, Zllakuqani do të ballafaqohej shumëfish nga dhuna dhe gjenocidi i këtij shteti barbar.

Ernest Koliqi dërgoi mësues të Zllokuqanit Ndrecë Ndue Gjokën

 Gjatë kohës së sundimit serb shkolla shqipe e hapur nga Atë Shtjefën Gjeçovi, më 1897, nuk zhvilloi veprimtarinë e saj, regjimit të atëhershëm i pengonte arsimi dhe shkolla shqipe. Kështu, në vitin 1941,kjo shkollë u rihap dhe mësues i dekretuar nga ministri i atëhershëm i Arsimit, Ernest Koliqi, u emërua Ndrecë Ndue Gjoka, Mësues i Popullit. Mësuesi Ndrecë në këtë shkollë rrezet e dijes dhe të arsimit shqip për fëmijët e Zllakuqanit dhe të Lugut të Drinit përgjithësisht, i  shpërndau gjatë viteve 1941-1944. Populli i Lugut të Drinit edhe sot pas kaq shumë vitesh i është mirënjohës mësuesit Ndrecë për punën dhe përkushtimin që tregoi që fëmijët e kësaj krahine të marrin dije dhe arsim kombëtar. Kujtimi për mësuesin Ndrecë për banorët e Lugut të Drinit është i paharruar. Me 17 shkurt të këtij, gjatë përkujtimit të figurës së tij nga Bashkia Mirditë në Rrëshen, pata rastin të mbaj një kumtesë, i ftuar atje së bashku me një grup mësyesish të sotëm të shkollës së Zllakuqanit.

Edhe pushtimi i viteve të 45-ta ishte i përshkuar me plot dhunë, represion, barbari e vrasje. Këtë  vit në  Kullën famëkeqe të Popit në Istog, bashkë me qindra shqiptarë të tjerë u vranë shumë burra të nderuar të  kësaj ane. Të flasësh për këto faqe të ndritura të historisë së kombit e të mos i përmendim shumë figura të ndritura të kombit, të cilët për ideale të shtrenjta ranë në altarin e kombit, është një  realitet që nuk mund t’i shmangemi. Historisë, letërsisë dhe kulturës së këtyre anëve u bëjnë dritë emrat, si Atë Lorenc Mazrreku, Atë Engjëll Palaj, Atë Shtjefën Gjeçovi, Atë Klement Miraj, Atë Luigj Palaj, Atë Marjan Prela, Don Gjon Bisaku, Don Pjetër Berisha e shumë e shumë të tjerë, emra këta që do të mbeten  gjurmë  nderi e krenarie për veprimtarinë atdhetare dhe therorizimin që bënë për kombin.

Edhe vitet e robërisë nën sundimin serb ishin vite të padurueshme për të gjitha trevat e robëruara shqiptare. Terrori i këtij pushteti okupues nuk kurseu as popullatën e Zllakuqanit dhe fshatrave të tjerë përreth. Regjimi serb jetësisht ishte i interesuar për zbrazjen e vendbanimeve shqiptare të Kosovës dhe serbizimin e saj. Prandaj, për Kosovën fillon një periudhë e rëndë dhune shtetërore. Në këtë rreth të hekurt dhune dhe terrori mbërthehet edhe Zllakuqani. Populli shqiptar ndiqet, rrahet, burgoset, vritet, shpërngulet me dhunë etj., i dënuar të jetojë pa të drejta arsimore, gjuhësore, kulturore, ekonomike, politike etj. Sikur tërë Kosova, edhe Zllakuqani, gjatë kësaj kohe mbi trupin e vet do të përjetojë stinën e gjatë të orës policore, të shtetrrethimit, të luftës klasike, të tanksave, të topave, të aeroplanëve luftarakë, të bombardimeve, të djegieve të shtëpive etj. etj. Kulmi i dhunës dhe i përndjekjeve serbe u arrit në pranverën e vitit 1998 dhe 1999. Luftëtarët trima të paepur të këtij fshati dhe të fshatrave të tjerë përreth, të cilët dolën në mbrojtje të këtij vendi dhe Kosovës në përgjithësi. Këta djem, trima të paepur kushtrimit të atdheut iu ishin përgjigjur qysh nga orët e para deri në flijim, siç ra edhe dëshmori i lirisë, Kolë Ndrecë Mirdita. Dhe falë gjakut të dëshmorëve të kombit dhe sakrificës së këtij populli, ndihmës së Zotit e të vendeve euroatlantike, më në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lugu i Drinit dhe Kosova përgjithësisht ngadhënjyen mbi vdekjen dhe prekën lirinë e gjakuar me shekuj të tërë.

***

Sot në frymën e lirisë Zllakuqani ka ndryshuar për shumëçka. Ka një infrastrukturë të rregulluar, ka shkollën, ambulancën, zyrën e vendit etj. Shkolla, që dikur në fundshekullin XIX e kishte themeluar Atë Shtjefën  Gjeçovi, më 1916, e kishte rihapur pushteti austro-hungarez dhe për mësues kishte emëruar mësuesin Ndue Vorfi, babai i artistes së shquar, Liza Vorfi, po ashtu prapë e rihapur më 1941 me mësuesin mirditor, Ndrecë Ndue Gjoka, sot vazhdon me sukses funksionin e saj edukativo-mësimor. Nxënësit dhe mësimdhënësit të kësaj shkolle të frymëzuar nga mësuesit e hershëm të kësaj shkolle, Atë Shtjefën Gjeçovi, Ndue Vorfi, Ndrecë Ndue Gjoka, Zef Cub Përnoka, Kolë Vata dhe të shumë të tjerë, hapërojnë drejt nxënies së dijes dhe arsimit shqip. Ky është në pika të shkurtëra një vështrim për Zllakuqanin e Lugut të Drinit, vendbanim ky që sot në frymën e lirisë e end jetën me përpjekje për të ecur drejt progresit dhe prosperitetit.

SHKARKO APP