Mirela Kumbaro: Cirku i Tiranës nuk do të lëvizë
“Cirku i Tiranës nuk do të lëvizë”. Ka qënë kjo deklarata e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro sipas së cilës vendimi i përmbarimit po trajtohet nga ana juridike.
“Ka gjithë mbrojtjen dhe mbështetjen e ministrisë së Kulturës, e cila ka kryer veprimet proceduriale për kundërshtimin e veprimit të përmbarimit, është një dosje që e kemi në proces. Nga ana tjetër ne po ndjekim të gjitha hapat në dy aspekte. Si në aspektin juridik, ashtu edhe në përmirësimin e kushteve të cirkut, për të cilin ne kemi një projekt në ndërtim e sipër”, tha ajo.
Gjithashtu, ministrja Kumbaro theksoi faktin është rënë dakort me pronarin e truallit se cirku do të qëndrojë aty dëri në momentin që të sigurohet një tjetër godinë në mënyrë që aktiviteti I tij të mos ndalohet.
“Do të vazhdojë hapur në funksion të sigurimit të aktivitetit të cirkut i cili nuk do të cënohet në asnjë moment, për këtë keni garancinë time”, shtoi ajo.
Çadra e cirkut ka tashmë 62 vite që ka qenë e vendosur në këtë truall.Në vitin 1995, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ia ka kthyer këtë pronë familjes Petrela në kryeqytet. Këta të fundit në vitin 2007, ia kanë shitur atë deputetit të Partisë Demokratike, Astrit Veliaj, I cili posedon edhe certifikatën e pronësisë.