Mirela Kumbaro: Kultura mund të ndërtojë ura që politika demagogjike s’do të ishte e aftë

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro , në datat 8 dhe 9 nëntor 2015 mori pjesë në konferencën e Berlinit “Një shpirt për Strategjinë e Evropës”, ku referoi në panelin “Periferia e Evropës”. Periferia si frymëzim për Evropën dhe “ Qyteti si vend i përfshirjes” u realizua me pjesëmarrjen e politikanëve: Martin Schulz, President i Parlementit të BE-së, Donald Tusk , President i Këshillit të Evropës, Doris Pack, deputete e Parlamentit Evropian, Michael Roth, Ministri gjerman i Shtetit, etj. Në konferencë referuan edhe përfaqësues të medias, botës së biznesit dhe fusha të tjera të shoqërisë civile, si : Antje Contius, drejtore e S. Fischer Stiftung, Lirak Çelaj, anëtar i “Një shpirt për Strategjinë e Evropës”, Georgi Gospodinov, shkrimtar, Gianni Skaragas, shkrimtar, etj..

“Që prej 25 vitesh, e dija që vija nga vendet ish komuniste, madje një nga vendet më të vështira të kësaj kategorie. Pastaj, na e ndryshuan adresën dhe unë vija nga vendet e Lindjes, me kalimin e kohës, kam mësuar se në fakt vija nga vendet e Evropës Juglindore.Jo shumë e qartë si toponimi dhe për këtë arsye, ishte më e lehtë për të na degdisur në zonën e zakonshme periferike, por po aq problematike të Ballkanit.Për të bërë ndryshimin, dhe për të nxitur konkurrencën ndërmjet nxënësve të mirë dhe atyre jo aq të mirë, i shtymë akoma më tej kufijtë, dhe unë duhet ta prezantoj veten time me vendbanimin tim të ri të quajtur, Ballkani Perëndimor-(Western Balkans.)”, ka thënë mes të tjerash ministrja Kumbaro duke vijuar më pas mbi aleancën e fjalëve ‘Perëndim’ dhe ‘Ballkan’, ku sipas saj, qendra e politikës së kontinentit ka përcaktuar gjithmonë periferitë dhe periferitë e periferive. “Nga ana e tyre, periferitë nuk mund ta ndryshojnë situatën, por ato mund të bëjnë gjithçka për të tërhequr vëmendjen e qendrës, madje dhe futen në garë për këtë.Kjo është loja e përjetshme midis qendrës dhe periferisë. Kjo është loja e politikës. Ndonjëherë qendra do të bllokojë kalimin e periferive drejt qendrës, do thoja fare e panevojshme, – Hannes Svoboda, e tha shumë mirë, – atëherë periferia shtyn me forcë, nëpërmjet rrugëve të shtrembëra, në gjendjen e saj më të keqe…”, ka vijuar më pas ministrja Kumbaro, duke specifikuar se ajo në këtë konferencë është e ftuar si politikane, por ka kujtuar se ajo nuk vjen nga politika, por pikërisht nga bota e kulturës dhe e kritikave të politikës.

“Megjithatë, në vendet tona njerëzit e kulturës kritikojnë shumë dhe veprojnë pak. Dhe ky është problem, problem kulturor, problem zhvillimi dhe edukimi. Për të ndryshuar gjërat duhet të reagojmë, për të reaguar duhet të marrim vendime dhe për të marrë vendime duhet të futesh në politikën e veprimit. Dhe në këtë pikë, mendoj se nëse kultura merret seriozisht, dhe është aktive me zgjuarsi, ajo mund të bëjë dallimin. Është koha që fuqitë të kuptojnë se investimi tek kultura dhe edukimi është më afatgjatë se investimi i pastër ekonomik. Krizat ekonomike janë ciklike, përsëriten, kalojnë, harrohen, kultura qëndron, trashëgohet, zhvillohet. Në vendet, të ashtuquajtura periferike, ndryshimet ekonomike nuk janë të shpejta ndërkohë që në periudhë krize, një investim në kulturë ndihmon gjithashtu mirëadministrimin e krizave ekonomike.

Për më tepër, ne i njohim shumë pak potencialet kulturore të periferive, sepse nuk i kemi kushtuar vëmendje. Është një botë e tërë për t’u zbuluar, në kulturë periferia humbet kuptimin e fjalës, sepse është thjesht një fakt kulture, i cili kthehet në një pasuri, një mjet komunikimi e njohjeje reciproke.Më lejoni t’ju sjell një shembull nga Shqipëria – Ballkani perëndimor, periferi, i cili vuan nga të gjitha klishetë e mundshme që pushtojnë gazetat e qendrës. Shqipëria është një vend që edhe pse ka gabuar shumë, nuk ka njohur kurrë konflikte me përmbajtje etnike, fetare apo kulturore, dhe megjithatë ndodhet në zemër të një rajoni, i cili njihet si “fuçi baruti e Europës” – më falni për këtë thënie të luftës së parë botërore që ende qarkullon në tekstet e qendrës!

Është një vend ku tri fetë kanë bashkëjetuar historikisht, dhe secili prej shqiptarëve mbart me vete në njëfarë mënyre këtë bashkëjetesë, për shkak të lidhjeve familjare, martesave të përziera, duke i festuar të gjitha festat fetare së bashku.

Papa Françesku zgjodhi Shqipërinë si destinacionin e parë në Europë në 2014, sigurisht për këtë arsye, duke e konsideruar periferinë si qendrën, jo për nga vendndodhja gjeografike, por nga modeli i shkëlqyer i harmonisë së feve dhe kulturave të ndryshme. Ai e cilësoi Shqipërinë “një vend europian”

 “Ky është një mesazh, një sinjal që unë ju dërgoj”, tha ai i cili mendon se një problem kuptohet më mirë nga periferia”, ka vijuar Kumbaro, e cila ka shtuar se kultura mund të ndërtojë ura që politika demagogjike nuk do të ishte e aftë. “Njerëzit e dinë, si ata të qendrës edhe ata të periferisë, pyes veten nëse e dinë edhe qeveritë. Është koha e kulturës siç e ka thënë dhe babai themelues i Europes se Bashkuar: “Nëse do e ribëja Europën do e filloja nga kultura”, ka thënë ministrja Kumbaro në këtë konferencë”, ka përfunduar Kumbaro.

Konferenca e Berlinit është një platformë e shoqërisë civile që përcakton dhe inicion hapat specifike të përbashkëta për të forcuar komponentin kulturor të zhvillimit evropian. Konferenca e Berlinit do të mbahet në partneritet me Allianz Kulturstiftung, Allianz Deutschland AG, Qytete të Evropës, Komisioneri i Qeverisë Federale për Kulturë dhe Media, Instituti Goete dhe TRADUKI . Konferenca e Berlinit 2015 “Një shpirt për Strategjinë e Evropës” zhvillohet një herë në vit. Ngjarja e ardhshme do të mbahet në nëntor 2016. "Një Shpirt për Evropën" ka lindur në vitin 2004 në Berlin.

SHKARKO APP