“Mirror”: Elhaida Dani, një nga vokalistet më të forta në Eurosong

Vlerësimet maksimale për këngëtaren Elhaida Dani bëhen jo vetëm nga vendi ynë, por emocionet pozitive po përcjellen anembanë globit. Mediat botërore kanë sjellë në fokus këngëtaren e talentuar, e cila falë fuqisë së zërit, premton për një fitore. Gazeta britanike “Mirror” i ka kushtuar një artikull pjesëmarrjes së Shqipërisë në Eurovizion. Në shkrimin në fjalë, gazeta vlerëson se, Shqipëria që nga viti 2004, ku mori pjesë për herë të parë në festival, nuk ia ka dalë dot që këngët e saj të kualifikohen ne vendet e para. Renditja më e lartë e Shqipërisë ishte kur Rona Nishliu u rendit në vendin e pestë në vitin 2012. Por Shqipëria dështoi të kualifikohej për natën finale në vitin 2006, 2007, 2011 dhe 2013. Me shumë gjasa, Shqipëria mund të magjepsë Europën me zërin e Elhaida Danit. “Pas dy viteve me këngë kryesisht të tmerrshme, Shqipëria më në fund ka gjetur veten në Eurovizion. Elhaida Dani është një nga vokalistet më të forta në garë, edhe pse kënga e saj nuk është veçanërisht emocionuese, por ka diçka në lidhje me atë që arrin t’ju prekë. Teksti nuk do të ndezë botën, por vokalisht, Elhaida e dërgon atë në majat më të larta të festivalit të këtij viti. Nëse Dani është një interpretuese mjaftueshëm e fortë sa për të bindur Evropën të votojë për të, kjo ende mbetet për t’u parë, por ju do të jeni budallenj nëse nuk e llogarisni atë. Mirësevjen në Eurovizion, Shqipëri. Ju më në fund po konkurroni”, shkruan britanikja “Mirror”.

SHKARKO APP