Mirush Kabashi, ky korife i artit skenik

Nga Albina Gjergji

Sa kisha vënë këmbë në shtëpi nga një ditë e lodhshme, por produktive, kur “Mjeshtri i Madh” i Skenës, Mirush Kabashi më telefonon për të më konfirmuar takimin tonë, të cilën për hir të së vërtetës kisha dy javë që e prisja. E qetë dhe e mikluar se të nesërmen do raportoja në redaksinë e gazetës “Koha Jonë” intervistën me aktorin e njohur, nisa të formuloja me vete pyetjet. Në fakt, më ndodh shpesh ta kap veten, duke menduar atmosferën e bisedës me artistë të tillë, të një kalibri të lartë, siç është Mirush Kabashi, prandaj më duhej të informohesha edhe për detajin më të vogël që kishte të bënte me karrierën e tij.

Ora 09:00!

Puna disa vjeçare më ka mësuar se duhet të jem korrekte në orar, për më tepër me aktorët, të cilët siç rëndom thuhet e kanë zêt vonesën në takime. I thjeshtë në sjellje dhe i mirë kuruar estetikisht përpara meje shfaqet Mirushi, z. Kabashi, z. Ibrahim, Shazivari, Nikollaqi, Brahushi, Marin Miroju, Sadush Neziri dhe… SOKRATI, me të cilin jo vetëm unë, identifikojmë kulmin e tij artistik. Mirush Kabashi nuk preferon të jetë mekanik në rrëfimin e tij e mbi të gjitha, duke qenë njeri dhe artist që prioritet ka NDJESINË, i thjeshtë deri në madhështi vjen edhe në përgjigje.

(Pasi ka lartësuar Gjuhën dhe Teatrin Shqiptar në skenat prestigjioze të Parisit, Vjenës, Kajros, Kievit, Torontos, Athinës, Beogradit, Prishtinës, Lionit, Plovdivit, Gjenevës (salla plenare OKB), etj., Sokrati-Kabashi tashmë edhe në “Kings-Place” të Londrës).

 

Aktorët thuhet se janë kategoria e njerëzve më të ndjeshëm krahasuar me artistët e profesioneve të tjera dhe që i kanë bezdi intervistat standarde, pra nuk preferojnë të jenë mekanikë në rrëfimet e tyre. Konkretisht, cila është pyetja që të bezdis më së shumti gjatë një interviste standarde?

 

Pyetjet e përgjithshme si për shembull: “Kur keni dalë në skenë për herë të parë?”, “Cili është angazhimi juaj momental?”, “Cili është roli më i bukur i karrierës suaj” (apo e kundërta)?, ose, “Cilat janë planet për të ardhmen?”, etj.. E kur këto pyetje bëhen të përsëritura dhe thjesht për të mbushur radhët e gazetës, s’kam pse ta fsheh, të japin bezdi. Mendoj se pyetjet që zbërthejnë të veçantën e personazhit (artistit) të intervistuar do të ishin më në interes të lexuesit, por edhe të atij vetë.

 

Atëherë nuk po të pyes direkt për fillimet tuaja në Aktrim, por po ia nisim me aspektin familjar. Na flisni pak për prejardhjen tuaj dhe të familjes Mirush?

Kështu po! Kjo pyetje më intrigon dhe unë i përgjigjem me kënaqësi. Nuk i shmangem faktit që quhem Mirush Kabashi, që jam pjesëtar i një familjeje prej katër vetash, që rrjedh nga gjaku i Musa Kabashit, një emigranti kosovar i viteve ‘20, i cili erdhi prej Gjakove në Tiranë me dëshirën e së ëmës (Mirushes), e cila dëshironte që fëmijët e saj (djalë e vajzë) të shkolloheshin në gjuhën shqipe. Kështu, realizonte dhe amanetin e të shoqit (gjyshit tim), të cilin serbët e vranë që kur babai ishte vetëm 2 vjeç. Asokohe në Kosove nuk kanë qenë lejuar shkollat shqipe, por vetëm shkollat turke e serbe. Në shkollë krijoi shoqëri me Hysen Çelën (daja im), ish-studentin e shkëlqyer të shkollës, i cili e ftoi në shtëpinë e tij, ku u njoh me të motrën (Menduhijen, nënën time) dhe u martua me të. Frut i kësaj martese janë katër djemtë e tyre (Saliu, Kujtimi, Mirushi e Gëzimi). Më duket se e zgjata…

 

Jo, jo… por na thoni si dhe pse u vendosët në Shkodër?

Sepse në Tiranë, im atë u regjistrua dhe mbaroi shkollën teknike amerikane. Kuadrot e shkollës amerikane, n’atë kohe edhe pse ishin në nivelin e teknikëve, nga pikëpamja profesionale, nga pikëpamja e dijeve ishin në nivelin e inxhinierëve. Prandaj edhe e caktuan në Shkodër si drejtor teknik. E pikërisht në Shkodër na ndodhi ajo që ju ndodhi të gjithë ish-studentëve të shkollës amerikane: tim atë e arrestuan. Më vonë, ne e quajtëm fat që arrestimi ndodhi pikërisht në këtë qytet, sepse shkodranët, tashmë të njohur për shpirt-mirësinë e tyre, jo vetëm që e ndihmuan të mbijetonte nënën time me tre fëmijë (unë sapo kisha lindur), por edhe influencuan ndjeshëm tek organet e sigurimit të shtetit, me opinionet e tyre shume të mira për babain tim; “Ju i dini vetë këto pune mor zotni Ilmi (ish kryetar i Degës), por ai kosovari na duket boll burrë i mirë e i ndershëm”. Akuzat e sajuara (si spiun i amerikanëve), qëndrueshmëria e tim etj, për të mos firmosur, si dhe dashamirësia e shkodranëve bëri që pas dy vjetëve në birucë e me tortura, im atë të shpallej i pafajshëm (gjë shumë e rrallë për atë sistem).

 

I lindur në Gjakovë, i zhvendosur në Shkodër, i rritur në Durrës, banues në Tiranë. Bën diferencime shpirtnore një aktor sa u takon ndjesive për vendin? Cilin qytet doni më fort?

Mendoj se ambientet dhe atmosfera e këtyre qyteteve, direkt, apo indirekt ka influencuar tek unë. Kështu do të shprehesha se në damar unë kam gjakun e paraardhësve të mi, pra jam gjakovar (dhe jam krenar), ndërsa Shkodrën e dua (ma k’anda), sepse është qytet që e nderon historinë e Shqipërisë, me përfaqësues të jashtëzakonshëm të letrave, shpirtit, të artit, të muzikës, të Teatrit, etj. Dhe më vjen mirë që Shkodra edhe pse ndenja vetëm 4-5 vjet, më ka lënë aksentin e të folurit, por unë jam durrsak në pikëpamjen e formimit tim shoqëror, arsimor, kulturor, apo edhe shpirtëror. Durrësi është një qytet që të asimilon. Ndërsa për Tiranën… kanë qenë disa rrethana jo fatlume që më ma imponuan këtë “emigrim”, por nuk e mohoj se u jam mirënjohës shkaktarëve të këtyre rrethanave, që më detyruan të punoj (nga 1994) e më vonë të jetoj (nga 1998) në Tiranë. Tirana është kryeqendra e Shqipërisë në të gjitha drejtimet.

 

Pikësynim, apo rastësi, përfshirja në Teatër?

“Edhe ashtu edhe kështu”, si titulli i një filmi komik, ku kam qenë pjesëmarrës. Është një histori e gjatë. Në pikëpamjen e pasionit, që kur isha fëmijë, pa qenë i ndërgjegjshëm nëse kjo do të ishte, apo jo e ardhmja ime unë kisha shumë dëshirë për të parë shfaqje teatrore, apo filma. Për shembull, “Hamletin” (filmin) mund ta kem parë deri në 20 herë. Edhe pse isha nën moshë, tërhiqesha për të shkuar në Teatër për të parë disa herë shfaqjet e Teatrit te Durrësit. Më pëlqenin shumë. Unë vetë jam përfshirë në aktrim, si pjesëtar i trupës së shkollës, në konkursin teatror (të përvitshëm) midis shkollave 7-vjeçare. Por qëlloi, që kur isha në vitin e tretë të shpallej dhe midis gjimnazeve një konkurs i tillë teatror dhe aty opinioni me shënjestroi si të talentuar. Ndërkohë që të dy vëllezërit e mi më të mëdhenj kishin mbaruar shkollat e larta (për Matematikë, e Kimi industriale). Dhe asokohe, për fëmijën e tretë të një familjeje, as që bëhej fjalë të shkollohej me arsim të lartë, pavarësisht rezultateve në mësime (një nga absurditetet e kohës). Kështu që e vetmja alternativë që unë të kisha një diplomë të lartë ishte aktrimi, meqenëse studentët e kësaj gjinie zgjidheshin nëpërmjet konkursit. Kështu që nuk kisha asnjë mundësi tjetër. Pra, ka qenë edhe rastësi edhe dëshirë, por edhe “imponim”!

 

Nëse nuk do ishte përfshirë në aktrim, ku do e shikonte veten Mirush Kabashi? Ç’profesion mendoni se do bënit po kaq mirë sa aktrimin?

Ndoshta muzikantin… dirigjentin e orkestrës. Është një ëndërr që më ka ndjekur për shumë vite. Sigurisht që me kalimin e kohës është venitur. Kur gjendesha vetëm në shtëpi përpara radios (e më vonë televizorit), jo rrallë herë “dirigjoja” pjesët orkestrale (Bethoven, Bah, Brams etj.) dhe drithërohesha e përlotesha me to. Por sigurisht që vetëm ky fakt është shumë pak për të pretenduar se unë mund ta bëja shumë mirë këtë rol (dirigjentin). Edhe se unë e dashuroja pianon dhe tingullin e saj, prindërit e mi nuk e kishin komoditetin te ma blinin këtë instrument magjik, apo të më edukonin në këtë drejtim, prandaj merreni këtë përgjigje vetëm si shprehje të dëshirës sime.

 

Shumë tituj, shumë çmime, shumë vlerësime. Ç’domethënie kanë simbolikat e tyre për ty?

Duartrokitjet, vlerësimet, çmimet, titulli… këto përbejnë oksigjenin, “karburantin”, motivimin që e shtyjnë artistin të ecë përpara e njëkohësisht dhe shpërblimin më të madh të jetës së tij. E veçanërisht kur të gjitha sa më lart “i vjel” në aktivitete ndërkombëtare.

 

Ç’domethënë kjo?

Vlerësimet në aktivitetet ndërkombëtare, duke filluar nga duartrokitjet e deri tek çmimet, janë frut i pastër i nivelit artistik të produktit (interpretimit) tënd artistik. Ndërsa vlerësimet brenda vendit, fatkeqësisht kondicionohen jo pak nga kritere që s’kanë të bëjnë me vlerën e vërtetë.

 

A mund të shprehesh më hapur?

Po ja! Edhe para viteve ‘90 (në diktaturë) vlerësimet artistike vareshin ndjeshëm nga biografia politike e artistit. Kështu mund të përmend artistë me shumë vlerë që nuk vlerësoheshin (me tituj) vetëm se nuk e kishin “biografinë e mirë”. Megjithatë duhet thënë që përgjithësisht vlerësimet e asaj kohe (titujt) kishin një bazament objektiv.

 

Ndërsa sot?

Ndërsa sot, vlerësimet (titujt, apo çmimet) jo rrallë varen nga pozicionimet politike, apo klanet artistike, mediatike dhe ekonomike. Për shembull, deri pak vite më parë, firmëtari shtetëror i vlerësimeve artistike (titujve), duke shkelur hapur mbi të gjitha procedurat dhe kriteret, (jo rrallë herë) i kondiciononte vlerësimet artistike (titujt) nga interesi personal, apo shtimi i elektoratit partiak. Vërtet e turpshme. Por në gjykimin tim, çmimin, apo titullin më të saktë ta jep opinioni i artdashësve, që tek ne (fatmirësisht) është kompetent dhe objektiv.

 

Çfarë e lumturon më së shumti një aktor si ty?

Së pari, sukseset e fëmijëve dhe mbarëvajtja familjare. Ndërsa profesionalisht, (nuk mund ta fsheh) momenti kur spektatori i sallës së teatrit, apo sallës koncertore i Pallatit të Sportit, apo edhe i stadiumit, të ngrihet në këmbë duke të duartrokitur. Ky është privilegji më i lartë që na rezervon profesioni ynë krijues. Është një magji, që s’mund ta zvogëlosh duke e quajtur lumturi dhe që shpesh të lë edhe pa gjumë.

 

Mua më duket, se këtë reagim spektatori ua rezervon dhe pushtetarëve, apo politikanëve?!

Është e vërtetë, por në të shumtën e rasteve për arsye konjukturale, interesi, apo edhe frike. Ndërsa për artistët (dhe sportistët), ky vlerësim është shprehje vetëm e mirënjohjes, simpatisë dhe respektit. Më duket se ka goxha ndryshim, apo jo?!

 

Jam dakord, por çfarë të ka emocionuar më shumë?

Në të vërtetë ka diçka që më ka mbetur në mendje dhe që po e ndaj me ju! Një ditë përballë hotel “Dajtit” po lëvizja me nxitim në drejtim të Teatrit, kur një lypës i vogël në karrocë sakatësh më thërret në emër…

– Nuk kam të vogla, – iu përgjigja unë pa e ndalur hapin…

– O xhaxhi Mirush, xhaxhi Mirush… po prit pak – këmbëngulte lypësi!

– Po nuk kam kohë, pastaj të thashë që nuk kam të holla – përsërisja unë.

– Po nuk të kërkoj gjë… jo. Dua të të jap diçka!

Instinktivisht ndalova. Lypësi i vogël u afrua tek unë, duke i dhënë me forcë rrotave të karrocës, ndali dhe nga poshtë xhupit më zgjati një kokërr mollë të madhe (me siguri të falur): Të kam shumë qejf, – më tha, – tek ai filmi me… Pastaj ktheu karrocën dhe shkoi të vazhdonte “profesionin”. Shtanga me mollën në dorë. Me erdhi turp dhe m’u duk vetja shumë i vogël, por njëkohësisht isha i emocionuar dhe paksa i mikluar.

 

Ndjeshmëri e theksuar. Sado që përpiqesh është diçka që nuk e fsheh dot dhe këtë e vura re tek “kocka” në fyt që kapërdive. Duke u stacionuar tek emocionet a mund të më thuash çfarë të trishton më shumë?

Shtirja, hipokrizia, apo dhe demagogjia, ma shpifin; ndërsa intrigat, prapaskenat, agresiviteti, imponimi më nervozojnë (deri në tërbim), më prishin ekuilibrin; dhe për t’iu përgjigjur direkt pyetjes tënde: indiferentizmi dhe egocentrizmi (përqendrimi vetëm i interesit tënd), më trishtojnë deri në pesimizëm. Kështu nuk mund të bëhet ky vend.                 

 

Pasuria jote më e madhe?

Ajo që kam arritur dhe mënyra sesi e kam arritur. Pra, në radhë të parë familja e pastaj profesioni. Kurrë nuk i kam lejuar vetes të arrij diçka, apo të përfitoj, duke shkelur mbi të tjerët. Kam qenë jashtëzakonisht i kujdesshëm që të mos dëmtoj… edhe atë që më ka dëmtuar. “Lëri Zotin”, më thoshte pandërprerë nena ime (megjithëse unë nuk jam plotësisht dakord). Një nga parimet e mia në jetë ka qenë: Të mos përfitoj më shumë se kontributi që investoj (+,–).

 

Je idealist?!

Ajo që sapo thashë, nuk dëshmon për një pretendim të tillë, por kjo nuk më heq të drejtën t’i admiroj idealistët. Ata janë garancia e sigurt për të ardhmen e një shoqërie dhe shembulli më domethënës janë Rilindasit tanë. Por unë jam i bindur, që edhe sot shoqëria jone ka idealistë dhe jo vetëm nga familjet e mëdha, por edhe nga pjesëtarë të zakonshëm të saj, me kapacitet dhe parime fisnike. Por e vërteta është se sot idealistët, të ndodhur në një presion të madh e të fortë janë të deprimuar e të mënjanuar. Pra është një “specie” në zhdukje dhe kjo sinqerisht është një fatkeqësi për Kombin tonë. Sot fatkeqësisht tingëllon shumë aktual vargu i Ali Asllanit “Është koha e Çakejve, është botë e Maskarenjve!”.

 

Të janë bërë shumë padrejtësi në jetë?

Shumë, por më mirë të mos flasim për to. Bile nganjëherë më vjen t’i falënderoj dhe t’i përqafoj keqbërësit e mi”, që me vështirësitë e problemet që më nxorën, më impenjuan dhe motivuan që të punoj më fort e më shumë dhe nga puna ke vetëm përfitime. E kujtoj shpesh frazën lapidar të Aleksandër Moisiut, që u drejton studenteve shqiptarë në Vjenë: “Uroj që simboli juaj të jetë Puna”!

 

Sipas teje ku ndahet dhe ku bashkohet jeta e një aktori në përditshmëri, nga ajo e skenës në Teatër? Sa të ngjashme janë këto “dy jetë” të aktorit dhe njeriut?

Kam qene fanatik që aktrimin (apo interpretimin) ta bëj vetëm në skenë, ndërsa në jetë të jem ky që jam, qytetari dhe familjari i zakonshëm me vlerat dhe mangësitë individuale. Është vlerë e madhe të jesh vetvetja, megjithëse dhe në skenë (ma besoni) bëj shumë përpjekje që të jem sa më i vërtetë. Sigurisht në përshtatje me rolin.

 

Ke refuzuar, apo pranuar më shumë role, gjatë veprimtarisë tënde artistike?

Kam refuzuar dhe vazhdoj të refuzoj jo pak angazhime edhe se (për hir të së vërtetës) kanë qenë oferta për role dytësore (në film). Nuk kam pranuar të luaj karaktere të njëjtë, apo të përsëris vetveten. Më ka pëlqyer të rrezikoj me tipa dhe karaktere të ndryshme, edhe se ato mund të ishin “role të vogla”, apo “role të mbetura” dhe ndjehem i privilegjuar kur të rinj të sotëm “më ngacmojnë” me fraza nga këto role. Ndërsa në Teatër, ofertat kanë qenë goxha me të rralla, por kanë qenë dhe janë të shpeshta ofertat për recitime poezish (promovime librash), apo interpretime monodramash, madje të shoqëruara me shpërblime dinjitoze. Vazhdoj të refuzoj edhe se do më duheshin ato para. Jam përpjekur shumë që, me shijet dhe bindjet të mos bëj kompromise. Në demokraci, artisti duhet të mbajë përgjegjësi, jo vetëm për atë se si e thua (interpretimin), por dhe për atë që çfarë thua (mesazhin).

 

A njeh dështime një aktor i përmasave të mëdha, siç jeni ju në këtë rast?

Unë gjykoj që po. Vetëm se duhet ta dini, që edhe kur kam dështuar, ka ndodhur sepse aq kam ditur, por jo se kam neglizhuar. E rëndësishme është që dështimi të mos dekurajojë, por ta konsiderosh si eksperiencë (që nuk duhet përsëritur). Më kujtuat një varg lapidar të filozofit Kipling (në poezinë “If” – Në mundsh) që thotë: “Në mundsh t’i trajtosh Suksesin, apo Dështimin, këta dy Mashtruesa, pa asnjë dallim”! Pastaj duhet të kuptoni që profesioni ynë ka dhe vështirësi rrethanore.

 

Të cilat janë?

Aktrimi është një art kompleks dhe nuk varet vetëm nga aftësitë tuaja krijuese. Pikë së pari se çfarë roli të ngarkon regjisori, në çfarë niveli është shkruar nga dramaturgu, pastaj nga niveli dhe mënyra sesi punon regjisori. Jo rrallë herë regjisorët tanë e shikojnë aktorin vetëm si interpretues, si robot dhe jo si krijues. Varet dhe nga niveli dhe serioziteti i partnerëve. Më besoni, që kur nuk gjendet gjuha e përbashkët mes artistëve, të krijohet një stres i madh.

 

Cili është fati dhe fatkeqësia më e madhe e një aktori?

Fati më i madh i një aktori është që ta dashurojë personazhin që i ngarkohet, të punojë me regjisorë të talentuar dhe që e respektojnë, si dhe me kolegë të talentuar dhe të përkushtuar, pra të punojë pa strese dhe në atmosferë pozitive dhe krijuese.

 

Na përmendni disa nga bashkëpunimet më të frytshme?

Që në shkollë kam pasur privilegjin të jem student i Pirro Manit; Kam pasur fatin të punoj me një trupë të mrekullueshme artistësh, siç ishte trupa e teatrit, “A. Moisiu” (Durrës); Roli i parë, që mu besua në këtë teatër ka qenë “Revizori” i Gogolit” me regji të Vangjel Hebës; Kam qenë pjesëmarrës në disa komedi, shumë simpatike e me shikueshmëri të lartë të Haxhi Ramës; do të veçoja dhe pjesëmarrjen (në rolin kryesor) në komedinë e hidhur rumune të M. Sebastian, “Ylli pa Emër”, me regji të Mario Ashikut; Kujtoj me nostalgji të veçantë rolin kryesor tek satira e Ruzhdi Pulahës “Koha e Çmendur” me regji të Alfred Bualjotit, ku si partner (në pozicionin e babait) kisha “Nderin e Kombit”, Kadri Roshi, etj..

 

Shumë aktorë flasin me adhurim për skenën e Teatrit. Në ndjeshmërinë tënde, çfarë e bën kaq të veçantë skenën e Teatrit, ndryshe nga shesh-xhirimi i një filmi?

Teatri të mëson profesionin, ndërsa filmi të bën më të famshëm. Teatri të mëson të  krijosh figurën artistike, të zbulosh dhe t’i administrosh drejtë dhe me masë temperamentin, emocionet, si dhe komunikimin me spektatorin. Me pak fjalë, nëse nuk ke kaluar në sitën e imtë të Teatrit nuk mund të shkëlqesh në film (ose shkëlqimi do të jetë “si flakë kashte”). Por edhe filmi ka magjinë e madhe, që të adreson drejt një interpretimi thellësisht realist, inteligjent, të sinqertë, të ndjerë dhe të pasforcuar dhe më besoni që duhet një predispozitë shumë e madhe për t’i realizuar këto cilësi. Duhet ta dini, që edhe aktorët hollivudianë si, Marlon Brando, Al Pacino, De Niro e me radhë kanë eksperimentuar e aktruar më parë në Teatër, pastaj kanë kaluar në gjininë e Filmit.

 

Monodrama është gjinia jote e preferuar teatrore. Pse?

Së pari më duhet të të them se Monodrama është shprehja më e lartë e nivelit të Mjeshtrisë së Aktorit. Flasim për monodramën spektakël të arrirë dhe jo atë tentativë (megjithëse edhe ajo duhet vlerësuar si eksperiencë). Së dyti, monodrama është mënyra më dinjitoze dhe e saktë e një Artisti për të shpalosur jo vetëm nivelin e tij interpretativ, por dhe formimin e tij kulturor, shoqëror e njerëzor. Aq me tepër kur përzgjedhjen, adaptimin (nga materiali letrar) dhe konceptimin e saj (monodramës) i  ke realizuar vetë. Me këto që them, s’dua të nënvlerësoj aspak kontributin e domosdoshëm të “një syri, një mendimi, apo të një orientimi” të dhënë nga një personalitet skenik. Kjo të paktën ka qenë eksperienca ime me dy monodramat: “Apologjia e Vërtetë e Sokratit” (sipas pamfletit me të njëjtin titull të Kostas Varnalis), si dhe “z.Ibrahim dhe lulet e Kuranit” (sipas novelës së Erich-Emmanuel Schmitt).

 

Mbërritëm tek pika ime e dobët, “Apologjia e vërtetë e Sokratit”. Kjo vepër konsiderohet si monologu teatror shqiptar më i arrirë deri më sot. Ju e keni shfaqur atë mbi 150 herë, brenda dhe jashtë vendit. Ku mendon se qëndron thelbi i suksesit të saj?

Tek MOTIVIMI. Fillimisht më duhet të qartësoj se realizimi i një monodrame është një pune artistike e stër mundimshme disa vjeçare dhe për ta çuar deri në fund një pikesynim të tillë është krejt i pamjaftueshëm vetëm egocentrizmi artistik. Duhet patjetër të kesh dhe një motivim tjetër dhe këtë ngasje unë e gjeta tek mesazhet e veprës. Tek vlera, vërtetësia dhe aktualiteti tronditës i këtyre mesazheve në raport me ngjarjet tragjike dhe problematikat e mëdha, që po kalon tranzicioni i stërgjatë demokratik në vendin tonë. Pra, për realizimin e këtyre monodramave, si dhe të disa poezive, artisti ka qenë i dyzuar me qytetarin, i cili duhet të marrë përgjegjësinë (edhe kur kjo ka kosto), për t’u bërë zëdhënësi i opinionit më të shëndoshë të shoqërisë sonë.

 

Publiku i gjerë tashmë të identifikon me Sokratin. Si ndjehesh nga ky vlerësim? Më thuaj sinqerisht, a ndjehesh “borxhli” karshi Sokratit?

Unë mendoj se e gjithë shoqëria njerëzore, që prej 2400 vitesh i është borxhli këtij Kolosi të Filozofisë dhe “Babai” të Demokracisë. Ndërsa unë i përulem dhe i bie në gjunjë, jo vetëm se nëpërmjet artikulimit të gjykimeve dhe arsyetimeve të tij të thella e madhështore unë kam komunikuar me spektatorin e gjerë, por kryesorja se, nëpërmjet tij unë kam patur përgjegjësinë, Nderin dhe Krenarinë të prezantoj nivelin e Teatrit dhe të Gjuhës Shqipe në skena prestigjioze të disa prej qyteteve e kryeqyteteve të Botës, si: Paris, Vjenë, Kajro, Kiev, Toronto, Athinë, Prishtinë, Beograd, Gjenevë (salla plenare OKB), Lion, Plovdiv, etj. dhe ajo që është më kryesorja, të “vjel” vlerësime maksimale (çmime, emisione TV, artikuj gazetash, intervista e opinione të filmuara). Dua të shtoj se në shumicën e këtyre vendeve, për herë të pare është dëgjuar në teatër Gjuha Shqipe, apo është shpërfaqur eksperienca jonë teatrore, ndërsa sinqerisht po të them, (po mos ia thuaj njeriu), se këto shfaqje përbëjnë Krenarinë e aktivitetit tim artistik.

 

Pas disa ditësh do ta dërgoni Sokratin-Shqiptar edhe në “Kings-Place”, një nga sallat prestigjioze të Londrës?

Po… Falë organizimit të Ambasadës Shqiptare dhe Ambasadorit të saj z. Mal Berisha (në kuadrin e promovimit të vlerave të artit shqiptar në këtë kryeqendër të teatrit Botëror). Ndërsa mbas dy muajsh, po në këtë Teatër do të performojë sopranoja jonë e famshme Inva Mula.

 

Cili është mendimi…

Unë mendoj ta mbyllim me kaq, se më duket e kemi zgjatur shumë?!

 

Atëherë, duke të të falënderuar për rrëfimin, kaq të vërtetë, do të të lutesha ta mbyllnim këtë bisedë, me ndonjë nga frazat më të spikatura të Sokratit…

“Ata që janë në pushtet dridhen dhe kanë frikë nga ndryshimet. Ata që janë të përmbysur i ëndërrojnë këto ndryshime dhe përpiqen t’i arrijnë me çdo kusht e me çdo mjet, i shkreti popull qëndron në mes dhe paguan dëmet dhe haraçet. Dhe ky i shkretë popull njëlloj heq edhe vuan… edhe kur pushteti quhet diktaturë, por edhe ku na quhet demokraci”!

SHKARKO APP