Miss Shqipëria 2015, të dielën finalja e madhe

 

Ka arritur fundin turi i vajzave të edicionit të këtij viti të "Miss Shqipëria". 30 konkurrentet e këtij spektakli i kanë kapërcyer me kohë emocionet e ditëve të para. Të mbledhura në grupe ku janë të lexueshme miqësitë e lindura përgjatë këtyre javëve, bukuroshet shqiptare kane prekur tokën dhe detin, nga Veriu në Jug. Tanimë grupi është stacionuar në Voskopojë, ku mbrëmjen e së dielës do të mbahet spektakli i madh dhe ku mbretëresha në fuqi e bukurisë, Anisa Petrela, do t’i dorëzojë kurorën një tjetër mbretëreshe që do të zgjidhet në skenën gjigante të ngritur në natyrë, në këmbët e Kishës së Kryeëngjejve në qytezën më histori qindra vjeçare. Dhe ndërsa vajzat janë të impenjuara me klipet, këtë vit të konceptuara nën titullin, “Mal, Det, Lumë”, stafi i “Deliart Association” ka mbyllur edhe detajet e spektaklit që transmetohet të dielën e 5 korrikut. Në mbrëmjen që do të prezantohet nga Zamira Kita dhe Enkel Demi, aktori Herjon Mustafarj do të interpretojë bashkë me vajzat konkurrente një musical të shkruar nga Shpëtim Saraçi, mbi motivet e këngës së njohur “Luleborë”. Gjithashtu këngëtarja Manjola Nallbani do të interpretojë në skenën e bukurosheve shqiptare këngën e saj të re, siç do të jenë të ftuar edhe vëllezrit korçarë, Endri dhe Stefi dhe Devis Xherahu. Eli Fara do të ngjitet në skenën e Voskopojës gjithashtu me këngën e saj të re dhe klipin e realizuar me vajzat konkurrente të këtij viti. Neki Emra, fitues i “Netëve të Klipit Shqiptar”, i mbajtur para pak javësh në Ulqin do të interpretojë gjithashtu në spektaklin, skenari i të cilit mban firmën e Alda Bidës dhe Kozeta Kurtit. Pjesë e spektaklit do të jenë edhe vetë vajzat konkurrente për koreografinë e të cilave është kujdesur balerina, Olta Ahmetaj.

E pranishme në event është gjithashtu edhe Mias Santa Ana Pilar, organizatore zyrtare e Miss Globe 2015 në Toronto të Kanadasë, gjithashtu producente e Miss Globe Canada. Ajo do të ndjekë nga afër përzgjedhjen e “Miss Shqipëria 2015”, e cila në fundvjeshtën e këtij viti do të udhëtojë drejt Torontos bashkë me stafin shqiptar të Deliart Association, i cili do të kryesojë për herë të parë punën në një event ndërkombëtar, jashtë kufijve të Shqipërisë. 

Kështu pritet të përmbyllet edicioni i këtij viti i “Miss Shqipëria”, i cili deri në mbërritjen e destinacionit final ndoqi rrugëtimin e zakonshëm nëpër Shqipëri. Udhëtimi ka nisur nga Tirana, pas tre ditësh të kaluara nëpër vizita në zonat përreth, përfshirë edhe Kodrën e Kuajve në Durrës, ku fotografi Pirro Kasemi ka realizuar edhe setin fotografik të revistës së “Miss Shqipëria”. Është prekur bregdeti në Plazhin e Lalëzit dhe kompleksin Lura dhe më pas grupi i është drejtuar Kepit të Rodonit dhe një vizite mbresëlënëse në Kalanë e Skënderbeut. Turi ka vazhduar më pas me një eksperiencë të re për “Miss Shqipërinë”. Pas një vizite në Çorovodë, ku vajzat kanë shijuar qytetin e pastër dhe mikpritjen e jashtëzakonshme, dhe në Poliçan, ato kanë shijuar mrekullitë e Osumit. Në bashkëpunim me Outdoor Albania bukuroshet e këtij viti kanë shijuar një tour të plotë rafting për ta lënë më pas këtë eksperiencë dhe për të shijuar në vijim bukuritë turistike dhe historike të Beratit. Grupi i është drejtuar më pas Himarës për një tjetër program turistik dhe më tutje në Pashaliman dhe Karaburun, ku kanë shijuar bukuritë e detit. Destinacioni i fundit ka qenë Elbasani, i cili është përmbyllur me udhëtimin e fundit në Voskopojë, e zgjedhur këtë vit nga Petri Bozo për të kurorëzuar më të bukurën shqiptare, e cila do të na përfaqësojë në “Miss Globe” që do të mbahet në Kanada, nga i njëjti staf artistik shqiptar, i drejtuar nga Bozo.   

SHKARKO APP