Mjekja pediatre: Ja këshillat për prindërit si duhet të bisedojnë me fëmijët pas tërmetit
Mjekja pediatre Lira Gjika, në emisionin “Rudina” ka dhënë disa këshilla për prindërit se si të sillen me fëmijët e tyre pas tërmetit.
Ajo thotë nuk është e lehtë për prindërit, por gjeja më e mirë është përmes lojës, duke folur dhe duke i treguar fëmijës sa frikë ka vetë i rrituri.
“Gjëja më e mirë është përmes lojës, duke folur dhe duke i treguar fëmijës sa frikë ka vetë i rrituri”.
Të futësh në veprim harresën në moshat e brishta, është si të lësh një të rritur gati të paaftë të mendojë. Prandaj duhet të flasin, të luajnë, të mos kenë frikë.
Natyrisht ta kenë frikën, se frika e ka shpëtuar njeriun dhe ajo do na shpëtojë, se do na vërë mendjen në punë, por jo ajo frika që të lë të hutuar, jo ajo frika që sillesh s’di çfarë të bësh, s’di kë të shash, s’di ku të mbrohesh”.
Bisedë me Anën për tërmetin nga Lira Gjika e publikuar në facebook-un e saj.
“Ana është një vajzë tetë vjeçe dhe unë e kam mikeshë të vogël. Ajo më thërret në emër, pasi më konsideron shoqen e sajë. Me lejen e mamit, kemi edhe ndonjë sekret siç kanë të gjitha shoqet e mira.
Sa më pa sot në rrugë, erdhi me vrap dhe pasi më përqafoi, më pyeti: U trembe nga tërmeti?
– Po Ana, shumë, po ti?
Ana duke qeshur mu përgjigj: Unë fare Lira, po babi me mamin dhe nënën, janë trembur shumë. Kur ra tërmeti babi më rrëmbeu nga krevati dhe më mbante në krah duke ndenjur te dera. Mami bënte “obobo” me zë të ulët, ndërsa nëna lutej. Kemi dy ditë që rrimë në makinë. Sa shkojnë në shtëpi të marrin diçka dhe dalin me vrap.
– Po kanë frikë Ana dhe frika nuk është turp.
– Mund të bjerë prapë një tërmet, po jo në Tiranë – ndërhyri Ana – se e tha dhe ai xhaxhi shkencëtari, që studion tërmetet, po babi dhe mami nuk besojnë. Po ti Lira, beson te xhaxhi shkencëtari?
– Po xhan, besoj.
– Mua më thonë mos ki frikë dhe vetë dridhen.
– Po edhe ne të rriturit nuk i bëjmë gjithnjë gjërat siç dëshirojmë. Mami dhe babi nuk kanë parë e ndjerë tërmet më parë edhe ata si ty, po e provojnë për herë të parë, prandaj janë kështu konfuzë.
– Po e kuptoj, po unë u lodha dhe dua të shkoj në shtëpi. Sot ishte edhe dita e Pavarësisë por nuk bëmë asgjë, siç bënim herët e tjera.
– Ana do të na falësh ne të rriturve, që edhe ne, si ju fëmijët, nuk i bëjmë mirë detyrat tona.
Ana më përqafoi edhe një herë fort dhe iku me nënën e saj.