“Mjekoi ushtarët në epideminë e rëndë, hapi maternitetin e parë, e vetmja vajzë që luftoi më 7 prill në Durrës, por u la pa punë dhe…”!/ Dëshmia e motrës

Publikohet historia e panjohur të Melpomeni Dilos, njërës prej katër vajzave të Vasil Dilos me origjinë nga Gjirokastra, (avokat i Zef Malës në gjyqin e famshëm të marsit të ’39-ës ku u dënua dhe Qemal Stafa) i cili ishte diplomuar për Drejtësi në Stamboll dhe që nga viti 1920-të e gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, përveç ushtrimit të profesionit të avokatit, hapi dhe gazetat “Omonia” në Gjirokastër dhe “Tirana” në Tiranë, të cilat u bënë “strehë” e intelektualëve patriot shqiptarë të asaj kohe, kundra synimeve lakmiqare të qarqeve shoviniste grekë për të ashtuquajturën problem i Voroi-Epirit, ku Vasili ishte një ndër publicistët më të njohur.

Shkollimi i Melpomeni Dilos në shkollën tre vjeçare të Infermierisë në Tiranë që asokohe ishte te Rruga e Dibrës, me drejtoreshë shtetasen franceze, Gabriela Laverngie, ku pas mbarimit të saj, ajo doli vullnetare dhe shkoi pranë Batalionit “Erzeni”, duke mjekuar ushtarët në epideminë e rëndë të vitit 1929-të, ku në shenjë mirënjohje, ata i dhuruan një medaljon argjëndi, gjë e cila e detyroi kryemnistrin e asaj kohe, Koço Kota, që t’i dërgonte një fletë falenderimi.

Specializim për tre vjet në Paris i Melpomenit dhe kthimi në Shqipëri, ku ajo së bashku me dy shoqet e saja, Nadide Kasaruho dhe Bedije Asllani, morën nisiativën dhe hapën të parin maternitet në Shqipëri, duke pasur dhe ndihmën e popullit të Tiranës, Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, dhe Drejtorit të Spitalit Civil. Dr. Sabri Tefikut, që ofroi disa ambiente, të cilat ato i përshtatën për salla lindje dhe dolën vetë nëpër Tiranë, duke iu kërkuar nënave të reja që të vinin në atë spital të ri.

Dëshmia e Ksanthipi Dilos për motrën e saj, Melpomenin, e cila doli vullnetare dhe shkoi në Durrës me kamionët që u nisën nga Sheshi “Skënderbej” në Tiranë, duke qenë e vetmja vajzë që luftoi kundra italianëve në agresionin fashist të 7 prillit të ’39-ës, dhe më pas gjatë periudhës së Luftës (1939-1944) ajo si ndihmësmjeke kuroi pjestarët e njësiteve guerile dhe partizanët e plagosur, por pas mbarimit të Luftës, ajo u la pa punë dhe nuk u lejua kurrë që të punonte në Shërbimin Obsertik-Gjineokologjik që kishte themeluar vetë në periudhën e Monarkisë, pasi në vitin 1945-së, dy vëllezërit e saj, Telemaku dhe Koço Dilo, u dënuan si “armiq të popullit” dhe vuajtën vite me rradhë burgjeve e internimeve të regjimit komunist.

“Në paraditen e 7 prillit të vitit 1939, kur Sheshi “Skenderbej” në qëndër të Tiranës u mbush me qindra njerëz të cilët kërkonin të shkonin vullnetarë për në qytetin e Durrësit ku po zbarkonin agresorët pushtues italianë, vajti dhe motra ime, Melpomeni, e cila veshi uniformën e infermieres dhe u ngjit në njërën nga makinat që u mbush plot me vullnetarë. Dalja e Melpomenit në atë shesh dhe hipja e saj në makinë, bëri përshtypje të madhe dhe u shoqërua me thirrje entuziaste nga të gjithë njerzit që vraponin duke e përqafuar dhe i puthur përparësen e bardhë, sepse ajo ishte e vetmja vajzë që po shkonte në Durrës për të luftuar kunëdr italianëve”. Kështu e kujtonte historinë e motrës së saj, Melopmenit, Ksanthipi Dilo, e cila në periudhën e Mbretërisë së Zogut, u diplomua në Shkollën Amerikane të Dakos në Kamëz të Tiranës.

Po cila ishte Melpomeni Dilo, ku u shkollua ajo dhe si arriti në vitin 1929-të që të krijonte të parin shërbim Obsertik-Gjinekollogjik në Shqipëri? Si dhe përse u godit familja Dilo nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe si përfunduan burgjeve dhe internimeve dy vëllezërit e saj, Koço dhe Telemaku, duke u akuzuar si agjent të anglo-amerikanëve?! Përse regjimi komunist nuk i ofroi punë Melpomenit, ndihmësmjekes që ishte specializuar në Francë dhe që gjatë viteve të Luftës kishte ndihmuar duke mjekuar ilegalisht shumë nga guerilasit dhe partizanët e plagosur?!

Familja Dilo

Melpomeni u lind në vitin 1912-të në qytetin e Gjirokastrës dhe ishte fëmija i tretë nga gjashtë vajza dhe tre djem që kishte Vasil Dilo, i cili kishte mbaruar studimet e larta për Drejtësi në Stamboll. Aty nga viti 1910-1920, Vasili u bë tepër i niohur jo vetëm në qytetin e gurtë të Gjiroikastërës, por edhe në të gjithë vëndin, pasi përveç profesionit të avokatit ku kishte një emër të madh, ai shkruante artikuj të ndryshëm në shtypin e kohës, duke u konsideruar si një nga publicistët më të njohur dhe atdhetarë që doli në mbrojtje çështjes shqiptare nga synimet lakmiqare të shovinistëve grekë për çështjen e Vorio-Epirit. Në vitin 1923, me rëninen e qeverisë së Vlorës, mbas shumë përpjekjesh Vasili arriti që të hapte në qytetin e Gjirokastrës, një gazetë të cilën e quajti “Omonia”, dhe në krye të asaj gazete që e nxirrte në dy gjuhë (shqip dhe greqisht) ai shkruante: “Allahu na bëri të lirë dhe ne duhet të jetojmë të lirë”.

Ndonëse ajo gazetë quhej “Omonia” nuk kishte asgjë të përbashkët me grekët, përkundrazi ajo ishte në opiozitë të hapur me ta dhe u kthye në një nga organet që i luftoi më shumë synimet e qëllimet e shovinistëve grekë që ngrinin të ashtuquajturin problemin e Voroio-Epirit. Nisur nga ky fakt, grekët ndërhynë dhe bënë të mundur që Vasil Dilo të internohej për disa kohë në Tepelenë. Në vitin 1920-të, kur zhvillohej Lufta e Vlorës, Vasili midis të tjerash në gazetën e tij, “Omonia”, ju drejtohej grekëve, duke u thënë: “Përse robëtoheni o të mjerë, për një cop vënd që nuk iu përket juve, rruga për në Athinë kalon nga Vlora, përse nuk shkoni të luftoni aty”?! Mbas vitit 1920-të Vasili me gjithë familjen e tij u shpërngul nga Gjirokastra dhe u vendos në Tiranë ku nuk e ndërpreu aktivitetin e tij publicistik, pasi hapi gazetën tjetër, “Tirana”, e cila u bë strehë e intelektualëve patriotë shqiptarë të asaj kohe.

Melpomeni diplomohet në Paris

Vasil Dilo, duke qenë vetë i shkolluar dhe një intelektual i njohur përeparimtar, u kujdes që përveç tre djemve, ai të shkollonte dhe vajzat. Kështu Melpomenin e dërgoi në shkollën tre vjeçare të Infermierisë në Tiranë, që asokohe ishte te Rruga e Dibrës ku ishte drejtoreshë francezja, Gabriela Laverngie. Në vitin 1929-të, kur Melpomeni studjonte në këtë shkollë, ra një epidemi e rëndë gripi, që preku një pjesë të madhe të popullsisë dhe sidomos ushtrinë. Për ketë, në kujtimet e saja, Melpomeni shkruan: “Në atë kohë unë ende në moshë të re, dola vullnetare si infermiere për të shërbyer pranë ushtarëve të sëmurë, të cilëve u mungonin jo vetëm mjekimet, por edhe shërbimi. Në repartin ushtarak të Batalionit “Erzeni” ku u caktova, shërbeva më shumë se dy muaj dhe njoha nga afër jetën e rëndë të ushtarëve.

Pas eliminimit të epidemisë, ushtarët e Batalionit “Erzeni” në shënjë mirënjohëje, më dhuruan për kujtim një medaljon argjendi të cilin e kishin përgatitur me kursimet e tyre. Ky xhest mirënjohës i ushtarëve të tillë, e detyroi kryeministrin e asaj kohe, të më dërgoi një letër falenderimi”. Mbasi mbaroi shkollën e Infermierisë me rezultate të larta, Melpomenit i doli një e drejtë studimi një vjeçare në Paris, për t’u specializuar për rritjen e foshnjeve. Gjatë atij viti që ajo qëndroi në kryeqytetin francez, u ndihmua dhe u përkrah nga dajua i saj, Panajot Netti, i cili e mbajti në shtëpinë e tij. Në vitin 1932, pas mbarimit të specializimit, ajo u kthye në Tiranë dhe pas disa kohësh filloi punë si ndihmës-mjeke në Shkollën Amerikane të “Dakos” në Kamëz, dhe më pas u muarr me hapjen e maternitetit të parë në Shqipëri.

Hap maternitetin e parë në Shqipëri

Në kujtimet e saja për hapjen e maternitetit, midis të tjerash Melpomeni shkruan: “Në ato vite për shkak të mungesës së shërbimit mjeksor, mortaliteti ishte i pashmangshëm, e sidomos në rradhët e nënave të reja dhe fëmijëve të porsalindur, pasi shumica e grave të vobegta nuk kishin mundësi të paguanin mamitë dhe lindnin pa ndihmën dhe asistencën mjeksore, duke rrezikuar kështu jetët e tyre. Ky fakt na frymëzoi mua dhe dy shoqet e mija, Nadide Kasaruho dhe Bedije Asllani, për krijimin e një Shoqërie për Mbrojtjen e Fëmijës. Qëllimi ynë ishte krijimi i një materniteti me të gjitha komoditetet për lindje dhe mjekime. Për këtë qëllim, ne u mbështetëm tek populli dhe fushata që hapëm në Tiranë, gjeti një mbështetje të madhe. Ne u lidhëm me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, i cili na dërgoi një sasi qumshti që ne e shpërndamë në familjet e varfëra dhe gjithashtu edhe modelin e krevatëve për fëmijë. Mjaft e vështirë për t’u zgjidhur ishte problem i godinës që do të shërbente për qëllimin tonë. Për këtë, morrëm takim me Drejtorin e Spitalit, Dr. Sabri Tefiku i cili e mirpriti mendimin tonë dhe na ofroi pasijet e sallës së lindjes dhe ish-morgun me dy dhoma.

Këtë godinë ne e meremetuam dhe e kthyem në një sallë lindjeje me dy dhoma dhe një guzhinë duke e mobiluar me tetë shtretër për fëmijë sipas modelit që na dërgoi Dega Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve (këto modele gjenden edhe sot në matrenitetin e vjetër të Tiranës). Gjithashtu e kompletuam me të gjitha enët e guzhinës, dyshekët, jorganët, çarçafët e deri tek veshjet e fëmijës. Kështu më 15 prill të vitit 1937-të u bë inagurimi i maternitetit të parë shqiptar në Shqipëri, që u prit me entuziazëm nga qarqet përparimtare dhe gjithë populli. Por kjo nuk mabroi me kaq, sepse neve na u desh që të bënim një punë e propagandë të madhe duke shkuar lagje më lagje ku kishte gra për të lindur që të vinin në maternitetin tone”, ka shkruar mes të tjerash melpomeni Dilo lidhur me hapjen e maternitetit të parë në Shqipëri, ku ajo pati një rol dhe kontribut kryesor.

Me 7 prill lufton në Durrës

Në prillin e vitit 1939-të, kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë, në sheshin “Skënderbej” në qëndër të Tiranës, u grumbulluan me qindra vullnetarë të cilët kërkonin të shkonin për të luftuar në Durrës. Lidhur me këtë, Ksanthipi, kujton: “Atë paradite të 7 prillit doli dhe Melpomeni. Ajo, pasi morri lejën te babai, Vasili, veshi uniformën e infermieres dhe doli në shesh duke hipur tek një nga makinat që ishte mbushur plot me vullnetarë dhe Melpomeni ishte e vetmja femër, e prandaj ajo që u prit me duartrokitje dhe populli i Tiranës afrohej te makina e i puthnin duart dhe përparsen e bardhë tek mëngët. Nga kjo skenë, ne motrave dhe vëllezërve që kishim dalë aty për ta përcjellë, na u mbushën sytë me lot”, kujton Ksanthipi pa i përmbajtur lotët si atë ditë të 7 prillit të vitit 1939 kur motra e saj melpomeni u nis për të luftuar në Durrës.

Melpomeni jo vetëm që u kujdes si infermiere për të plagosurit, por ajo kapi dhe armën e u rreshtua së bashku me vullnetarët në pozicionet që u ishin caktuar më parë nga komandanti i Përgjithshëm i Mbrotjes Kombëtare, major, Abaz Kupi. Një nga personat që hedh dritë mbi këtë fakt, është dhe kolonel, Dr. Sinan Imami, ish mjek dhe drejtor i Spitalit Ushtarak, i cili në vitin 1962, ka dëshmuar: “Unë e mbaj mënd se më 7 prill 1939-të, Melpomeni Dilo, është bashkuar me forcat vullnetare që shkuan në Shijak dhe në Durrës për të luftuar forcat pushtuese fashiste italiane dhe ka qenë e vetmja vajzë në ato çaste që u hodh në luftë duke punuar bashkë me ne si infermiere”. Kasanthimi kujton gjithashtu se edhe gjatë viteve të Luftës (1939-1944), Melpomeni u aktivizua me Lëvizjen Antifashiste, duke ndihmuar shumë nga gueriljet dhe partizanët e plagosur, të cilët i mjekointe fshurazi në Spitalin Civil të Tiranës, si Sotir Spiro, Vasil Nathanailin etj.

Persekutimi dhe harresa

Ndonëse familja Dilo u lidh e gjitha me Lëvizjen Antifashiste dhe shtëpia e tyre tek rruga e Dibrës u bë nja nga bazat më të forta ku streoheshin Qemal Stafa, Vasil Shanto, Koço Tashko etj., pas mbarimit të Luftës, që në 1945-ën, ata u goditën nga regjimi komunist, duke u akuzuar si familje reaksionare, edhe pse Vasili kishte mbrojtur krerët e Grupit Komunist të Shkodrës, në gjyqin e famshëm të marsit 1939-të, ku u dënua dhe Qemal Stafa. Kjo ndodhi pas burgosjes së dy vëllezërve, Telemakut dhe Koços, i cili vuri kandidaturën për deputet si i pavaruar në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945-së që u arrestua dhe u dënua me dhjetë vite burg, kurse Telemaku i akuzuar si “agjent i anglo-amerikanëve dhe ndërlidhës i tyre me Misionin e UNRRA-s”. Pas kësaj goditje, Melpomeni dhe e gjithë familja Dilo, iu nënshtruan persekutimit të vazhdueshëm. Lidhur me këtë, këtë, Ksanthipi kujton: “Pas burgosjes së dy vëllezërve, Koços dhe Telemakut, pushteti komunist na kishte halë në sy.

Melpomeni që kishte krijuar Shërbimin e Parë Gjineokologjik-Obsertik në Shqipëri, kishte luftuar më 7 prill të ’39-ës në Durrës dhe gjatë Luftës kishte mjekuar pjestarët e njësiteve guerile të Tiranës dhe partizanët, nuk iu dha kurë e drejta që të punonte në profesionin e saj si ndihmës-mjeke. Ajo mbeti pa punë deri sa ndërroi jetë në vitin 1971 dhe sa ishte gjallë bëri shumë kërkesa për t’iu njohur kontributi që kishte dhënë që të mund të përftonte pension, por ajo gjë nuk iu dha kurrë. Po kështu edhe vëllanë, Gaqon, i cili punonte në kryeministri, e hoqën nga puna dhe mezi mundi të rregullohej si arsimtar. Nga lufta e ashpër që i’u bë familjes sonë, asnjëri nga nipërit dhe mbesat tanë, nuk iu dha e drejta për të stdiuar në shkollat e larta”, dëshmon Ksanthipi Dilo, mbi historinë e familjss së saj dhe motrës, Melpomeni, e vetmja vajzë shqiptare që luftoi më 7 prillin e ’39-ës në Durrës kundra italianëve, e cila u persekutua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës deri sa ndërroi jetë.

/Memorie.al

SHKARKO APP