Mjeku Ahmet Kamberi tregon vizitën e parë me Enver Hoxhën si pacient: Ai vizitohej vetëm kur bëhej gati për të fjetur
Mjeku Ahmet Kamberi, pjesë e grupit të mjekëve që ndiqnin nga afër Enver Hoxhën, tregon arsyet pse Pacienti i veçantë nuk pranonte të kurohej në një klinikë private jashtë shtetit. Në librin e tij “Pacienti ynë i veçantë”, profesor Kamberi rrëfen një vizitë me okulistin e njohur Gjergji Cepa në vitin 1979, kur ai kishte nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale në sy për heqjen e kataraktit, por që kërkonte ta operonte doktor Gjergji dhe jo mjekët dhe profesorët e huaj jashtë shtetit.
Në vijim të librit, profesor Ahmeti tregon dhe takimin e parë që ka pasur me udhëheqësin komunist pas tri vjetësh që kishte nisur shërbimin në ekipin e mjekëve. Enver Hoxha ka bërë vlerësime për dibranët, por dhe për zonat e Jugut të vendit, por me interes është shpjegimi që ai dëgjon për origjinën e emrit të fshatit të tij Peladhia.
AHMET KAMBERI
PARAQITJA IME E PARË TE PACIENTI
Paraqitja ime e parë te pacienti ndodhi kur ai bëri një krizë spontane anginë kraharori. Më 29 prill 1979, në orën 18:10, Pacienti kishte bërë një krizë anginë kraharori. Në shërbim atë ditë ishte Hajroja. Unë isha në shtëpi. Atë ditë po festonim ditëlindjen e djalit tim të madh, Blerimit. Të dy baxhanakët e mi me gjithë familjet e tyre ishin aty me ne.
Oficeri i brendshëm më njoftoi me telefon që duhej të shkoja urgjentisht në vendqëndrimin tonë. I lashë të ftuarit nën kujdesin e Shpresës dhe dola menjëherë. Në dhomë nuk gjeta askënd, sepse Hajroja dhe Ylli ishin duke vizituar Pacientin. Atë natë qëndruam që të tre në shërbim. Në mëngjes në vizitë hymë së bashku me Yllin.
Ishte e para herë që do ta vizitoja atë që prej marsit të 1976-s, kur ishte krijuar Ekipit Mjekësor dhe i njësisë së kardiologëve të shërbimit të pandërprerë. Më prezantoi Ylli.
– O, po unë e njoh këtë. Ky është doktori i Nënës. Nënën e shëroi ky, – tha ai.
Pastaj për të ngacmuar Yllin, i cili ngjante shumë i shkurtër në krahasim me mua dhe për të më shtensionuar mua, më tha me buzë në gaz:
– A bën fresk atje lart, mo?
– Këtu gjithnjë fresk bën, shoku Enver, – ia ktheva unë.
Bëri edhe disa shaka të tjera dhe pastaj tha:
– Këtij do t’i themi doktor Meti, jo Ahmeti, se na kujton atë të poshtrin.
Megjithatë ai asnjëherë më pas nuk m’u drejtua si doktor Meti, por “doktor Ahmeti”, ose thjesht “doktor”. Bëmë vizitën dhe unë regjistrova elektrokardiogramin, i cili rezultoi i normalizuar.
Kur i thamë se elektrokardiogrami ishte normalizuar, ai tha me të qeshur:
– Shkruaka edhe mirë ky.
Me sa dukej, prezantimi im u mirëprit. Në vizitën e mbrëmjes e gjetëm përsëri mirë. Por puna ishte se të nesërmen ishte 1 Maji. Kjo na shqetësonte. Megjithatë 1 Maji kaloi pa probleme, ndonëse ai qëndroi gjatë në tribunë dhe ndoqi me emocione manifestimet. Në vizitën e natës, se me përjashtim të urgjencave, ai vizitohej vetëm kur bëhej gati për të fjetur, rreth orës 23, e gjetëm shumë mirë. Kjo ndodhi përfundoi me kaq.
Më 19 maj 1979, kur Pacienti ndodhej për pushime në Vlorë, hymë së bashku me Yllin për vizitën e kontrollit. Ylli e kishte zakon të gjente gjithnjë diçka për të hapur bisedë. Ne në kohën e lirë bënim shpesh shaka me emrin e fshatit tim të lindjes, Peladhi. Por unë nuk mërzitesha, sepse në mos për kurrgjë tjetër, ai ishte vendi ku më kishte rënë koka dhe ku pashë për herë të parë dritën e diellit.
-Ahmetin, shoku Enver, e kemi nga Peladhia, – ia nisi Ylli me buzëqeshje.
-Ç’është ky emër? Nga bie kjo? Nuk e kam dëgjuar kurrë,- tha Pacienti i kureshtuar.
-Ju keni qenë në Peladhi, shoku Enver, – ia ktheva unë.
-Jo, nuk kam qenë kurrë, – ma preu ai, duke marrë një pamje serioze.
-Keni qenë, keni qenë, ngula këmbë unë, sepse e dija mirë këtë. Keni qenë më 1967-ën, kur ra tërmet në Dibër. Jeni ndalur në Peladhi dhe keni biseduar me fshatarët aty. Ka qenë edhe motra ime e vogël me atë grup fshatarësh dhe kjo është fiksuar në një fotografi që keni bërë me ta. Por ju keni të drejtë, – vazhdova më tej, se “Zëri i Popullit”, në lajmin që dha të nesërmen, shkruante se shoku Enver u ndal në fshatin Pelavidhi dhe bisedoi me një grup fshatarësh që kishin dalë në rrugë për ta pritur.
-Nuk më kujtohet, – tha ai, – jam ndaluar në disa vende atëherë dhe nuk e mbaj mend këtë.
-Keni të drejtë, -ia ktheva unë, se kushedi se si i ka ardhur gazetarit emri Peladhi dhe e ka gjetur të udhës më mirë të përdorte emrin Pelavidhi. Ai nuk më kundërshtoi, por tha përsëri i kureshtuar:
-Po nga vjen ky emër, kështu?
-Ka një legjendë ky emër, -i thashë, ndoshta dhe më shumëse një…
-Ç’thotë kjo legjendë? – më ndërpreu ai.
-Ah, po… Është pak si banale…- ia ktheva unë, duke hezituar ta vazhdoja më tej bisedën.
Por, ai duke më ngulur sytë e tij zhbirilues, më tha:
-More, e thua ti apo e thotë legjenda?…
-E thotë legjenda, shoku Enver…
-E po thuaje atëherë si e thotë legjenda, – më ndërpreu përsëri ai.
Dhe unë tregova si e thoshte versioni më i përdorshëm i legjendës. Legjenda thotë se në Shkëmbin e Qytetit, i cili ndan luginën e Bulqizës me atë të Grykës së Madhe, ndodhej një kala. Ndoshta, një fortesë e vogël vrojtuese. Fusha përballë këtij Shkëmbi quhet Fusha e Kalasë. Aty turqit kishin zënë rob Mojsi Golemin.
Turqit kishin rrethuar Skënderbeun aty. Dhe kur Skënderbeun e njoftuan se kishte mbetur vetëm një thes me grurë, ai kishte thënë që grurin t’ia jepnin pelës së tij. Dhe kur pela u ngjesh së ngrëni grurin, ai kishte thënë ta hidhnin atë poshtë shkëmbit.
Kur pela ra poshtë në sheshin e vogël pranë lumit, asaj i plasi gruri nga anusi dhe nga barku. Ushtarët shqiptarë që ishin midis atyre turq, kur e panë këtë, bërtitën: “O, pela dhiu grurë!”. Nga kjo, turqit e gjetën të udhës të linin rrethimin e të iknin, sepse e panë që ai kishte rezerva të bollshme ushqimore, ndërkohë që dimri po trokiste në derë. Por vendasit e bënë zakon të thoshin: “Vendi ku pela dhiu grurë”. Duke e përsëritur këtë gjithnjë, erdhi puna që t’i bihej shkurt, Peladhi, dhe kështu i mbeti emri edhe atij katundi të vogël aty pranë.
Pacienti qeshi me të madhe dhe tha:
-Ah, ju dibranët, ti dhe Nexhmija, edhe Skënderbeun e doni tuajin.
-E kemi, -ia ktheva unë me të qeshur, – nuk ka nevojë ta marrim. Ndërhyri edhe Nexhmija:
-Ka shumë të dhëna që e dokumentojnë këtë, – tha ajo. Ai u bë serioz dhe tha:
-Po. Ç’është e vërteta këta kanë të drejtë. Kanë nxjerrë shumë trima. Kanë pasur pushkën. Kurse ne kemi pasur penën. Kemi nxjerrë mendje… Pas disa shakave të tjera që ai bëri me ne, u bë serioz dhe na tha:
-E dini ju që një arvanitas ka shkruar në një gazetë kryesore greke se revolucionin greke e kanë bërë shqiptarët: Marko Boçari, Foto Zhavella, Bubulina etj., etj. Dhe vazhdoi: – Po edhe gjysma e vezirëve të mëdhenj të Turqisë kanë qenë shqiptarë. Kemi të gjithë me se të mburremi, por edhe të mos ndihemi aq mirë, se për vendin e vet, Shqipërinë, këta nuk kanë bërë asgjë. U desh të vinin rilindësit. Ata po. Ata bënë mjaft.
Pas kësaj ne bëmë vizitën. Mbetëm të kënaqur nga rezultati. Ia thamë këtë atij dhe u bëmë gati t’i thoshim: “Natën e mirë!”. Por ai foli para nesh:
-Ti, Peladhiasi! Bën mirë që je krenar për vendlindjen tënde. Kur dolëm i thashë Yllit:
-Deshe të talleshe ti me mua, por të shkoi kot, se në të vërtetë ma nderove Peladhinë sonte. Qeshëm./panorama