Mjeku i njohur: Tri arsye pse jemi të papërgatitur për koronavirusin
Nga Edvin Prifti* – Vdekjet e para të shënuara në Itali nga infeksioni i koronavirusit na bëjnë të ndjehemi akoma edhe më afër ndaj ngjarjeve, të cilat mund të jenë shkatërrimtare për njerëzit dhe popullin tonë. Masat drakoniane që janë marrë në vendin e origjinës të ketij infeksioni viral dhe që po shoqërohen me masa akoma edhe më të ashpra në vendet pranë, duhet të na bëjnë të mendojmë akoma edhe më seriozisht se si duhet të përgjigjemi në këto kushte.
Mendoj që gjithmonë ka momente relaksi dhe llafesh, proklamatash, por kur ndodhemi përballë fataliteteve të mundshme duhet një seriozitet i jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm i çdo strukture.
E para diagnostikimi në kohë rekord
Dje po interesohesha dhe m’u tha nga një prej specialistëve tanë më të mirë të sëmundjeve infektive që real time PCR me kitet e koronavirus është kërkuar nga laboratori i mikrobiologjisë në QSUT dhe nuk është realizuar pasi PPP nuk e parashikon. Sigurisht që dikushi do të justifikohet që kjo është një emergjencë dhe e re! Pikërisht këto raste duhet të parashikohen në çdo rast. Pra justifikimi është i pajustifikueshëm. Atëherë unë them që, zoterinj, këtu ndodhemi përballë një çështje të sigurisë kombëtare. Unë nuk e di se ç’mund të konsiderohet tjetër gjë brenda nocionit të sigurisë kombëtare dhe në këto kushte dikush mund të ketë paturpësinë të kthejë një përgjigje të tillë.
Nga ana tjetër, në si universitet na duket një gjë normale kjo?! Nëse kjo PPP reagon në këtë mënyrë atëherë padyshim që duhet rishikuar, pasi është totalisht e padrejtë dhe aspak shkencore, bllokon hulumtimin që në pikënisje dhe rrezikon dhe cenon jetën. Kur i mohohet të vetmes qendër universitare hulumtimi dhe diagnostikimi?! Atëherë kush do ta bëjë? Dikushi me tha se mund të diagnostikohet në Institutin e Shëndetit Publik. Kjo është gjë shumë e mirë, po si mund të mohohet diagnostikimi në QSUT.
E dyta: karantina
Asgjë nga fronti i lindies! Nuk dimë se si, ku, në ç’kushte. Mos na duket çudi, pasi mund të jetë secili prej nesh kandidat për në karantinë dhe mendoj që njerëzit duhet të jenë në dijeni të gjithçkaje.
E treta: trajtimi
Këta të sëmurë në fund të tyre kanë nevojë për ventilim mekanik të drejtuar, ose oksigjenim artificial. Përsa i përket ventilimit mekanik, në Shqipëri ne kemi vetëm 140 ventilatorë mekanikë, këtu përfshirë edhe strukturat private, që do të thotë, që sikur t’jua mohojmë ventilimin mekanik të gjithë të sëmurëve të tjerë atëherë vendi ynë mund të trajtojë vetëm 140 të sëmurë njëkohësisht. Oksigjenimi artificial, që ka të bëjë me një aparat tjetër që quhet Extracorporeal membrane oxygenator, ose ECMO, të cilin kemi vite që e kërkojmë me ngulm në kardiokirurgji, por sidomos pas epidemisë së H1N1, si e vetmja alternativë për të mbajtur në jetë këta të sëmurë, nuk ka asnjë aparat të tillë në Shqipëri.
Afërsia me Lombardinë, shkëmbimet në njerëz dhe mallra me Italinë na shtyn që duhet menduar seriozisht për përballjen me koronavirusin. Dikush mund të thotë që nuk duhet bërë panik. Mbase kjo mund të vlente para një muaji kur ngjarja ishte larg dhe efekti nuk dihej, por tani më duket infantile totalisht çdo justifikim në kuadrin e mospërhapjes së panikut. Tek e fundit, në një luftë duhet të shkojmë të përgatitur. Nuk mund të sillemi sikur është një gjë larg nesh.
Çdonjëri prej nesh, politikanë, biznesmenë, ambasadorë, ministra dhe deputetë, por veçanërisht personeli shëndetësor mund të jenë të infektuarit e radhës. Nga 29 të infektuar në Itali, 5 janë personel shëndetësor dhe padyshim që personeli shëndetësor në vendin tone nuk do ta meritonte aspak një risk të ri të shtuar. Domine Quo Vadis?!
*Autori është shefi i shërbimit të kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë