Mjeshtëria e spikatur e një fabulisti

Shënim për librin “Gomar apo Kaproll?” të shkrimtarit Vangjush Saro

  Nga Vangjush Ziko

 Fabula është quajtur gjinia më e vogël e epikës (në prozë dhe në vargje) dhe fabulisti i parë i njohur deri më sot, është Hesiodi, dy shekuj para Ezopit (shek. VI para Erës Sonë), mjeshtrit më të shquar në këtë gjini.Fabula njeh mjeshtër të tjerë të njohur, francezin La Fonten apo rusin Krillov.Rilindasit tanë, si Naimi dhe Çajupi ndoqën rrugën e tyre në këtë gjini, duke përshtatur apo krijuar.

    Në historinë e ecurisë së kësaj mikrogjinie epike, studjuesit veçojnë dy lloje të kësaj gjinie. Koncepti gjerman pranon se baza është përmbajtja e tekstit të fabulës, kurse morali është një shtesë e tij.Koncepti amerikan mbron teorinë se morali i fabulës është baza e tij, kurse teksti është një shtesë në fabulat për fëmijë.Historikisht, në fabulën antike, morali ishte i pranishëm në fund të fabulës. Fabula shtjellon gjithmonë një ngjarje, një ballafaqim “personazhesh” me karaktere të ndryshme, me koncepte të ndryshme etike dhe morale; ballafaqimi rastësor midis tyre, është gjithnjë konfliktual dhe gjithmonë ka një fund, ka një pësim që i jep shkas fabulistit të nxjerrë moralin nga kjo “ndeshje” me fund komik.

     Fabula klasike i ka të përcaktuara elementet e saj të formës dhe të mjeteve artistike, që e përbëjnë: situata tipike, karakteret apo personazhet, alegorinë, përqeshjen e veseve apo të metave njerëzore dhe sentencën morale.

    Në fabulat e shkrimtarit Vangjush Saro -jo vetëm në vëllimin e ri të porsabotuar “Gomar apo Kaproll?” -ka disa lloje konceptimi të fabulës; ka struktura kompozicionale të ndryshme të subjektit të fabulës: anekdotike, përshkruese, monologuese dhe monolog e përshkrim bashkë; secila strukturë kompozicionale, u jep përparësi formave të ndryshme stilistike. Saroja nuk ka mbetur “rob” i formës së fabulës klasike, ai kërkon dhe provon me sukses kombinime të ndryshme të tyre.

    Fabulat, që kanë në themel një ndodhi tipike, një anekdotë, ku “protagonistët” janë në një raport konfliktual, grotesk, midis tyre, për arsye të “karakterit”, të sjelljes apo moralit të ndryshëm të tyre, dallohen edhe për mënyrën apo formën e shprehjes së moralit. Në to, qëndrimi i autorit ndaj “konfliktit” është i drejpërdrejtë, i shprehur në formën e sentencës moralizuese nga vetë autori. Në këto fabula, sentenca morale është thelbi, jo vetëm i brendisë, por edhe mjeti artistik që ftillon qëllimin dhe humorin e fabulës. Këto lloj fabulash, janë më të paktat në numër: “E mbytur”, “Gjinkalla”, “E dashur Dhelpër!” dhe ndonjë tjetër. Në këto krijime, vendin kryesor e zë situata apo ndodhia; fabula ka një “subjekt” dhe “personazhe” që ndeshen me veprime dhe dialog midis tyre; janë tipi i fabulës klasike të përdorur në fabulistikën tonë.

Por në këtë vëllim, mbizotërojnë fabulat, në qendër në qendër të cilave nuk është anekdota, si zakonisht;përparësor,është përshkrimi i një çasti konkret të natyrës, trilli i motit që zbulon edhe zgjidh raportet midis “personazheve” (zog, kafshë, gjethe); pësimet e tyre nga ky trill i natyrës, apo nga një gjendje e përftuar për shkaqe e motive të ndryshme, krijojnë edhe situatën komike.Në këto fabula, është në themelngjarja, situata, natyra;si të thuash, atoe “ndëshkojnë vesin” (mburrjen, mendjemadhësinë, etj.); morali këtu nuk shqiptohet fare, por nënkuptohet nga thurrja, përshkrimi i kësaj ndodhie që narrëfen autori.

    Në disa fabula të këtij lloji, moralin e shqipton vetë “personazhi” protagonist, që provokon “konfliktin” dhe del fitimtar, duke qesëndisur “viktimën: “Ku e kishim fjalën,/moj kotele?”, qesëndis Korbi “viktimën”, kokrrën e arrës, që i rezistonte “dhunës” a thjesht përplasjes, disi kokëpërpjetë.Ose e kundërta, siç ndodh në fabulën “Mjalti”, ku Ariu, duket fillimisht i përdorur nga Dhelpra, por është kjo që bëhet “viktimë” e dredhisë sësaj të sfiduar: “Ah, ç’e qava unë gostinë sonte!…”

    Në një lloj tjetër të fabulave të këtij vëllimi, mbizotëron “monologu” i “personazhit”, i cili përshkruan mjedisin kaotik, dramatik dhe “personazhi”(p. sh. te “Dilema e Bletës”) e nxjerr vetë konkluzionin, moralin e situatës revoltuese përballë “mbretërisë së plehrave, tëplastmasit”, ndërkohë që insekti punëtor nuk ka ku të “kullosë”, madje “nuk e di ku do tëmbytet”. Gjithë në temën e katastrofës mjedisore, në fabulën “Ndryshimi”, autori e mpreh sarkazmën, alegorikisht cinizmin e përçudnuar njerëzor nga individë monstra e kompani shkatërruese, që tallen me fatkeqësinë njerëzore: Qesja e plastmasit përqesh peshkun e rënë në fund të saj: “Ç’është ajo fjalë, vogëlush!/Unë jam ndryshe nga ata:/nuk të gëlltis si një e marrë,/por e marr shtruar, butësisht./Asgjë nuk ndjen, nuk të dhemb fare…”

    Këto të fundit, janë dy lloj fabulash: ironike ose satirike. Ironike janë kur konflikti është “personal”, bie fjala midis Ftoit dhe një prej Gjetheve të tij; kurse në rastin e dytë, midis Mjedisit të dëmtuar nga njerëzit dhe Bletës që nuk ka lule ku të “kullosë”, kemi në themel “një kolizion”, një konflikt midis “individit” dhe Shoqërisë. Në krijime të tilla, morali është aq therrës, sa që autori, për të mos u bërë retorik, e quan të udhës të mos “ndërhyjë”, duke e lënë vetë “personazhin viktimë” apo “personazhinkapadai” ta shqiptojë njëfarësoj moralin e fabulës.

    Në vëllimin “Gomar apo Kaproll?” gjejmë edhe një lloj tjetër fabule, ku autori përdor, vetëm ose kryesisht, përshkrimin e një çasti të motit apo të një situate të caktuar; kështu në fabulën “Gjethet”, ai përshkruan fluturimin e gjetheve në qiell, herë të trembura, herë teksa mburren se fluturojnë lart, ndërkohë që qielli i sfidon me trillet e tij dhe ato “bien të shkretat përdhe”. Kështu ndodh edhe me Njeriun prej dëbore, që mburret: “Unë o, unë jam ylli/ që bota po priste”, por që “u shua sakaq,/moti me t’u zbutur”.Te fabula “Orkestra”, artistikisht vizatohet një koncert, ku çdo instrument përpiqet sipas takatit të vet; por ndërkaq… “violinën e ka zënë gjumi” dhe kështu, koncertin “e merr lumi”.Në fabula të këtij modeli,  përshkrimi emocional me nota humoristike apo në njëatmosfera idilike ederi sentimentale, e nxit lexuesin të qëndrojë disi në fabul, në ngjarje, duke “shfrytëzuar” kështu emocionin, kënaqësinë e meditimit estetik të tij, alegorinë, me fjalë të tjera aktivizon qëndrimin moral të lexuesit. Këtë lloj fabule, mund ta quanim edhe fabul “lirike”.

    Do tështoja se ky “lirizëm” përshkrues i sfondit të natyrës, (ku zhvillohet subjekti), si edhe meditimi emocional humoristik ndaj “personazheve viktima”,janë të pranishëm, gati, në çdo fabul të Saros; siç ndodh, për shembull, te “Kambaleci që ndreq Botën”, ku Kambaleci “lyp aventurë”, të cilën autori e përshkruan me shumë hollësi dhe duke vënë në dukje se si “ec e ndreq punët, nëçdo kontinent”. Në këto fabula përshkruese meditative, morali qaset deri te ngjyrimet filozofike: “Bota ndaj ka marrë tatëpjetën,/sepse përrallën krejt e ka harruar …”

    Ky lloj i fabulës, është i njohur në historinë e fabulistikës. Ishte fabulisti francez La Fonten, i cili solli këtë risi në fabulën europiane.Kjo fabul, përqëndrohet më shumë në ndjenjat e “personazheve” dhe në përshkrimet emocionale, që nuk i gjejmë në veshjen satirike të fabulës klasike. Historishkruesit e fabulistikës flasin për debatin e ashpër të gjermanit Lessing me francezin La Fonten, të cilin,i pari e akuzonte se harkun “vrastar” të fabulës klasike e kishte shndërruar në një hark “dekorativ” për t’u varur si zbukurim në sallonet aristokratike!

    Ndryshojnë epokat, ndryshon edhe arti.Ndryshojnë edhe shkrimtarët midis tyre.Vangjush Saro është një shkrimtar humorist dhe satirik në veprat e tij në prozë dhe në gjininë e fabulës, por satira e tij dhe humori, po se po, nuk kalon në sarkazëm therrëse.Dhe ai, si artist i formuar, me personalitetin e vet artistik i qëndron besnik këtij parimi.Mund të thuhet se tek ai ka ndikuar padyshim edhe traditae humorit dhe e mirësjelljes korçare, frymëme të cilën autori është rritur dhe ngjizur si krijues, jo vetëm në rrethin e vet familjar, por edhe në mjedisin qytetar korçar, karakteristikë e të cilit nuk është, “asgjësimi i gjahut” të vënë në shënjestër, por stigmatizimi, sjellja e kulturuar, takti për të mos e ofenduar atë “gjah” dhe, në të njëjtën kohë, pa e lënë në heshtje dukurinë negative individuale apo kolektive.

    Fabula e Vangjush Saros flet bukur si me gjuhën e humorit, edhe me atë të satirës.E vlerësoj dhe e përshëndes larminë e tipologjisë dhe të gjuhës së fabulistit dhe shkrimtarit të mirënjohur humorist Vangjush Saro.Ky angazhim profesional i vazhdueshëm i tij, është dëshmi e pjekurisë së mëtejshme të talentit të spikatur dhe të shijeve të veta estetike bashkëkohore.

SHKARKO APP