Moikom Zeqo flet për sëmundjen e rëndë: Preka fundin, përjetova ditët më të vështira të jetës sime

Pesha e sëmundjes ndihet ende, ndërsa ecejaket e tij në rrugicat e Tiranës mbushin njerëzit që e duan me shpresë. “Kam prekur fundin, përjetova ditët më të vështira të jetës sime”, tregon për gazetën “Panorama”, Moikom Zeqo, në rrëfimin për betejën më të ashpër me leuceminë, për më shumë se dy muaj në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”.

Mjekët qenë befasuar se si ky njeri (jo i zakontë), para shtrimit, kish mundur të mbijetonte, ndërsa në trupin e tij prej 10 ditësh mungonin rruazat e bardha. E megjithatë, aty në katin e 3-të të Pavijonit të Hematologjisë, ku Zeqo kaloi ditët më të vështira, e ku përgatiste veten e familjarët për më të keqen, miqtë shikonin se si sëmundja dorëzohej para vlerave të këtij misionari të dijes. Gjithmonë falënderues, i ndërgjegjshëm e i keqardhur për bashkëvuajtësin që shikonte prej dhomës 10-të të Pavijonit. Edhe në moment të errëta si këto, ai kërkon e dallon të mirën, që e mbush me një lloj krenarie.

“Sa mirë që ne shqiptarët i kemi akoma të forta lidhjet familjare”, pohon, ndërsa tregon rastin e një pacienteje të shtruar, së cilës i qëndronin pranë prindërit, vëllezërit e kushërinjtë ditë e natë, pa qenë nevoja që të qëndronin në spital të gjithë. Po ashtu, pranë tij gjendet Lida kurajoze, Arnisa, Kleitia e Epidamni, të cilët “kokëfortë” nuk e lejojnë të dorëzohet. Në murin e dhomës ku qe shtruar, të tre fëmijët patën vizatuar e varur nga një portret, që sapo të çelte sytë, mendimet e tij të zgjateshin drejt tyre. Kanë nevojë për të, e s’janë të vetmit. Për poliedrikun mendjendritur, mendimet e tij, ka nevojë shoqëria, vendi. Pra, s’mund të ndodhë ndryshe, ai duhet t’ia dalë e të zgjasë rrugëtimin e tij! Siç ka bërë prej ditës, kur në Anglinë e largët, ndërsa festonte dasmën e djalit të vetëm, u njoh me përbindëshin që i kish shkaktuar ënjtjet në trup. Si i huaj, në spital s’mund të pranohej ndryshe veç përmes urgjencës. Pas analizave, familjarët do të mësonin për sëmundjen.

“Mesatarja e jetëgjatësisë është 9 vjet”, kishte shpjeguar mjeku. Lajmi qe tronditës. “9 vjet janë shumë pak për Moikomin, e duam mes nesh”, dëgjoi asokohe të thoshin miqtë. Dashamirësit e tij, të afërmit, të cilët në këto ditë përpiqen të reflektojnë pak nga gjurmët e fisnikërisë që ai ka lënë në ta, ia njohin edhe brengat. “Nuk mund ta imagjinoj që një ditë nipërit e mbesat e mia të mos flasin shqip”, thotë i keqardhur.

Mendja i shkon te Pandora e vogël, që mban emrin e nënës së tij të dhembshur, e në këto ditë i lehtëson dhimbjet teksa thërret: “Xhyçi, xhyçi”. Sigurisht që si çdo prind, do të kishte dashur që fëmijët t’i kishte gjithmonë pranë vetes, që dyert e shtëpisë së tij në të ardhmen të qëndronin të hapura, por e pranon klimën e ashpër me të cilët të rinjtë duhet të përballen në vendin tonë. Ai e ka përjetuar zemërimin e injorancës së kurorëzuar, në karrige e poste të larta në supet e tij.

E ka përjetuar prej diktaturës kur “e degdisën” në Rrogozhinë për poezitë hermetike (pa dyshim që s’mund t’i shpëtonte pena e tij xhelozisë së anëtarëve të Lidhjes). Apo më vonë, ku pas një kontributi të gjerë në përpilimin e programit të PS-së, jetën kulturore vendase e debatet intelektuale, Fatos Nano vendos ta largojë nga politika, për “hir të kapriçove të tij”.

E ka përjetuar, pas 2006-ës, kur pas një jete në punë, një personaliteti si ai i duhej të përballej me një pension prej më pak se 15 mijë lekësh. Për të rrëfyer jetën e tij, padyshim që libra të tërë s’do të mjaftonin, por poliedriku Moikom Zeqo ndan për lexuesit e “Panoramës” disa nga çastet më pikante të rrugëtimit jetësor, që prej fëmijërisë në Durrësin e mrekullive, e deri më sot.

Puna si redaktor në gazetën “Drita”, miqësia e takime me personalitete vendas e të huaj, nga Kadare, Poradeci e Kodra tek ish-Presidenti turk Turgut Ozal. Zeqo rrëfen po ashtu dy ngjarjet e para kulturore që lidhën Shqipërinë me botën, përpilimin e programit të PS-së e përballjen verbale me Ramiz Alinë. Në këtë intervistë, ai shpreh gjithashtu shqetësimin e tij për njohjen e poezisë së vërtetë.

Intervisten e plote e lexoni ne: PANORAMA.al

SHKARKO APP