Monika Lubonja: “Eurovizioni na pret”, emocionet që shoqëruan Festivalin e 51-të të Fëmijëve

Intervistoi: Albina Gjergji

Është mbajtur Festivali i 51-të për Fëmijë, “Eurovizioni na pret”, një festival ky mjaft i rëndësishëm, fituesi i të cilit përfaqëson të vegjlit shqiptar në eventin europian të këngës për fëmijë. Këtë vit, fituese e çmimit të parë është shpallur vogëlushja Mishela Rrapo me këngën e titulluar “Dambaje”, një këngë me muzikë e orkestrim të mjeshtrit Adi Hila dhe tekst të Pandi Laços, ndërsa në vend të dytë u rendit Elisa Gjipi e në vend të tretë, Uendi Mancaku dhe Vanesa Sono. Në këtë edicion interpretuesi më i mirë u shpall Dario Zela, i cili me këngën “Hëna çapkënia” solli në skenën e Festivalit një atmosferë mjaft të ndezur. E kënaqur për këtë sukses të fëmijëve e jo vetëm, drejtoresha e Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë dhe e Teatrit të Kukullave, znj. Monika Lubonja për gazetën “Koha Jonë” shprehet seqëllimi e dëshira ime është që ky festival të kthehet në një traditë dhe festë për fëmijët. Ndjehem shumë krenare për punën e bërë, për veten, për gjithë stafin që kemi organizuar dhe realizuar një festival me përmasa të një festivali të rriturish”, thekson Lubonja, ndërsa nuk harron të shprehë mirënjohen për mbështetjen e ministres së Kulturës, znj. Kumbaro dhe drejtorin e RTSH-së, z. Martin Leka.  Por ditë më pare, fëmijët e QKK-së kanë marrë pjesë edhe në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Për këtë ngjarje artistike, për Festivalin e 51-të Fëmijëve, “Eurovizioni na pret”, si dhe mbi shfaqjet që Teatri i Kukullave jep, Monika flet më poshtë…

 

Monika, këto ditë keni marrë pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Na flisni pak më gjatë për këtë event, i cili duhet thënë që pati shumë jehonë.

Të gjendesh në një event kaq të rëndësishëm dhe të të bëjnë ftesë që të jesh prezent me punën që ti bën me fëmijët është me të vërtetë një vlerësim dhe një dashamirësi për të qenë në Festivalin e madh të Gjirokastrës. Pikë së pari, kisha shumë vite pa e parë Gjirokastrën që pas filmit “Dasma e Sakos” dhe kisha ruajtur në kujtesën time imazhet e filmit të trishtuara, pasi kur xhiroja koha ishte gri. Ndoshta dhe për këtë arsye kisha menduar që Gjirokastra ka pak trishtim. Kësaj radhe u ndodha prapë me punë në Gjirokastër dhe isha bashkë me fëmijët për Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Kësaj radhe Gjirokastra kishte ngjyra, traditë veshje të të gjitha vendeve. Pashë gjithë ato veshje popullore, fëmijë të veshur me veshje popullore ngjyra-ngjyra dhe kësaj radhe, Gjirokastrën e pashë më të bukur se kurrë. Pas suksesit që patëm në Turqi me fëmijët me vallen e Librazhdit, me koreografi të Blerina Arbanës, unë mendova që me këtë prezantim kaq dinjitoz mund të vinim në Gjirokastër. Kësaj radhe, grupi i fëmijëve ishte 35 vetë, ku kishim dhe fëmijët fitues të Korçës që fituan Festivalin e parë mbarëkombëtar Folklorik. Nuk kishte gjë më të bukur sesa të shikoje fëmijët e Korçës dhe fëmijët e Tiranës të hapnin natën e parë të festivalit. Edhe aty, të dy grupet performuan dhe u duartrokitën pafund, si nga vendasit dhe të huajt.

Veçantia që syrit dhe nuhatjes suaj nuk i shpëtoi?

E veçanta e kësaj gjëje ishte që fëmijët me kostumet ngjyra- ngjyra tërhoqën vëmendjen e të gjithëve dhe më e bukura ishte kur fëmijët kënaqeshin kur bënin fotografi me ta. Gjithashtu dhe unë lumturohesha kur bëja një “selfie” me ta.

Prej pothuajse dy vitesh mbani postin e drejtores në Qendrën Kombëtare Kulturore për Fëmijë dhe të Teatrit të Kukullave. Duke bërë një rezyme, mund të na thoni sa produktive kanë qenë këto muaj pune për ju?

Të sjellësh projekte më shumë nga sa është e mundur do të thotë që ti të bësh një sfidë shumë të madhe me veten, por edhe me gjendjen financiare në radhë të parë. Me ardhjen time si titullare u bënë disa aktivitete të rëndësishme, por dhe të bukura. Siç ishte prurja e Natës së Bardhë për fëmijët ku i gjithë Teatri u kthye në një arenë për fëmijët që interpretuan në skenë dhe gjithë mbrëmjes u dhanë filma për fëmijë (sollëm nostalgjinë e filmave për fëmijë). U zhvillua mbrëmja poetike Franceze, ku e konceptuam si një mbrëmje dhome, ku u interpretuan poezitë më të bukura franceze për fëmijë. Përkrah interpretueseve të poezisë, e gjithë kjo u gërshetua me balet dhe muzikë. U realizua pas shumë vitesh një mbrëmje gala, që ishte mbrëmja e fundvitit. Një mbrëmje që u zhvillua në Teatrin Kombëtar, ku salla u mbush plot me fëmijë dhe të gjithë fëmijët, si ata të publikut dhe ata të Qendrës, morën dhuratat e fundvitit. Kjo është kthyer në një traditë për Qendrën Kombëtare Kulturore për Fëmijë. Një aktivitet shumë i rëndësishëm që iu shtua QKKF-së është edhe festivali i Folkut për fëmijë, që u zhvillua në nëntor për 70-vjetorin e Çlirimit për herë të parë dhe që do ketë vazhdimësi si Festival. Në Tailandë, nga 80 vendet e botës Shqipëria merr çmimin për shfaqjen “Princesha Teutë” për kërcimin e Folkut më të mirë. Pas disa vitesh, ku QKKF-ja nuk merrte pjesë, ishte edhe ai i njërit prej edicioneve më të rëndësishme TRT, 23 Prill, dita e fëmijëve për Turqinë. Shqipëria rikthehet fuqishëm këtë vit me QKKF-në, duke u radhitur e pesta me vallen e Librazhdit të kërcyer nga fëmijët e QKKF-së. Tani këtë muaj Maj, kemi sfidën e radhës ku do të zhvillohet Festivali i Këngës, në bashkëpunim me RTSH, ku për herë të parë nga ky festival që zhvillon QKKF-ja do të shkojë kënga fituese në Eurovizionin për fëmijë.

Është mbajtur këto ditë Festivali i 51-të i Fëmijëve. Na flisni pak për qëllimin dhe suksesin e këtij Festivali?

Po, prej dy ditësh është mbajtur festivali i 51 për fëmijë “Eurovizioni na pret” dhe qëllimi e dëshira ime për këtë festival është që të kthehet në një traditë dhe festë për ta, por njëkohësisht t’ju tërhiqnim vëmendjen që nga Ministria dhe deri tek sponsorët ta bënim të besueshëm që ky festival do arrinte në shkallët më të larta dhe këtë festival e përcaktojnë tre kriteret kyesore që janë: Kompozitorët, Teksti, gjithashtu dhe Orkestruesi. Vjet nuk e zhvillova festivalin për arsye se kisha bindje që të bëhej festivali dhe t’ju riktheheshim festivaleve të mëdha që kanë qenë aq të bukur në kohën tonë të rinisë, ose nuk e harxhoja këtë fond sa për të shkuar radhën. Gjithë kët vit mendova dhe kërkova edhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës që e falënderoj dhe i jam mirënjohëse për mbështetjen që më dha për ngritjen e cilësisë artistike. Sot, pasi ka mbaruar festivali unë ndjehem shumë krenare për veten time, për gjithë stafin tim që kemi organizuar dhe realizuar një festival me përmasa të një festivali të rriturish që nga këngët, tekstet, skenografia, skenaristja, regjia deri tek “leduall” që u ngritën, ndriçimi gati një punë gjigande për aq pak ditë, etj. Këtu nuk dua të lë pa përmendur mbështetësin kryesor dhe që po jep një mbështetje shumë të mirë për fëmijët, znj. Mirela Kumbaro dhe një falënderim zemre dhe një vlerësim e mirënjohje nga Drejtori i RTSH-së, Martin Leka që më mbështeti me gjithçka kishte si institucion dhe mundësitë e tij. Mbrëmja e së mërkurës ishte një natë shumë e veçantë. Fëmijët jo vetëm kenduan, por performuan. Risi ishin gjithashtu edhe 4 prezantuesit e vegjël në skenë: Aleksandri, Dea, Nicol dhe Klea, të shoqëruar me prezantuesen tashmë të njohur dhe të ëmbël, Klea Huta.

 

Risitë që ju dhe stafi juaj keni sjellë në këto institucione?

Me ardhjen time si titullare, dëshira ime, por që e kam gjithmonë pasion është që Teatri të ketë shfaqje sa më të bukura për fëmijë. Risitë e mia janë dhe fillojnë që nga ndryshimi i pjesëve, që do të thotë që fëmijët janë rritur, janë zhvilluar dhe nuk janë me ata të viteve të mëparshme, kështu që dhe ne duhet t’ju japim një ushqim sa më të bollshëm, që do të thotë duhet të kemi tekste të reja nga autorë shqiptarë për fëmijë (por që sot është shumë e vëshirë të shkruajnë për fëmijë). Sigurisht do t’u japë mundësi të gjithë regjisorëve të rinj, aktorëve dhe skulptorëve të rinj që të sjellin veprat e tyre për t’u vënë në skenën e Teatrit, që sigurisht do jenë të përzgjedhura nga bordi artistik. Këtu s’dua të lë pa përmendur një nga shfaqjet më të suksesshme të Klajdi Ymerit “Guliver, Udhëtim në Liliput”. Fëmijët janë kënaqur dhe qeshnin gjatë gjithë kohës me prindërit e tyre.

 Shfaqjet e radhës?

Janë dy shfaqje që priten të vijnë dy regjisorë të huaj për t’i vënë në skenë dhe kjo është një sfidë tjetër që Monika do bëjë për 65-vjetorin e Teatrit të Kukullave.

A ka mbetur diçka nga tradita e dikurshme në Teatrin e Kukullave sot Monika? Çfarë konkretisht?

Sigurisht që Teatri i Kukullave ka qenë vendi më i dashur dhe më i bukur për të gjithë fëmijët dhe për t’i qëndruar shumë besnike traditës së kukullës, kërkesat e mia kur vijnë regjisorët janë shfaqjet me kukulla, për të cilën ne duhet ta mbajmë fort të gjithë, nga më të vjetrit deri tek më të rinjtë.

Ka akoma aktivë prej atyre aktorëve, me zërin e të cilëve jemi rritur dhe cilët janë ata?

Sigurisht që ka; Sokol Myzeqari, Florinda Mazdreku, Marilda Furxhi, etj..

Bakie Baboçi, ç’do të thotë ky emër për ju?

Është një nga aktoret e Teatrit të Kukullave ndër më të vjetrat. Sigurisht që unë kam parë shfaqje kur kam qenë e vogël, por me ardhjen time këtu, znj. Baboçi kishte dalë në pension.

Bashkëpunimi i aktorëve veteranë me ata të rinj në Teatrin e Kukullave?

Gjithmonë po të ketë dëshirë dhe po ta duash punën, sigurisht që të dy këta breza bëjnë gjëra me të vërtetë të bukura, pasi bashkohet përvoja e punës me të renë. Ndërthuren mes njëra-tjetrës, për të realizuar gjëra me të vërtetë të bukura.

Para dhe pas ‘90-ës, Teatri i Kukullave ka qenë shtëpiza më e dashur për fëmijë. Vazhdon të ketë të njëjtën peshë për fëmijët edhe sot si dikur?

Unë di të them që Teatri i Kukullave në çdo kohë të vështirë dhe të bukur sallën dhe karrigen e ka të mbushur plot e përplot. Me shumë modesti pas shumë shfaqjeve të reja që janë vënë në Teatër dhe me një vështrim komplet tjetër, duke u nisur që nga perrallat dhe shfaqjet klasike, siç janë “Princesha Teutë” dhe klasikja “Princesha mbi bizele”, ose “Guliver”, kanë bërë që Teatri të mbushet plot e përplot. Është kënaqësi kur fëmijë dhe prindër të presin jashtë për të të përshëndetur për shfaqjet dhe më urojnë pafund nëpërmjet mesazheve.

Sa herë në javë jepen shfaqje në Teatrin e Kukullave dhe sa aktiv e shikoni spektatorin e vogël në Teatër?

Dy herë në javë, nga dy herë dhe gjithë javën, nga e marta në të premte për kopshtet dhe shkollat.

Çfarë mendoni se duhet bërë më shumë për institucionin që ju drejtoni? Në ç’sferë?

I vetmi mendim që kam është që të shtohet salla, sepse është një sallë e vogël dhe kërkesat janë të shumta.

Ndërkohë që kohët e fundit po vihet re një trend i hapjes së teatrove privatë për fëmijë, ndjeni që do të keni konkurrencë?

Për mua është akoma më mirë. Sa më shumë teatro të hapen, aq më shumë fëmijët që do të mbushin sallat e teatrit. Sa më shumë të hapen teatro, aq më pak do jenë fëmijët larg teknologjisë dhe kjo është diçka shumë pozitive.

Të punosh me fëmijët është privilegj, njëkohësisht edhe përgjegjësi e madhe. Sa e vështirë është për ju të menaxhoni privilegjin dhe përgjegjesinë?

Puna me fëmijët gjithmonë ka qenë e vështirë dhe do të jetë gjithmonë pjesë e vështirësisë. Fëmijët janë shumë delikatë. Në momentin që merresh me fëmijët, ti duhet të njohësh botën e tyre, duhet të njohësh sedrën e tyre, duhet të njohësh pasionin e tyre, ti duhet të njohësh gjithçka që ata kanë përbrenda, por që ndoshta nuk ta japin në atë kohë që ti bashkëpunon. Koha është e kufizuar që ti të kuptosh se ç’është ky fëmijë.

Si prodhohen kukullat, kostumet, veshjet e tyre? Ku dhe si bëhet porosia?

Sigurisht që dhe këtu prodhohen, shfaqjet “Guliveri”, “Princesha mbi bizele”, “Çufo dhe Tipi” janë të prodhura nga skulptorët tanë. Ky institucion këta ka të veçantë nga institucionet e tjera. Prodhimi i tyre bëhet me polisterol, silikon dhe materiale të tjera.

Ngjarja e radhës artistike që keni në kalendar?

Një tjetër iniciativë që po merret nga ana ime është 1 Qershori, i cili këtë vit do vijë komplet ndryshe. Festa për fëmijë fillon më 30 Maj, ku do bëhet hapja e një panairi për ta dhe do të vazhdojë deri më datë 3 Qershor, ku të gjitha shfaqjet e Teatrit do të shfaqen tek Pedonalja e qytetit dhe bashkë me Teatrin do jenë edhe fëmijët e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë. Për 4 ditë rresht, do jepen këngët më të mira të Festivalit. Më 1 qershor do të jepen këngët fituese.

Kaq shumë e angazhuar, a ju mbetet kohë për veten Monika dhe si e shfrytëzoni atë?

Kjo është koha më e bukur që po kaloj. Sigurisht që puna ka dhe problemet e veta, por mua më pëlqen ta kaloj edhe kështu.

Ju keni një vajzë, e cila quhet Tea. E ka frekuentuar edhe ajo Teatrin kur ishte e vogël?

Tea pafund. Vinte me gjyshin dhe e pëlqente shumë Teatrin. Nga Teatri i të vegjëlve, pastaj kaloi tek ai i të rriturve Tea.

Mjaft e kuruar estetikisht, sa e ndiqni modën Monika dhe sa i frekuentoni qendrat estetike?

Gjithmonë nga prindërrit e mi kam mësuar estetiken dhe ata të dy qëkur kam qenë e vogël përpiqeshin që kur të më vishnin, të isha sa më e kuruar në ngjyra, fustan, modele flokësh. Mamaja ime që në atë kohe edhe fjongon ma përshtaste me ngjyrën e këpucëve. Kjo vjen si edukatë e percjellë nga ata dhe të mos harrojmë çdo gjë është e trashëguar. Mua më pëlqen shumë thjeshtësia, lyerjet e thjeshta dhe trendet e fundit.

Po palestrën?

Jo, disa herë jam regjistruar, por nuk kam vullnet për ta vazhduar.

Jeni natyrë nostalgjike dhe për çfarë ndjeni më shumë mall nga e shkuara?

Po, jam shumë nostalgjike dhe shumë besnike ndaj gjërave që dua. Jam idealiste, gjë që më ka prishur punë.

Raporti që keni me rrjetet sociale?

Raport i mirë.

Po me median, sa ju ka mbështetur në iniciativat tuaja?

Për median mund të them se jam me fat, sepse më ka mbeshtetur dhe kur kisha Teatrin tim privat dhe tani që jam titullare.

Bota e spektaklit, ju tërheq?

Është shumë e bukur. Kam qenë e pranishme në disa spektakle që janë organizuar në “Klan”. Është vërtet një energji e bukur, por skena e Teatrit ka magji jashtëzakonisht më të bukur.

Dashuria juaj e parë, aktrimi… ku ka mbetur në ju?

Dashuria aty filloi, aty është dhe aty do të vdesë.

Në një foto, që keni dalë me regjisorin e madh, Dhimitër Anagnosti, në diçiturën e saj ju thoni: “Unë besoj tek ëndrrat për të realizuar një film me ju profesor”! Ndonjë surprizë?

Kur jemi në krah të të mëdhenjve, gjithmonë është ajo ëndrra për të realizuar një film. Çdo gjë tjetër ia lë në dorë Zotit. S’e di se çfarë suprize na përgatit Zoti.

Aktore e disa roleve, sidomos pas viteve ‘90. Cilin prej roleve do të donit ta luanit përsëri?

Tani ështe vonë për t’iu rikthyer roleve të bëra, se dhe koha ka ikur, por po të rikthehesha, padiskutim të gjitha.

Skena e Teatrit, apo shesh-xhirimi i filmit, cila ju tërheq më shumë?

Të dyja, kinemaja është dashuri, Teatri është pasion që s’vdes kurrë.

SHKARKO APP