Mos e rrëzoni Teatrin e Kombit tim – Fatbardh Smaja!

 

 

KRITIKË Nga Naser Shatrolli

Supozohet se ari-arti është thellë nën themelet e një familjeje të krishtere! Alegori apo kushtetutë kohe në relacione – kontekste rrugësh të kryqëzuara që do ridizajnohen kahet e  tyre. Rruga e Kombit shqiptar në të dyja kahet ka marrë emrin – “Ibrahim Rugova”.  Tingëllon apo është sentencë politike – se ne duhet zgjedhim Vatikanin si orientim meqë Rugova e mbante mbi oxhak Papën, apo është vetëmjaftueshmëri e konsumit të brendshëm. Në të kundërt, muzika që përdor autori si botëkuptim ideor del të jetë filozofi e pa kapërcyer, meqë ka diçka në fondamentet – burimore që sot është nën ombrellën e UNESCO-s, tjerat mund  të ngelen klishe -punë e madhe, do të thoshte Camaj.

Bardh Smaja sendërton një model dramatik në shfaqje duke gërshetuar korrelacione zhanresh, teatri verbal dhe figura në qendër është stili i tij, pastaj, dizajni grafik i tablosë rrjedhimisht sendërtohet në frymë artesh pamore dhe filmike duke i vendosur personazhet në plane dhe mendësia muzikore shtjellohet si “sikur” dramaturgjik – jemi në shfaqje, bëjmë teatër – shkruajmë teatër, këto janë gjetje – “bilur” ideor, të cilën, autori rrjedhën historike, të bëmat që ndodhin aty për aty, i formatizon në mister dramaturgjik. Shqipërinë don që ta përafroj me varfërinë teatrore, qoftë teatër e keqja do të thoshte kushdo. Rreziku i themeleve të kulturës shqiptare përbotërohet në sens trilli, është punë dashurie  – zemërplasaritje.

Rrënimi delegjitimohet, kompozohet në didaskali teatrore – muzikore. Muzika si pasuri nëntokësore, është fe e atdhe, mbase janë themelet shpirtërore të një kombi, ndërsa rrëzimin e pianos – meqë aty fshihet ari është konotacion – verdikt fatkeqësie.

Në startin e nisjes ngacmon memoaret e sustave të pianos, bien për toke notat në vitin 2016 – sipas regjisorit. Rrëzohet tryeza familjare – uniteti shoqëror, e një familje të krishtere, nga fryma partizane, e cila, muzikën do ta shikonte si invalide, të gjymtuar në karrocë. Shqipërinë e vjetër me kulturë pllakash do ta pllakosnin për toke partizanët e moderuar. Kostumi i vjetër i partizanit- Nikolin Ferketa- përkatësisht pushka e tij do ti përshtateshin rrobaqepësisë së pikturës kohore. Ai vjen si kujtesë reale, vjen si njeri në një kohë futbolli kur e kuqja muzikore do të bëhej pergamen – tifozëri përfitimesh për një skuadër.

Shfaqja mbyllet me patkoin e fjalëve të regjisorit, që godet kur thërret – trumbeton, pra, fjala do të mbetet patkua mbi derën e shtëpisë – roje nga e keqja meqë njeriu është e shkruar diku thellë në tokë, që duhet të ikë, por veprimet e tij do të qëndiseshin me kërrabëza dore – himnizime.

Gjetjet interkative në teatër janë pasazh shtesë të kompozuara mes fjalës së shkruar dhe të thënës. Raportet e krijuara mes personazhesh, dhembshuria për të vdekurin – të zotin e shtëpisë, ndërlidhen me trungun – farën. Vdekja është nevojë ndonjëherë, por nëse vdesë thesari kombëtar bashkë me njeriun çka do të ngelej brenda në piano – vaj, do të thoshte Merita – populli.

Thesari është aset kombëtar ndërsa rrënimet do të ishin rrugë e gabuar – kandil dhembshurie.

Filozofia e Bardhit për të djeshmen, për rrugët tona që çojnë drejt mirëfilltit global, klishetë sistematike të kohës, shpërfaqen rrezikshëm për Dorën e Dorës – vajza – kanun i shtëpisë – rinisë – Eliona Shkreli, meqë, ata me dhembje e mërzi do të marrin rrugën e ikjes nga vetvetja.

E kam njohur nga afër regjisorin Bardh Smaja. Ishte brenda apotekës së vet. Pasuria e tij, nëntoka e tij kulturore ishte shumëllojshmëri “ilaçesh”, të cilat i ka përdorur arsyeshëm dhe bindshëm në shfaqje, situata, rrethana dhe përecje skenike. Është 100 % krijues meqë është vetvetja gjersa shfaqjen e sendërton në frymë taktesh, ka sahatin dhe dakikët e qartësur bota e tij – stili i tij – tingëllon, ka intrigën brenda formatit, ka kureshtjen, kjo e fundit është qenësore për teatrin. 

Fryma interpretative aktorëve është dhe një relikt shtesë. Harmonia qe model shkollor. Diktohet kjo marrëdhënie, kjo dashuri ky emancipim skenik, pastaj ndjeshmëria në raport me spektatorin.

Në Kosovë për net të shenjta – përzihet hallva, digjet sheqeri i bardhë së bashku me brumin për të nxjerrë – “hallva e zezë” – e ëmbël, këtë formulë kuzhine, do e ndaja me thikë të argjendtë për autorin e shfaqjes meqë nuk arriti me shiju hallvën e premierës së tij.

Regjisori e ka kultivuar frymën shqiptare deri ditën që është shtrirë për toke për të nxjerr farën e re – fëmijët, pasardhësit.

Improvizimet me piano t‘kartonit krijojnë marrëdhënie të sinqerta ndërmjet ekzekutores – personazhi –Besa- Merita Smaja aktore me takte pianoje, ndërsa, e zonja e shtëpisë – Rita Gjeka-Nana- si personazh, mban petkun e zisë në gjest, në ecje, në ulje, në përmbajtje, në shikim, në lëvizje, në tretmanin psikologjik. Çfarëdo që manovron është e besueshme, meqenëse e ka bërë jetën me të (regjisorin), andaj interaktivizohej, vërehej që mbante xhamadanin e zisë për rolin e të zotit të shtëpisë në shfaqje dhe për të zotin e shtëpisë “Migjeni”.

Simon Shkreli, aktor karakteresh, kishte sjellë në skenë modelin katundarisë përtallës me dy tri gjetje. Kishte sendërtuar karakter, vijat i bashkërendonin me batutat. Gjithë trupa janë instrumente, kështu i ka renditur regjisori, secili ishte brenda frymës, sidomos I paralizuari- Prendi- luajtur nga Enver Hyseni, me timbrikën dhe peshën e fjalës së thënë – kumbuese. Pra, regjisori, para së gjithash e nuhat organikisht dramaturgjinë, është njohës praktik i regjisurës, aktrimit, muzikës, me këtë epitet ai ka rezonuar përgjatë dyzet vitesh jetë në teatër.

Poetika regjisoriale rrallë ekziston sot në truallin e shtëpive teatrore. Regjisori Bardh Smaja i bardhë trumbeton për vetëdije, mos e rrëzoni teatrin shqiptar me instrumente fals – tallava.   

SHKARKO APP