Mos guxo të vdesësh në këtë vend!

Nga Bledi Lumani

Një vajzë e re është vrarë, djali që e donte është pothuajse i vdekur, ndërsa dy familjet e tyre janë të shkatërruara nga dhimbja!

Këtu merr fund një histori e dhimbshme, që nga një dashuri në tentativë, u kthye në tragjedi.

Ose më saktë, këtu do të duhej të merrte fund!

Por historia e Aldison Belulaj dhe Ariela Muratit, është kthyer në një telenovelë me disa seri!

Mediat, njësoj si autori përndiqte vajzën e re, janë vënë në ndjekje deri në detaje, të të dhënave pa rëndësi, dhe na i servirin seri pas serie.

Janë futur në Facebook-un e viktimës, e djalit që e donte dhe përndiqte deri në vdekje, e të afërmve të tyre, miqve, e madje deri tek profilet e personazheve të njohur.

Kanë rrëmuar aty ndonjë status apo foto dhe e kanë lidhur me ngjarjen tragjike të së dielës, për të na sjellë serinë e radhës së telenovelës, me tituj të tillë:

“Fjalët e fundit të viktimës”

“Zbulohet çfarë i tha djali para se të vriste”

“Fjalët prekëse të shoqes së 21-vjeçares”

“Dedikimi prekës i Ardit Gjebreas”

“Flasin prindërit e vajzës”

“Fjalët e ndjera të pedagogut të viktimës”

‘‘Pse o zot m’i merr njerëzit më të mire”

“Aurela Gaçe ka disa fjalë të ndjera për Arielën”

“As në varr nuk do e kesh tënden, pse e vrave?”

Një histeri masvie portalesh, që nuk kanë lënë shok, shoqe, hallë, dajë, komshi, kamarier, apo dhe parukiere të viktimës, pa nxjerrë.

Është një histori që në fakt përsëritet pas çdo vrasje.

E nisin me fotot e viktimave, çfarë kanë shkruajtur, kë kishin shokë, çfarë thonë këta të fundit, komshinjtë e tyre, statuset “prekëse” të Arditëve e Aurelave, që as i kanë njohur fare viktimat, pastaj në fund, si të mos mjaftojë dhimbja e pamasë, iu shkojnë në shtëpi prindërve për t’i torturuar me pyetje, dhe “qershia mbi tortë”, japin edhe pamje nga varrimi, siç ishte rasti i Arielës, që me perversitetin e tyre idiot, e përcollën “live” për në banesën e fundit!

Hajde vdis po të duash pastaj në këtë vend, që mirë jetën na e bën të vështirë, por dhe vdekjen na e kthen në një shfaqje sado-mazokiste!/TemA

SHKARKO APP