KAJCA/”Moska e Vogël”, një fshat me histori të madhe

Nga Gëzim Meta –

75 vjet më parë, në 16 tetor 1943, në fshatin Kajcë të Përmetit u themelua batalioni partizan “Dëshnica”. Sot në Ditën e Çlirimit të Atdheut ku kujtohet kontributi i gjithë shqiptarëve në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, një homazh meritojnë dhe ata burra dhe gra të batalioni dhe këtij fshati që dhanë kontributin e tyre për çlirimin e vendit.

Kajca ka qenë bazë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe si e tillë ka pritur me gëzim dhe vendosmëri partizanë jo vetëm të batalionit Dëshnica, i cili kishte bazën aty, se u krijua më 28 shtator 1943 dhe festohet më 16 tetor, por edhe partizanë të ardhur nga Përmeti, Skrapari, Tepelena, Gjirokastra dhe shumë zona të tjera.

Nuk e teprojmë dhe nuk e përgjithësojmë për t’u lavdëruar e për t’u mburrur kur flasim e shkruajmë se Kajca ka qenë fshati i vetëm në Dëshnicë që ka mbajtur i gjithi qëndrim të vendosur dhe të palëkundur gjatë luftës. Kajca dhe kajcallinjtë kanë pritur e përcjellë në ato ditë të vështira të luftës, të bllokimit dhe të varfërisë të tejskajshme që s’kishin bukë për fëmijët e tyre. Më shumë se 100 partizanë, çdo ditë nga marsi 1943 -prill1944 e më mbrapa janë strehuar në shtëpitë e banorëve të Kajcës dhe të zotët e tyre jo vetëm që nuk kundërshtonin, por i prisnin me gjithë zemër edhe pse s’kishin bukë në raste të tilla huazoheshin me njëri tjetrin dhe ua shtronin partizanëve. Tradita e bujarisë dhe e mikpritjes në këto vite të vështira u manifestua në shkallën më të lartë. Në Kajcë në mars 1943 u krijua çeta “Dëshnica” që ishte baza e këtij batalioni. Kajca rreshtoi 51 partizanë bijë të saj ku 5 prej tyre dhanë jetën për çlirimin e vendit. Janë të rrallë fshatrat që me një numër jo të madh banorësh kanë dhënë kaq shumë dëshmorë dhe partizanë dhe për atdheun.

Në kujtimet e tyre, në shkrimet e shumë kuadrove të luftës që kanë qëndruar e luftuar në Kajcë si dhe në kujtimet e ish-partizanëve flasin me shumë dashuri e respekt për Kajcën e kajcallinjtë, jo vetëm për pjesëmarrjen në luftë, por edhe për vendosmërinë, trimërinë, mikpritjen e bujarinë e ngrohtë e vëllazërore nga të gjitha familjet e Kajcës pa përjashtim. Këto kujtime na gëzojnë e na bëjnë krenar. Kajca është e lidhur ngushtë me batalionin “Dëshnica” sepse ky batalion fillimisht kishte bazë çetën me të njëjtin emër, e cila përbëhej shumica nga kajcallinjë. Ja disa nga këto kujtime:

Në letrën e Birce Sinematit (kopje në muzen Përmet) shkruante si zëvendës i batalionit, më 26.11.1943, dërguar Këshillit të fshatit Kajcë; “Bëhuni gati të gjithë menjëherë, të niset çeta e Kajcës, të gjithë sa janë të gjithë me armë, po kjo të bëhet edhe në Vinokash dhe Toshkës. Komandën e këtyre ta marrë Myftar Bejo dhe Fuat Mezhgorani nisuni sot dhe kërkoni drejtimin tonë. Dërgoni një kafshë të marrë një mitraloz të rëndë në Fratar dhe ta bjerë në Kajcë ose ku të jetë batalioni. Na sillni kush ka armë të tepërta. Populli të rrijë i qetë, mos e lajmëroni, asgjë nuk ngjet, ju presim menjëherë. Te fala revolucionare Gëzimi (Pseudonimi i Birçe Sinematit)”.

Më 27dhjetor1943, Hysen Koka një nga kuadrot e batalionit “Baba Abas” shkruante në librin e tij “Ditë të zjarrta”: “Në mëngjesin e datës 27.12.1943 forcat e batalionit “Baba Abas” nëpër një borë të dendur u nisëm nga Kajca në drejtim të qafës së Taroninës. Përpara ecte shtabi i grupit të V dhe disa fshatarë nga Kajca, të cilët e njihnin mirë vendin. Pas një udhëtimi të gjatë dhe një kohe të keqe me borë, pas plotësimit të detyrës u kthyem në Kajcë. Aty qenë strehuar edhe forca të tjera partizane. Megjithëse ishim shumë ngushtë 15-20 veta në një familje në një shtëpi, i zoti i shtëpisë bënte çmos për ti kënaqur të gjithë. Të nesërmen në mëngjes për në Rovicë na shoqëruan 2 fshatarë nga Kajca.

Luftëtari trim dhe Heroi i Popullit Zylyftar Veleshja ka shkruar: “Atë ditë pasi u plagosa shkuam në Kajcë. Kajca heroike ishte plot me partizanë të plagosur e të sëmurë. Mua më shpunë në shtëpinë e sheh Latifit. Shpejt erdhi infermieri bashkë me Xhakon e Metkë Kajcën. Me Metkën përgatitëm programin e nisjes së të plagosurve për në Lupckë. Gjithë Kajca ishte mobilizuar për frontin, burra, gra. Ujët fjeti atë natë, por Kajca jo. Shumë korrierë venin e vinin atë natë, shumë urdhra e lajme dërgoheshin nëpër fshatra e krahina të tjera, shumë ushqime gatuheshin e shpërndaheshin, kujt ti jepej më parë. Në mëngjes kafshët ishin gati dhe të gjithë të plagosurit u nisën drejt Rodenjit për në Sukë. Te dyqani i Kajcës, në përrua dolën dy gra kajcallesha, Selvikua me Zajdekon, të cilat na kishin nxjerr sende ushqimore; vezë të ziera, suxhuk, bukëfiqe. Aty dolën edhe shumë gra të tjera, të cilat na uruan rrugë të mbarë e shërim të shpejtë. Burrat e Kajcës atë ditë të gjithë ishin në front me detyra në shërbim të luftës. Myrteza Xhani, ish-zëvendës i komandës së vendit në Sukë do të deklaronte; nga Kajca janë dërguar në spitalin partian Lupckë shumë ushqime dhe ndihma. Në librin e ndihmës shoqërore të krahinorit të Dëshnicës, maj-shtator 1944 do të lexojmë për kontributin që ka dhënë populli i Dëshnicës: Në krye qëndron Kajca duke dhënë 900 franga, Bubësi 900 franga, Katundishta 700 franga, Çorrogunji 610, Psarri 540, Zhepova 530, Tolari 400, Shelqi 400, Mërtinji 400, Kuqari 360, Leskoveci 360, Vinokashi 320 Sëniçani 300, Ribani 280, Podgorani 260, Xhanaj 140, Panariti 120.

Itedenti i spitalit të Beratit Petro Odriçani më 6.8.1944 do të raportonte: “Dëftejmë se morëm nga Këshilli i Rinisë Kajcë një kusi dhe një gavetë me 10 kg gjalpë dhe 100 kokrra vezë. U falnderojmë”. Një tjetër letër falënderimi më 25.9.1944 konkretisht shkruhej: “Falnderojmë Këshillin e Rinisë e të Gruas të fshatit Kajcë për dërgimin e 15 palë çorape leshi, 20 kg fasule,10 kg gjizë dhe 50 kokrrave për spitalin Berat”. Në kujtimet e tij Hajrulla Muhametaj do të shkruante: “Në mbledhjen e Vilzës më 17.4.1943 populli i Kajcës në përgjigje të kërcënimeve të bëra nga ballistët, në mbledhjen e Malit të Shelqit hartuan një letër për Ali Këlcyrën e Baba Kamberin, e cila iu dërgua nëpërmjet Hamit Xhungës. Në letër u bëhej e njohur vendosmëria e Kajcës për ti qëndruar besnike Partisë dhe Frontit, si dhe vendosmëria për të mos pranuar në Kajcë asnjë ballistë”.

Ceremonia e festimit të 75-vjetorit të krijimit të batalionit “Dëshnica”. Tetor 2018

Miku dhe shoku i luftërave të kajcallinjëve Zylyftar Veleshnja do të shkruante: “Ndodheshim në Tolar , një partizan i Therepelit pruri një fonogram të komandës së vendit në Çorovodë që më njoftonte se balli i ka dhënë ultimatum Kajcës ose të bëhet me ballin, ose të dorëzoj armët, mbasi ne nuk mund të lejojmë që në Dëshnicë një Moskë e vogël siç është bërë Kajca”. Me të marrë këtë fonogram neve pa marrë urdhrin e shtabit vendosem të shkojmë në ndihmë të Kajcës, sepse këtë e quanim më të rëndësishme. Kjo është aty për aty java e tretë e nëntorit 1943. U nisëm nëpër një shi të dendur dhe qëndruam në Toshkës. Unë së bashku me tre partizanë shkuam në Kajcë, mbasi atje ndodhej batalioni dhe shtabi i tij. U hap lajmi menjëherë se erdhën forca nga Berati në ndihmë të tyre. Ky lajmë u prit me gëzim të madh. Brenda gjysmë ore erdhi i tërë fshati; burra, gra për të na përshëndetur. Kërkuam me këmbëngulje të na ndërronin se ishim bërë ujë. Ne së bashku me komisarin e batalionit “Dëshnica” bëmë një plan dhe një përgjigje për ultimatumin e ballit. Kishim një tavolinë të vjetër dhe dy karrige në shtëpinë e Ferhat Bregasit dhe Gëzimi filloi të shkruante ultimatumin”. Kajca ishte qendra e rëndësishme e LANÇ në atë krahinë. Kajca qëndroi në krahë të LNAÇ edhe në ditët më të vështira të saj duke mos u përgjunjur përpara sakrificave më të mëdha. Këtu e kishte qendrën batalioni “Naim Frashëri” , “Dëshnica”. Kështu herë “Moska e vogël”, herë-herë baza e luftës së LANÇ është quajtur Kajca gjatë Luftës. Hysen Koka, libri “Ditë të zjarrta” f .51 .Qazim Kondi ish-komisar i grupit të 5-të “Dëshnicës” shkruante: “Kajca ishte mbështetja kryesore e partisë në Dëshnicë, prandaj lufta për mbrojtjen e Kajcës duhet të ishte e tillë që të merrte parasysh faktorin politik, rëndësinë dhe vënien e Kajcës si epiqendër të LANÇ . Në Dëshnicë, Kajca ishte Stalingradi i Dëshnicës”.

Vlerësime të mira për Kajcën dhe kajcallinjtë kanë bërë edhe Heroi i Popullit, Ngjeli Argjiri, si dhe Adil Prishta, Fadil Kame, Feti Bubësi, Kame Aliu. Për të gjitha këto merita Kajca është dekoruar me tre medalje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor; “Të kujtimit”, “Të luftës” dhe “Të punës”.

SHKARKO APP