Muaji i kancerit të gjirit, 650 raste të reja në vit

Mbi 650 gra në Shqipëri preken çdo vit nga kanceri i gjirit ku 25% e tyre përfundojnë me humbje jete. Vitet e fundit onkologët po përballen me këtë sëmundje edhe te vajzat mbi 25 vjeç, ndaj theksojnë nevojën e zbulimit të tumorit në fazat e hershme. Në ditën e parë të muajit kundër kancerit të gjirit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u bën apel grave të bëjnë kontrollin falas pranë qendrave shëndetësore dhe në spitale.

Të parandalosh është më mirë se të kurohesh thonë mjekët. Për këtë arsye muaji tetor i dedikohet ndërgjegjësimit për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Ndryshe nga sa mendohet, edhe ky lloj tumori prek të dy gjinitë, por raporti te meshkujt është shumë më i ulët.

Një vit më parë, 3 burra u diagnostikuan me kancer gjiri ku rreziku për jetën është i njëjtë si te femrat. Sëmundshmëria nga kanceri i gjirit është më e lartë në zonat urbane. Tirana, Korça dhe Fieri kanë numrin më të lartë të pacientëve me këtë lloj tumori, ndërsa më të ulëtin Kukësi, Dibra dhe Durrësi. Sipas mjekëve, faktorët kryesorë të sëmundjes janë historitë familjare, ndryshimi i stilit të jetës, stresi dhe mënyra e ushqyerjes.

SHKARKO APP