Mund të mos i shohim më kurrë, pamje me dron nga Tirana e heshtur
Ndonjë çiklist, kalimtar që ose është nisur drejt farmacisë apo shumicës/supermarketit në ato pak shërbime që kanë mbetur hapur, tek-tuk ndonjë makinë furnizuese apo të Policisë së Shtetit dhe Ushtrisë. Shikon edhe ndonjë këmbësor që ka dalë të marrë ajër të pastër përkohësisht, punonjës të mirëmbajtje-gjelbërimit… mund të kemi harruar diçka tjetër, por që ju garantojmë se nuk është e përfillshme.
Kjo është Tirana e ditës së sotme, e mbi njëmilionë banorëve të heshtur, mbyllur pas dyerve të apartamenteve dhe shtëpive të tyre duke ndjekur me përpikmëri udhëzimet e autoriteteve, por po ti pyesësh një nga një të gjithë, shumica prej tyre të thonë se kjo nuk ishte parë ndonjëherë, por asgjë nuk i frikëson, e pa ndrojtje jo rrallë sikurse i kemi transmetuar në kronika dhe shkrime, thonë “jemi shqiptar ne”.
Tirana sot hesht në respekt të jetës; ndërgjegjësimit; në respekt të brezave, atyre që janë dhe do vijnë, ndërsa ajo është gjithashtu e bukur sepse kjo është vetëm një sfidë të cilës nesër do ti përgjigjet një më një kohës, jetës, gumëzhitjeve dhe zhurmave që për çudi na e kanë sjell në majë të hundës por që në këtë këndvështrim nuk po duken keq.
Qielli i kryeqyteti po pastrohet, njerëzit dhe qytetarët e saj janë aktiv pavarësisht se të mbyllur brenda. Rrjetet sociale janë të mbushura me mesazhe, këshilla, sugjerime, por edhe me momente të jetës të secilit brenda dyerve të shtëpive të tyre.
Janë të mbushura edhe me çaste humori, feste, gëzimi e pa harruar për asnjë moment sfidën e mjekëve e ifenrmierëve që sillen rrugëve të Tiranës e korridoreve të infektivit me zemrën në dorë, teksa ndaj tyre nuk kanë munguar as duartrokitjet e qytetarëve në ballkonet e banesave të tyre.
Kjo është Tirana sot por edhe Shqipëria sot, në hartën e mbi 130 vendeve që po luftojnë me një armik që askush nuk e ka një përgjigje se nga vjen, ku bota dyshuese pyet e heshtja e dikujt që mund të di se çfarë…vret, por diçka nuk do ta ndryshojë dot asgjë për sa kohë ka tokë e oqean, JETËN e cila duket sikur në Tiranën që po shikoni në këtë video me dron, po merr frymë.