Muri i Berlinit, refleksione dhe mësime historike

DR. SHPËTIM ÇAUSHI 

Ndodh që ngjarjet e mëdha, në kujtesën njerëzore, e cila formulon historinë e shkruar, ndonjëherë, për fat të keq, të përkujtohen si një “liturgji ceremoniale”, duke i larguar pak nga pak në vite nga substanca dhe madhështia e tyre… duke i kujtuar vetëm si një “Annus mirabilis”…

Ndodh që ngjarjet e mëdha, në kujtesën njerëzore, e cila formulon historinë e shkruar, ndonjëherë, për fat të keq, të përkujtohen si një “liturgji ceremoniale”, duke i larguar pak nga pak në vite nga substanca dhe madhështia e tyre…duke i kujtuar vetëm si një “Annus mirabilis”…

Ndërkohë, besoj sinqerisht në inversin e këtij deduksioni, në ndjesinë e kundërt me “harresën historike” – sa më shumë largohesh në vite, aq më shumë i afrohesh madhështisë së ngjarjes dhe, jo vetëm aq, por mund të nxjerrësh konkluzione dhe mësime më të qarta për dimensionin real, largpamjen, ndikimin në të ardhmen e njerëzimit…

I. Në fund të vitit 1987, menjëherë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Republikën Federale të Gjermanisë, u emërova ambasador në Bon, në atë kohë kryeqytet i vendit ende të ndarë. Pas takimit “normativ” me kryetarin e shtetit të asaj kohe, Ramiz Alia, në ditët e para të janarit të vitit 1988, mbërrita në qytetin e vogël të Bethovenit dhe Adenaurit, i mbështjellë me legjendë të lashtë, në qytezën e vogël të një makroshteti-makineri e mrekullisë ekonomike dhe demokracisë së thellë, reflektuar dhe rikonstruktuar me përkushtim nga historia e së shkuarës së errët dhe tragjike.

I pamësuar mirë me kontrastin e qytetërimeve të mbartura nga e kaluara, ende me një indoktrinim evident, me paragjykime e formulime të “dyshimta”, me një konstilacion ideologjik sektar, rrjedhojë e një izolacioni të theksuar nga bota e qytetëruar, ndieja vështirësi në përballjen që do të më imponohej nga ky kontrast që krijonte ballafaqimi midis dy realiteteve antagoniste dhe të pakrahasueshme objektivisht.

Por, diferenca e realiteteve, dallimi substancial midis tyre, ndryshon thellësisht botëkuptimin që ke mbartur në vite. Dhe kështu ndodhi…

Gjermania për mua ishte pa dyshim “hapësira” më e maturuar në fushën e dijes, e eksperiencës në hapat e formimit me një diplomaci dinamike dhe në respekt të idealeve europiane. Vendi i madh i gjermanëve; nuk e ekzagjeroj të them se shqiptarët, në çdo stad të historisë së tyre, kanë qenë të afeksionuar me këtë popull të madh dhe të veçantë, jo vetëm nga respekti për duart e tij “çudibërëse” apo për “deutsche perfeksionismus”, as thjesht për atë jehonë të shekujve dhe kohërave të shkuara, që kanë vibruar midis dramës, tragjedisë dhe mbijetesës; por dhe ndjenjën e fortë të shpresës, paqes dhe zhvillimit, të kalimit nga diktatura obskurantiste plot dhimbje dhe plagë kombëtare, në demokracinë aktuale nga më realet dhe më të prekshmet e kontinentit tonë, si një popull-demijurgi gjenive, që i kanë dhënë theks të pakthyeshëm zhvillimi progresist mbarënjerëzor. Është ky “kod irracional”, shpirtëror simpatie i ndërsjellë i dy popujve tanë, që shpjegon interesimin për themelimin shekuj më parë, të shkencës së albanologjisë në Gjermani, duke krijuar bazat e studimit të gjuhës, historisë, kulturës shqipe, duke kontribuar në njohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, origjinës së tyre të lashtë europiane, nga albanologë të shquar si Franz Bopp, Gustav Meyer, Norbert Jold etj.

Nuk është gjithashtu e rastit që Gjermania i ka dhënë Europës formatet filozofike të zhvillimit të sotëm demokratik. Immanuel Kant i Koenigsbergut, pothuaj dy shekuj më parë, ofroi idenë e shtetit liberal dhe të Perpetual Peace (Paqen e Përhershme) për kontinentin tonë, ndërkohë që Georg Hegel definoi frymën sociale të funksionimit të tij, Demokracinë Liberale, që sot, në mbarë Europën e Bashkuar, mund të konsiderohet si megaideologjia europiane e zhvillimit demokratik. Është po ky vend që i ofroi kapitalizmit tradicional përmbajtjen modern të përparimit, nëpërmjet “ekonomisë sociale të tregut”, të profesor Ludvig Erhardit, të Kancelarit gjerman që pasoi Konrad Adenhaurin, themeluesin e Gjermanisë së re, të dalë nga hiri i luftës.

II. Në 9 Nëntor kujtojmë rënien e Murit të Berlinit, që çoi në ribashkimin e popullit gjerman, ngjarje madhore, unikale në historinë e shekullit që lamë pas, një lëvizje tektonike që ndikoi jo vetëm në gjeopolitikën europiane, por edhe në atë mbarë botërore.

Sigurisht, kjo rrokullimë e menjëhershme e ngjarjeve nuk u përgatit në një ditë dhe as me “Deus ex machine”. Filozofët dialektikë të Athinës së Lashtë kanë definuar që “domosdoshmëria çan rrugë nëpërmjet rastësive”, duke i interpretuar “rastësitë” jo vetëm si një ndodhi “aksidentale”, por si ngjarje historike, si proces historik.

Fundi i vitit 1987, si pa ndierë dhe pa ditur, akumulonte ngarkesa që do t’i paraprinin megandryshimeve cilësore të paevitueshme, që do të tronditnin kontinentin tonë, por edhe gjeopolitikën përtej tij. U duk sikur askush nuk kishte ndonjë ndjesi se çdo të ndodhte më pas, në dy vitet që do të vijonin.

Në të vërtetë, flladi i lehtë i erës së ndryshimit paralajmëronte stuhinë përmbysëse të sistemit bivalent botëror. Analistët dhe politologët europianë kishin filluar të braktisnin dorëshkrimet rutinë mbi tryezat e tyre të punës, për të ndjekur më nga afër tempin e shpejtë të rrokullimës së ngjarjeve të paparashikuara.

* * *

Analiza e bërë në këtë 30-vjetor të kësaj ngjarjeje madhore, na jep mundësinë të konkludojmë që, ajo ishte pasojë e një procesi të gjatë historik, të një gjysmë shekulli të mbushur me tensione, të prodhuara pambarimisht nga politikat antagoniste të Luftës së Ftohtë, e cila gjeneroi në vite një zinxhir ngjarjesh dramatike, duke filluar me krizën e Berlinit në vitin 1953, që ishte një kërcënim real, jo vetëm për Republikën Federale të Gjermanisë, që vetëm pak vite më parë ishte themeluar, por kërcënonte gjithashtu dhe demokracitë perëndimore në tërësi. Në 1956 u mbyt me zjarr dhe gjak revolucioni hungarez, u vazhdua në 1968 me pushtimin e Çekosllovakisë nga ushtria sovjetike, duke i dhënë fund “Pranverës së Pragës”… Ndërkohë, Moska në vitin 1981 kërcënoi me invadim ushtarak Poloninë e Solidarnosit, duke vijuar në vitin 1991, kur armata sovjetike në Lituani ushtroi presion dhe përdori violencën kundër popullit të këtij vendi të pushtuar në vite.

Grumbullimet sasiore të ngjarjeve dinamike dhe të tensionuara çuan në domosdoshmërinë e ndryshimeve kualitative politike, si dhe në kulturën strategjike, në terrenin europian të veprimit, ato çuan gjithashtu në imponimin e një determinizmi historik ndryshimi.

…Jo rastësisht u hodh në tregun politik paneuropian ostpolitika gjermane, e cila ndikoi tërësisht në zhvillimet e pasluftës. Ajo ishte krijesë e mentorëve gjermanë të kohës, si një strategji afatgjatë në realizimin e ribashkimit të dy Gjermanive. Aspekti “personal” i krijimit të kësaj doktrine lidhet me një emër – Egon Bahr, i cili ishte miku më i afërt dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Willi Brandt. Bahr ishte anëtar i grupit informal “Brain Trust” (themeluar nga Willi Brandt, kur ishte kryebashkiak në Berlinin Perëndimor), këtij gjeneratori të ideve të reja në skenën e politikës gjermane të kohës. Etimologjia e këtij grupi nis me këshilltarë, akademikë dhe mentorë, formuar që në kohën e Presidentit amerikan Rusvelt, adaptuar në kushtet e politikave gjermano-perëndimore të pasluftës nga Willi Brandt.

Ostpolitika ishte formulim i një strategjie të re në drejtim të Lindjes komuniste, por edhe e taktikave diplomatike, nga të cilat u arritën rezultate konkrete në realizimin e një sërë traktatesh midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik, me shtetet e Europës Lindore dhe, sigurisht, me Republikën Demokratike Gjermane, e cila ishte qëllimi kryesor strategjik i kësaj doktrine.

Ostpolitika, në fillimet e saj, nuk u kuptua nga auditori i brendshëm politik gjerman, përfshirë edhe CDU-në, partia kryesore e linjës konservatore. Tensione u krijuan edhe brenda vetë SPDsë, Partisë Socialdemokrate të Brandt-it.

Te ne, në Tiranë, ostpolitika u konsiderua tradhti dhe shitje e interesave të Republikës Demokratike Gjermane, Bashkimit Sovjetik.

Në fakt, ndodhi ndryshe – ajo çoi në ribashkimin e Gjermanisë, pasi ostpolitika dhe “diplomacia e saj e komunikimit me Lindjen” dhanë rezultate në nënshkrimin e Traktatit midis Bonit dhe Moskës në gushtin e vitit 1970, që përgatiti rrugën e traktateve me të gjitha vendet e Europës Lindore.

* * * Në Bashkimin Sovjetik, Mikhail Gorbaçovi kishte trazuar ujërat e politikës së brendshme, deri tani tepër statike dhe të “pacenuara” ndonjëherë në tezat leniniste për shtetin dhe socializmin sovjetik, të paguxuara të preken nga ndonjë regjim në këtë vend që nga koha e Leninit dhe Stalinit, si dhe në rrafshin ndërkombëtar, politikën agresive të një superfuqie ushtarake.

Doktrina e Gllasnost dhe Perestrojka e udhëheqësit sovjetik, praktikisht vinte në diskutim jo vetëm sistemin socialist dhe filozofinë leniniste, por edhe krejt sistemin e sundimit të Bashkimit Sovjetik në Europën Lindore.

Në 6 korrik 1988, Gorbaçovi mori pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg. Në këtë organizatë, simbol i demokracisë në Europën Perëndimore, veç idesë së shprehur nga udhëheqësi sovjetik për “shtëpinë e përbashkët europiane”, u hap rruga e anëtarësimit të shteteve të reja nga Europa Lindore, deri në atë kohë anëtare të Bashkësisë Socialiste, pro sovjetike.

Ky hap shënonte plasaritjen e strukturave të nëndheshme të Luftës së Ftohtë midis dy sistemeve, që u thellua më tej në takimin e ideologut të Perestrojkës, Gorbaçov me Presidentin amerikan H.W. Bush në Maltë, në fund të nëntorit të vitit 1989.

Deklarata e përbashkët e Kancelarit Kohl dhe Presidentit sovjetik Gorbaçov, nënshkruar në Bon më 12 qershor 1989, mbi “Mbështetjen e vetëvendosjes kombëtare, reduksionin e përbashkët të armëve nukleare dhe forcave konvencionale”, në të cilën Kanadaja dhe SHBA-të do të kishin një rol të veçantë, dha sinjale substanciale që Europa i ishte afruar cakut përfundimtar të shpërbërjes së formateve gjeopolitike të pasluftës.

Sinergjia politike që krijuan këto doktrina në dy polet kundërshtare, çuan objektivisht në asgjësimin e sistemeve antidemokratike dhe diktatoriale në të gjitha hapësirat europiane. Ishte Francis Fukujama, që rënien e Murit të Berlinit e përcakton si “Fundin e historisë” dhe bashkë me të dhe fundin e Luftës së Ftohtë. Rënia e Murit të Berlinit shënon kulmin e finalizimit historik të ndryshimit. Në 26 dhjetor të vitit 1991, Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari zyrtarisht…

* * *

III. Jemi në kohën e një tronditjeje të fortë politike, që po lëkundte nga themelet bllokun Lindor. Në Gjermaninë Lindore, në qytetin Lajpcig, një muaj para 9 nëntorit, populli filloi organizimin; ndërmerreshin përgatitje si në kohë lufte. Familjet u lajmëruan që t’i merrnin fëmijët nga kopshtet dhe shkollat më parë se zakonisht dhe të mos kalonin nga qendra e qytetit. Ishin caktuar dhe pikat e emergjencës mjekësore. Të shumtë ishin ata që kishin frikë. Ishin akoma të freskëta ngjarjet në sheshin Tienanmen në Kinë. Ushtarët ishin në dilemë: si do t’i përgjigjeshin urdhrit për të gjuajtur mbi demonstruesit, që mund të ishin prindërit, vëllezërit, motrat dhe miqtë e tyre??!!

Demonstruesit në grupe të mëdha, me frymën e paqes dhe të shpresës, shprehnin dëshirën për ndryshim dhe me qirinj në duar, drejtoheshin drejt shtabit të Stasit me parullat: “Jo violencë”, “Ne jemi populli”.

Këto ngjarje, sa groteske aq dhe emocionuese, përshkruhen në librin “Qirinjtë pas Murit” të Barbara von der Heydt-bashkëshortja e mikut tim, bankierit të dëgjuar gjerman, Peter von der Heydt; ajo ishte amerikane, drejtore e Informacionit Legjislativ të Kapitol Hill. Kur ra Muri i Berlinit, ajo ndërmori një iniciativë private për të ndihmuar refugjatët nga Europa Lindore. Po ofrojmë disa pjesë të shkëputura nga libri i saj, për të qenë më pranë të vërtetës së këtyre zhvillimeve:

…Regjimi gjermano-lindor ishte në çorganizim. Honeckeri u shkarkua pa ceremoni dhe u zëvendësua nga Egon Krenz. Numri i demonstruesve në Lajpcig arriti në 300 mijë.

Qytetet, njëra pas tjetrës, po ndiqnin shembullin e Lajpcigut. Një komb ishte në këmbë, populli e kishte gjetur rrugën e tij.

…Ndërsa në Lajpcig, njerëzit në 9 nëntor, duke lënë Kishën e Nikolait, marshonin për të shtatën herë, por tani drejt qendrës. Ishte fundi i Republikës Demokratike Gjermane…. …

Në Berlin, në 4 nëntor 1989, një milion njerëz u mblodhën në Aleksanderplaz. Demonstruesit vazhduan drejt portës së Bradenburgut; nuk kishte provokacion, nuk kishte atakim. Një milion njerëz nëheshtje sinjalizonin se ata kërkonin ndryshim, por një ndryshim paqësor. Pesë ditë më vonë, Muri i Berlinit ra…

* * *

IV. Dhe në 9 nëntor bëhen 30 vjet nga kjo fitore e madhe – rënia e Murit të Berlinit. Ata që lindën në vitin 1989 kanë të njëjtën moshë me të, por edhe me demokracinë tonë ende të brishtë, duke krijuar një brez të Pasluftës së Ftohtë, pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe përmbysjes së sistemit botëror komunist.

Rrëzimi i Murit të Berlinit u dha popujve të Europës shpresë për një epokë të re historike të kthimit të besimit, të një sistemi botëror ku të mbizotërojë paqja, stabiliteti dhe siguria për të ardhmen.

Pas tri dekadave, konstatojmë që “Fundi i Historisë” i Fukujamës, duket se mbeti në sfondin e një idealizmi politik, të një dëshire ende të parealizuar në përmasat e përfytyruara nga analistët e kohës dhe të vetë popujve të kontinentit tonë plak, pasi “Lufta e Ftohtë” jep shenja se po rikthehet brenda dhe përtej Europës.

Ky vëzhgim analitik, ndonëse duket sikur venit optimizmin që solli fenomeni “Muri i Berlinit” në zhvillimet europiane dhe mbarëbotërore, përsëri nuk mund të anashkalohen tendencat e këtij “rikthimi historik” në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në demokracitë e reja, të krijuara menjëherë pas rënies së tij.

Në plan ndërkombëtar vihen re përpjekjet e Rusisë për një rikthim të një superfuqie me kërkesa dhe ambicie imperialiste. Veç “rrëmbimit” të Krimesë, ajo ushtron presion territorial dhe politiko-ushtarak ndaj Ukrainës. Ndërkohë, kërkon të zgjerojë prezencën politike në Ballkanin Perëndimor, duke ndërhyrë për ta veçuar apo ngadalësuar rajonin tonë nga procesi i integrimit europian. Duket mjaft evidente që Moska i shfrytëzon “idetë” provokative të “gërvishtjeve” të reja gjeopolitike në rajon, veçanërisht “propozimet” për shkëmbime territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat të çojnë në një destabilizim ciklik të pafund në rajon dhe përtej tij.

Nga ana tjetër, në marrëdhëniet e sotme ndërkombëtare, po flitet gjithnjë e më shumë për “shekullin e Kinës” kryesisht në Azi, por dhe prezencën e saj në rritje të “kujdesshme” dhe “graduale”, tani për tani me një “stand by -diplomacy”, që aplikon në rajonin tonë dhe në Europë në tërësi. Idetë e lançuara kohët e fundit për krijimin e një Shengeni të “veçantë” ballkanik, në vend të ndihmojnë procesin e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e bëjnë rajonin më të evidentuar për t’u larguar nga ky proces, duke e përfshirë atë në skema të tjera izoluese dhe të dyshimta, të diferencuara nga ideja e “shtëpisë se përbashkët europiane”.

…Kemi hyrë afërsisht në vitin e 30-të të sistemit demokratik në vendin tonë, e barasvlerë me kohën që duhet për fillimin e maturimit të brezit tëri. Dhe jemi përsëri në tranzicion. A të jetë mungesa e kulturës politike të elitës sonë e vetmja arsye që na çon drejt një riciklimi të një modeli shteti, që pa dyshim nxit kthim pas në standarde antidemokratike, në autokraci dhe deformime “joaksidentale”, apo padije a largim nga mësimet historike të rrezatuara nga Rënia e Murit të Berlinit?

Mendoj se ne po largohemi nga ky ideal, duke rrezikuar të rikthehemi në sistemet e vjetra, kundër interesave të popullit. Përse? Për elitat ekzistuese politike që kemi, që janë konservuar për të mos u ricikluar kurrë. Ndaj vazhdoj t’i përmbahem mendimit se pa u ndryshuar ato (e kjo nuk mund të bëhet me dekrete apo vendime partiake), është e vështirë të flasim për suksesin e reformave të nisura.

…Kemi hyrë afërsisht në vitin e 30-të të sistemit demokratik…

Shumë ujëra të lumenjve të zhvillimeve tona të brendshme kanë rrjedhur. Në shumë aspekte, ato kanë qenë vërtet të vrullshme, por për fat të keq, edhe vetëshkatërruese.

Ishim ne që përmbysëm sistemin, të cilit i shërbyem me përkushtim për të arritur në një të drejtë të barazisë sociale ëndërrimtare. Ishim po ne që ofruam zgjidhje të deformuara të sistemit demokratik. Dhe përse…?

Kjo kërkon përgjigje nga secili prej nesh, pavarësisht nga vendardhja dhe vendndodhja aktuale. Nuk duhet të humbin më kohë…brezat që vijnë nuk do të na e falin…

*Ish-ambasador në Republikën Federale të Gjermanisë

SHKARKO APP