Muzika shqiptare jehon në Londër
“Gëzimet e vajet e Shqipërisë së Jugut” në Teatrin Barbican në Britaninë e Madhe
Nga Dr. Xhoana Papakostandini
Londër, nëntor 2017. Të shtunën me 4 nëntor ndodhesha si jo rrallë herë në një nga sallat e qendrës prestigjioze kulturore Barbican, LSO St Luke’s, në Londër. E ulur në rradhën e parë, isha larg nga aty ku qenë ulur bashkëshorti e vajza ime, pasi, megjithëse biletat i kishim prerë një muaj më parë, kishim arritur të siguronim pothuajse vendet e fundit të lira e jo afër e afër. Megjithatë, isha e lumtur jo vetëm që isha aty, por edhe se nga vendi im mund të dalloja aq mirë motivet e qilimit shqiptar të shtruar në skenë. Ai detaj e bënte më të ngrohtë atmosferën në auditorin e mbushur plot në një mbrëmje të ftohtë londineze.
Në atë skenë, në shtëpinë e Orkestrës Sinfonike të Londrës, vinte për herë të parë grupi folklorik Saz’iso me një koncert të titulluar “Gëzimet e vajet e Shqipërisë së Jugut”. Këngëtaret përmetare, Donika Pecallari e Adrianna Thanou, të shoqëruara nga Robert Tralo e sazet e Korcës me violinë, lahutë e dajre, kënduan disa nga perlat e trashëgimisë sonë muzikore, si “Tana”, “Trendelinë”, “Te rrapi në Mashkullorë”, “A kanë ujë ato burime”, ndersa violinisti Aurel Qirjo e Telando Feto në klarinetë, mahnitën te pranishmit me meloditë virtuoze e kabatë tradicionale. Zëri i Donikës e Adriannës, sa të ndryshëm e aq të fuqishëm, krijonin harmoni prekëse e evokonin imazhet e pejsazheve malore shqiptare e lumenjve qe rrjedhin furishëm, ndersa tingujt e violinës e klarinetës mbushnin sallën me cicërima zogjsh e fëshferimë gjethesh. Lahuta e dajrja ishin ritmi i vetë jetës e historisë së atyre viseve.
Spektatorët, të mallëngjyer, shoqëronin meloditë herë vajtuese e herë të hareshme me duartrokitje e brohoritje, deri sa ne fund e gjithë salla shpërtheu në një valle korale tipike shqiptare qe rrethoi me ngrohtësi e gëzim artistët. Muzika autentike shqiptare ka vertetë fuqinë përfshirëse e hipnotizuese të transformojë një koncert në një festë të madhe. E si në një shtëpi plot me mysafirë, artistët u radhitën tek dera për të përcjellë e takuar cdo spektator, duke i shprehur mirenjohjen e emocionet e tyre për një mbrëmje aq të arritur. Ishin po aq të prekur sa edhe ne! Për ta qe një endërr e kthyer në realitet!
Historia e realizimit të këtij koncerti është e lidhur ngushtë me suksesin e tij. Ai mban firmën e producientit të famshëm Joe Boyd (i njohur si producienti i grupit Pink Floyd), e i detyrohet shumë vullnetit të tij për të bërë të njohur jashtë kufijve të Shqipërisë tingujt magjepsës të Sazeve. Joe Boyd ishte njohur me muzikën shqiptare në vitin 1988, kur në zyrën e tij paraqitet një muzikant nga Sheffield (Angli) me një video të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës të atij viti. Përtej kuriozitetit e dyshimeve se si personi nga Sheffield kishte arritur të shkonte në vendin më të izoluar të botës e të merrte me vete nje filmim të tillë, Joe surprizohet nga kostumet, meloditë e këngët e atij vendi plot mister. “Nuk kishte në Evropë asgjë që ti ngjante e aq ekzotike. Vendosa se një ditë do të arrija të shkoja në atë festival” – tregon Boyd në blogun e tij.
Ndërkohë, në vitin 2011, Dr Lucy Duran, etnomuzikologe e akademike në Londër, udhëton në Shqipëri e realizon një seri emisionesh radiofonike mbi muzikën tradicionale shqiptare për BBC Radio 3, si pjesë e një cikli të njohur si “Itineraret e Botës”. Por ja që në botën e artit e të muzikës, shtigjet kryqëzohen më lehtë: Lucy Duran e Joe Boyd janë miq e kolegë, e kështu në vitin 2014 ata udhëtojnë së bashku për në Shqipëri. Boyd realizon më në fund dëshirën e tij për të parë Festivalin e Gjirokastrës. Me ndihmën e ko-producienteve Edit Pula e Andrea Goertler në Shqipëri, e mbështetjen e Barbican Centre në Londër, e të tjerë, fillon rrugëtimi i gjatë i këtij projekti. Grupi Saz’iso krijohet enkas për këtë projekt e shumë prej artistëve shqiptarë janë përzgjedhur me ndihmën e ekspertes së muzikës tradicionale, Lucy Duran. Gjatë koncertit, qëllova ulur pranë saj e ko-producientes Andrea Goertler, e munda të shihja nga afër entuziazmin e kënaqësinë e njerëzve që kishin punuar fort për të bërë të mundur që kënga shqipe të jehonte në atë sallë madhështore në zemër të Londrës.
Në tetor të këtij viti, shtëpia diskografike e mirënjohur e muzikës tradicionale nga bota, Glitterbeat ka lëshuar në treg diskun e parë të Saz’iso, të titulluar “At least wave your handkerchief at me”. Eshtë hera e parë gjithashtu që një album me muzikë tradicionale shqiptare promovohet në Angli me një tour koncertesh. Nga 1 deri me 11 nëntor 2017, Saz’iso do të performojë në 10 qytete të ndryshme përfshirë Cambridge, Cardiff, Bristol e York, përvec Londrës.
Ky tour përbën një hap tjetër të cmuar në traditën e promovimit të muzikës shqiptare në Angli e interesit të botës së artit e audiencës më të gjerë për pasurinë tonë kulturore. Në vitin 2012, kompozitorja e mirënjohur bashkëkohore, Roxanna Panufnik ka krijuar “Vjeshta në Shqipëri” për veprën e saj “Katër Stinët e Botës” frymëzuar pikërisht nga kabatë me violinë e vajet e Jugut, vepër e cila është performuar nga violinistja e famshme britanike Tasmin Little dhe Orkestra Simfonike e BBC e është luajtur në një koncert premiere edhe në Tiranë, nga Orkestra Simfonike e RTSH e violinisti Lorenc Radovani.
Në dy edicionet e viteve 2013 e 2014 të koncerteve me titull “Notes on Albania” realizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Londër, perlat e muzikës shqiptare si Perëndeshë e Bukurisë, Moj e bukura Morenë, Kur më vjen burri nga stani e serenata korcare, Ta duam më shumë Shqipërinë, Shqipëri o vendi im, të interpretura nga sopranot shqiptare Ermonela Jaho, Inva Mula, Arlinda Morava, kanë pasur një sukses të jashtëzakonshëm tek publiku britanik e diplomatët ndërkombëtarë. Në edicionin e vitit 2014 në Kings Place, në Londër, kompozitori shqiptaro-britanik Thomas Simaku ka paraqitur premierën e tij botërore shkruar për violinistin e famshëm Peter Sheppard-Skaerved, frymëzuar nga pizzicato-t e ciftelisë, ndërsa “Vjeshta në Shqipëri” e Panufnik u ekzekutua në një formë të re për piano e violinë nga muzikantët shqiptarë Mariela Cingo e Eljon Vejsiu. Një tjetër vepër e Simakut, “Tre Këngë Shqiptare Folk”, është kënduar po atë vit në Kent nga Kori Kombëtar i të Rinjve të Britanisë së Madhe prej 120 vetësh.
Në tetor të këtij viti, dirigjenti shqiptar Olsi Qinami vuri në skenë për herë të parë në Britani, veprën “Arbëreshes sime”, të kompozitorit Fatos Lumani, interpretuar nga London City Philharmonic e solisti Shkëlzen Baftiari. Ndërsa në 19 nëntor, duo violinë-kitarrë e vëllezërve Jon e Nik Gjylaci performojnë në St Andrew’s Music Festival me një tjetër kompozim të Thomas Simakut me motive arbëreshe.
Trashëgimia jonë e pasur kulturore vazhdon të tërheqë e lërë mbresa të thella tek publiku ndërkombëtar për vlerat e saj unike e shprehjen e arritur të sentimenteve më të forta njerëzore – sic janë gëzimi e dhimbja – me gjuhën universale të muzikës. Por ajo merr sot një kuptim të ri edhe për ne shqiptarët, si dëshmi e memorie e rigjetur e një bote të thjeshtë bukolike nga e kaluara jonë që ruhet e ripërtërihet në vepra e forma të reja nga artistët tanë e të huaj për tu trashëguar tek brezat e ardhshëm.