“Na fal Avni, se nuk dimë çfarë bëjmë!

Nga Elidon Lama

Secili nga ne ka të afërm që nuk jetojnë më. Njerëz që jetojnë brenda nesh, në mendjet e në zemrat tona, të cilët i nderojmë, i përkujtojmë e i respektojmë. Ndoshta një gjysh, një prind, apo një të afërm. Njerëz që na kanë dhënë dashuri, dije, lumturi. Na kanë rritur, mësuar e edukuar. Njerëz që na kanë dhënë shpresë, na kanë mbështetur, na kanë dhënë jetë. Për ta ne do të bënim gjithçka, për ti kthyer sado pak nga dashuria e respekti që ata na kanë dhënë. Nuk do të lejonim kurrë askënd që të zbehte kujtimin e tyre apo të shkelte mbi figurën e tyre. Do përpiqeshim të bënim të mundur që emri dhe kujtimi i tyre të mbahej gjallë sa më shumë e sa më gjatë.

Në foto: Zhvendosja e bustit të Avni Rustemit në Libohovë, Shkurt 2018

Në të njëjtën mënyrë, ç’do komb apo ç’do shtet, ka bijtë e tij të shquar që i nderon e përkujton, të cilët me veprën e tyre kanë punuar e luftuar për të mirën e prosperitetin e vendit të tyre, për të ardhmen e mirëqenien e gjithë bashkëatdhetarëve. Këta njerëz nderohen e respektohen brez pas brezi, për tu siguruar se vepra dhe sakrifica e tyre nuk do të shkojnë dëm, e për të kujtuar gjithmonë se është falë veprës së tyre që sot ne jemi ata që jemi.

Çfarë do të kish ndodhur, kush do të ishim ne sot nëse nuk do të kishte qenë vepra e Ismail Qemalit, Gjergj Fishtës, Naim Frashërit, Petro Nini Luarasit, Gjergj Kastriotit…
Kush do të ishim ne sot nëse Avni Rustemi s’do të kish mbrojtur interesat e shqiptarëve duke qëlluar një tradhëtar që po shiste Shqipërinë për interes vetjak! Ndoshta do të ishim bij të një toke të rrëmbyer e harruar e ndoshta bij në ekzil të baballarëve të vrarë e masakruar. Mund të ishim njerëz me histori e me identitet të vjedhur. Të gjithë ne mund të ishim shqiptarë të Çamërisë e Shqipërisë me të njëjtin fat të hidhur!

Prandaj, si mund të vëmë në diskutim ne sot, pavarësisht bindjeve politike apo nivelit të arsimimit të gjithësecilit, se figura e Avni Rustemit meriton nderim dhe respekt, në ç’do kontekst e në ç’do rrethanë. Si mundet ne të vëmë në diskutim se monumenti i tij meriton të trajtohet me dinjitet e përulësi, sikur të ishte ai vetë, e ashtu sikurse përulemi para varrit dhe kujtimit të një të afërmi tonë.

Në varrimin e Avniut, patrioti dhe ideologu Halim Xhelo ka thënë: “Kombit Shqiptar për gjallërin dhe bashkimin e tij i duhesh një Profet dhe një Mekë e një Xherusalem. Ja, Profeti është Avniu dhe Meka e Xherusalemi për shqiptarin do të jetë varri i tij”.

Simbolet kombëtare janë identiteti ynë. Ato mbrohen nga shteti e nga të gjithë ne sepse na përfaqësojnë dhe përçojnë vlerat tona. Nqs flamuri ynë do të trajtohej pa respekt apo do të shkelej nga dikush, me të drejtë kjo do të krijonte një revoltë të madhe te të gjithë ne. Vetë ligjet dhe kodi penal nuk e lejojnë dhe e dënojnë këtë akt si “Thyerje të simboleve kombëtare”. Avni Rustemi është Hero i Shqipërisë, e për rrjedhojë është edhe simbol i yni.

Na fal Avni, se nuk dimë çfarë po bëjmë! Ti e bëre tënden, dhe për këtë meriton veç respekt. Tani e kemi rradhën ne të bëjmë tonën.”

SHKARKO APP