Nanoshkenca zbret në Tiranë, njësia shkencore që do bëjë bashkë mendjet e ndritura

Pakkush e di që nanoshkenca dhe nanoteknologjia janë teknologjitë pararojë të shekullit. Profesori i njohur shqiptar në universitetin e Barcelonës i cili jep mësim në Japoni dhe Shtetet e Bashkuara Arben Merkoçi është në krye të njësisë së sapokrijuar kërkimore-shkencore të nanoteknologjisë dhe nanoshkencës pranë Akademisë së Shkencave të ndryshe e quajtur Nanoalb.

Akademiku i nivelit botëror Merkoçi, thotë se nanoshkenca dhe nanoteknologjia aplikohet në fusha të ndryshme, që nga diagnostifikimi i sëmundjeve, monitorimi i ndotësve të mjedisit, tek energjia, apo edhe në transferimet teknologjike e industriale.

Njësia “Nanoalb” premton se do të bëjë bashkë mendjet më të brilante të trevave shqiptare për të dhënë një kontribut real në Shqipëri. Por edhe shteti duhet të investojë pasi shpresat për zhvillim janë të jashtëzakonshme.

“Ideja është që kjo njësi të koordinojë aktivitetet që zhvillojnë shqiptarët në nanoshkencë në Shqipëri dhe në trevat shqiptare. Nanoshkenca ka të bëjë me shkencën që merret me dimensione të vogla, një të biliontën e metrit. Dispozitivët që krijohen në këtë dimension përdoren në fushën e mjekësisë, mjedisit, industriale. Është shkenca e shekullit. Mund të ketë impakt të jashtëzakonshëm edhe në Shqipëri. Kjo është një fushë që kërkon investime. Duam t’i themi shtetit që kemi kërkues shkencorë, ata kanë nevojë për investim dhe qëllimi i kësaj njësie është të kërkoj investime nga ana e shtetit, institucioneve, fondacioneve. Ideja është që gradualisht të shikohet mundësia dhe e krijimit të një qendre, kuptohet dhe me projekte europiane. Ky është vetëm fillimi. Është një teknologji që po jep shpresa të jashtëzakonshme në botë”, deklaroi Akademik Arben Merkoçi, Koordinator i NanoAlb.

I pranishëm në seminarin e zhvilluar, rektori i universitetit “Luarasi” profesor Et’hem Ruka thotë se objektivi kryesor i aktiviteteve të lidhura me nanoteknologjinë, sot janë në fushat me rendësi jetike për njeriun. Ruka bën thirrje që të krijohet departamenti i Nanoshkencës.

“Mendoj se Akademia e Shkencave ka marrë një iniciativë shumë të mirë. Për ata që nuk e dinë nanoteknologjia merret me përpunimin e lëndës në nivel atomik, në nivelin e nanometrit. Është si të krahasosh një kokërr lajthie me rruzullin tokësor. Nanoshkenca si kulturë nuk transmetohet në Shqipëri. Ne nuk kemi ende një fakultet nanotekologjie. Unë i kam sugjeruar kolegëve të hapin departamentin e nanoteknologjisë, ne i kemi të gjitha mundësitë të ecim në këtë rrugë”, tha Prof. Et’hem Ruka.

NanoAlb-i do të ndihmojë në koordinimin dhe forcimin e aktivitetit në fushën e nanoteknologjisë të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi duke i hapur rrugën në të ardhmen, me ndihma të Komunitetit Evropian e organizmave të tjera, edhe krijimit të një qendre të specializuar në këtë fushë.

SHKARKO APP