Ndahet nga jeta akademikja Andomaqi Gjergji

 

Dje në datën 8 korrik 2015 në orën 19.10  u nda nga jeta në shtëpinë e saj në Tiranë, në kujdesin e familjarëve, etnologe e shquar, profesore dhe e para Akademike shqiptare zonja Andromaqi Gjergji (20 maj 1928- 8 korrik 2015).

Lindi në Korçë, ku kreu dhe shkollën e mesme. Në vitet 1947–1949 ndoqi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik Dyvjeçar të Tiranës dhe filloi punën në sektorin e etnografisë nëInstitutin e Shkencave. Më vonë plotësoi studimet e larta dhe u diplomua në degën e historisë të UT. Vijoi punën si etnologe në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, dhe më vonë në Institutin e Kulturës Popullore. Andromaqi Gjergji ka qenë studiuese e specializuar në fushën e veshjeve popullore shqiptare. Rezultatet e kërkimeve të gjata shkencore në terren (1949–1981) dhe të studimeve të saj i ka pasqyruar në një varg artikujsh dhe në veprën përgjithësuese: “Veshjet shqiptare në shekuj” (Tiranë, 1988).

Një numër studimesh të saj i kushtohen mënyrës së jetesës, kushteve materiale të jetës familjare e shoqërore, sidomos në fshat, duke trajtuar edhe disa mbijetoja të hershme. Një pjesë e tyre është përmbledhur në vëllimin: “Mënyra e jetesës në shekujt XIII–XX” (Tiranë, 2002). Është bashkautore në veprat:  “Histori e artit shqiptar” (1990), “Veshje Popullore Shqiptare – Albanian Popular Costumes” (vëll. I, 1999; vëll. III, 2005), “Albania a Patrimony of Europian Values” (2000), si dhe në tekstet mësimore: “Historia e artit shqiptar” (1990), “Veshje popullore” (1989) dhe “Ligjërata për etnologjinë shqiptare” (2001, ribotim 2005).

Andromaqi Gjergji është e para grua anëtare e ASHSH (1999) dhe një studiuese e rrallë në fushën e veshjeve popullore shqiptare. Me veprat studimore të saj, ajo i ka lënë vendit një pasuri të çmuar në fushën e etnologjisë shqiptare. Andromaqi Gjergji ka dhënë ndihmesë me vlerë edhe në fushën e muzeologjisë. Është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”. 

Ndarja e saj nga jeta është një humbje e madhe njerëzore dhe shkencore.  Por Ajo lë pas një vepër të madhe me vlerë kombëtare e më gjerë.  

Akademia e Shkencave e Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të Saj. 

SHKARKO APP