Ndahet nga jeta “Mësuesi i Popullit”, Mark Vuji

“Nderi i Lezhës”, Mark Vuji, emblema e arsimit dhe e studiuesit

Nga Jak Rrozhani

U nda nga jeta në moshën 84 vjeçare, personaliteti i arsimit dhe studiuesi, Prof. As. Dr, “Mësuesi i Popullit” Mark Vuji, njëri nga personalitetet e shquara të arsimit dhe studiuesi i përkushtua . Prof Mark Vuji, do të mbahet mend si njeriu i thjeshtë, komunikues dhe i dashur për të gjithë, sidomos për ata që kanë punuar me të, një shembull i gjallë i mësuesit, studiuesit dhe pedagogut të përkushtuar. Për 30 vjet me radhë, që nga themelimi, ai drejtoi me profesionalizëm e përkushtim të parin Gjimnaz të Lezhës, një vatër dijeje e studimi, ku i përgatitën drejtuesit dhe intelektualët në fusha të ndryshme, drejtor i shkollës 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti”, e i shkollës jo publike në Lezhë. Gjatë gjithë jetës së ti, ai shkruajti, studioi, mori pjesë në takime të ndryshme sidomos shkencore, duke e thënë fjalën dhe mendimin e tij që zinte vend si gur i rëndë e të shkruar me germa të arta, një shembull frymëzues e model për intelektualët, mësuesit e studiuesit. Bashkëpunëtor i vjetër shkencor, botues i shkrimeve pikante në organet e shtypit edhe revistave të kohës dhe medias së shkruar dhe vizive, studiues dhe botues i veprës dhe jetës së At Gjergj Fishtës, si ish-nxënës i shkollës së tij. Prof . Mark Vuji, do të mbahet mend nga qytetarët e tij, intelektualët, mësuesit, studiuesit, nxënësit e studentët, që moto të punës së tij pati rregullin, disiplinën, korrektësinë, profesionalizmin e studimin, që e karakterizonte në çdo hap të punës e të jetës së tij, komunikimi dhe respektimi i të gjithëve, ndihma e pakursyer që ai jepte, një model dhe simbol i njeriut të mirë, qytetarisë, mësuesit të talentuar, drejtuesit korrekt. Një personalitet erudit, që emrin dhe veprën e tij e shkroi dhe e skaliti me gërma të arta, bashkë me gruan e tij, mësuesen e merituar, Bukurie Kovaçi, emblemë e arsimit dhe e qytetarisë. Ceremonia mortore në nder të Prof. Mark Vujit, u organizua në hollin e Bashkisë Lezhë, me homazhe, kurora me lule dhe fjalët më të mira për të në librin e përshtypjeve nga qytetarë, intelektualë , deputetë, drejtues institucionesh, studiues, nxënës, studentë, të afërm etj. të cilët me dhimbje të thellë i dhanë lamtumirën e fundit njeriut të dashur. “Mësues i Popullit”, Mark Vuji, “Qytetar Nderi”, i Lezhës do të mbetet i gjallë në kujtesën qytetare, në Hotin që e lindi në 1930 e në Lezhën ku ushtroi aktivitetin arsimor e studimor dhe jetoi me ndershmëri.

SHKARKO APP