Ndahet nga jeta poeti dhe shkrimtari Qerim Ujkani

Në një takim përkujtimor të organizuar sot për nder të veprës së shkrimtarit dhe poetit Qerim Ujkani, i cili u nda nga jeta dje në moshën 78 vjeçare, krijues e studiues letrarë theksuan se vdekja e tij do të lë gjurmë të thella në letërsinë shqiptare.

Kryetarja e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Flora Brovina, tha se jetës së letrave në Kosovës, po i largohen çdo ditë shkrimtarë të mëdhenj si Qerim Ujkani.

“Qerim Ujkani prej sot nuk do të jetë në mesin tonë dhe plejada e shkrimtarëve të parë po zvogëlohet dhe kjo është një ndjenjë shumë e keqe kur po ndahemi nga i nderuari Qerim Ujkani, i cili mund të krijonte dhe të vepronte edhe një kohë. Megjithatë, ai do të ndodhet në mesin tonë me veprat e veta të cilat frymojnë gjeneratë pas gjenerate”, theksoi Brovina.

Ndërsa, kritiku letrar Hysni Hoxha, i cili ishte edhe mik i ngushtë i Ujkanit tha se “u nda prej nesh fizikisht poeti Qerim Ujkani, shoku dhe miku im besnik, është vështirë të kesh mikë besnik, miku besnik është i afërt si ata familjarët. Miku besnik dhe në kohë të vështira ta zgjatë dorën. Ky ka qenë shoku im, miku im. Kemi punuar 20 vjet në Radio Prishtinë, përpara kemi qenë studentë, para 50 vjetësh në Beograd, kemi qenë gjithmonë shok, gjithmonë të pandarë. Një jetë të tërë e kemi kaluar bashkë. Poezia ka qenë trajta e ekzistencës së tij. Gjithmonë kemi biseduar për letërsinë, gjithmonë kemi biseduar për çështjet kombëtare”.

“Ka kaluar më se një gjysmë shekull nga koha kur doli në skenë Qerim Ujkani si krijues letrar, si poet në radhë të parë. Përmbledhjet e para “Hullinat”, “Përralla e votëres”dhe “ Deti” ose “Poema e shqetësume” , i botoi në fillim të viteve 60’të. Por profilin e tij poetik, individualitetin, mund të thuhet që e formoj me “Pagëzime” në 1969 dhe “Pasthirrmë” në 1974, për të arritur në pikat më të larta artistike në vëllimet “ Lartësi Toke”, “ Hije e këputur” dhe “ Përball herëve”,”, tha Vinca.

Qerim Ujkani lindi në vitin 1937 në Pejë ku kreu shkollën fillore dhe të mesme, pastaj vazhdoj studimet në Beograd në Fakultetin Juridik. Ishte redaktor i emisioneve të letërsisë në Radio Prishtinë. Ai shkroi mbi 20 vepra letrare.

SHKARKO APP