Ndalimi i celularit , i shërben rritjes së cilësisë së punës në shkollë 

Nga  Ramazan  Sherja – Ka pak ditë që ka  filluar  viti i ri shkollor 2017-2018.Krahas përgatitjeve të prindërve dhe nxënësve për pajisjen me gjithë bazën e nevojshme material e tekstet shkollore, një përkujdesje e vecantë i duhet kushtuar raportit të nxënësit me celularin. Kohët e fundit Ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sportit, znj. Lindita  Nikolla  ka nxjerrë një Urdhër,  ku kërkon ndalimin e përdorimit të celularit në shkolla. Është ky një urdhër, jo vetëm i domosdoshëm, por do të thoja edhe disi i vonuar. Çdo shkollë  e ka të përcaktuar në Rregulloren e  saj ndalimin e  përdorimit të  celularit gjatë orës së mësimit,por deri tani ky nen i rregullores ka qenë evaziv  dhe përgjithësisht nuk është zbatuar.Opozita ashtu si  për çdo gjë të mirë që bën kjo qeveri,e shikon me syza të errëta , edhe këtë Urdhër  të ministres Nikolla, u mundua ta injorojë më filozofizma qesharake , se ky Urdhër  “është imitim i ligjit të nxjerrë nga parlamenti francez” se “ nuk është diskutuar në parlamentin tonë”, se  “duhej konsultuar paraprakisht me komunitetin e prindërve dhe nxënësve” se “akoma nuk ekzistojnë kushtet nëpër shkolla” për zbatimin e një urdhëri të tillë, e të tjeta mbroçkulla, sikur celulari për nxënësin të ishte jo pengues për orën e mësimit,por si oksigjen jetëdhënës. Liderët e opozitës që bëjnë deklarata  për vlerën e Urdhërit të Ministres, duhet të prononcohen hapur, është i dëmshëm apo i dobishëm  përdorimi i celularit në shkolla.Mbajtja e celularit  nga  nxënësi  gjatë procesit mësimor,i shërben   efektivitetit të orës së mësimit, apo e pengon realizimin e përmbajtjes cilësore të saj.Se sa i rrezikshëm  është celulari për nxënësin  dhe sa dëme i sjell përdorimi i tij procesit mësimor  edukativ dinë vetëm mësuesit e psikologët që janë për ditë me ta. Afërsisht para një viti në një shkrim të botuar në këtë gazetë bëra thirrje që të ngrihemi të gjithë në këmbë, e t’i shpëtojmë të rinjtë nga sëmundja e tmerrshme e celularit.Në lidhje me përdorimin e celularit nga nxënësi në shkolla ne nuk duhet të nisemi nga formalizmi se si përpilohet apo komunikohet një Urdhër, por nga efektiviteti  që ka aplikimi i tij  për të ndaluar rrezikshëmërine e veprimeve negative  në shkolla.Pse është i rrezikshëm përdorim pa kufizim kohor i celularit në përgjithësi dhe gjatë  procesit mësimor në vecanti për shkollarët? Së pari celulari është i rrezikshëm për shëndetin e nxënësit, pasi nëpërmjet valëve të tij ai përhap vetëm rreze kancerogjene dhe shkakton pasoja jo vetëm për shikimin e dëgjimin por për gjithë organizmin në përgjithësi. Duhet që celulari, jo vetëm të mos përdoret shpesh, por ai duhet të mos mbahet fare në trup.Nxënësi që gdhihet e ngryset me celular në dorë e kufje tnë vesh, vritet përditë nga pak ,pa e kuptuar rrezikshmërinë e ardhshme të tij për  shëndetin.Jeta e nxënësit   dhënë  verbërisht e pasionisht pas celularit, përqëndrimi në ekranin e tij dhe mbyllja e veshëve me kufje, gjatë udhëtimit, është e kërcënuar nga mjetet automobilistike dhe nga  objekte të tjera të rrugës..

Së dyti celulari ndikon negativisht në marrëdhënien e nxënësit me  librat.Nxënësit  në përgjithësi janë shkëputur fare nga librat e janë bërë dembela,duke kopjuar gjithçka të gatshme nga celulari. Shumica e nxënësve tanë sot  kanë harruar të hapin një libër apo  bëjnë diçka me dorën dhe mendjen e tyre. Celulari e ka shndërruar nxënësin në një kopjac formal,që rend pas formës ,pa i vënë rëndësi përvetsimit të koncepteve thelbësore të lëndës, mjafton të marrë notën kaluese   dhe sa më të lartë.Ulet nxënësi  në bangë,nuk hap as libër dhe  as fletore , por  kërkesat  e mësuesit i shënon në celular,ose i bën  foto formatit.Shtron mësuesi një problem në tabelë,dhe nxënësi  menjëherë hap celularin dhe nis kalkulimet sipas formulave të gatshme që  ka përgatitur dikush tjetër në internet.I ngarkon mësuesi nxënësit të  përgatisin një projekt, ku të shfaqin prirjet dhe aftësitë e tyre krijuese,e të jenë origjinalë  në  interpretimin e  fakteve,ata  pa vrarë mendjen fare ,të gjejnë burimet e informacionit , lexojnë letaraturë, apo të përgatiten teorikisht për zbërthim konceptesh, hapin celularin dhe nëpërmjet internetit bëjnë plagjiatura pa e kuptuar as vetë se shkruajnë.Zilet e celularit në orën e mësimit janë irrituese për gjithë klasën, pale më  kur nxënësi kërkon pa të keq të dalë nga ora e mësimit e të bëjë një telefonatë  me dikë!!  Së treti celulari është mungesë kulture dhe edukate në marrëdhënie me shokët dhe eprorët.Nxënësi që kalon gjithë orën e mësimit në celular, jo vetëm i bën keq vetes , por edhe shokëve,mjedisit ku jeton , sidomos kur ka dhe tipa të tillë të pandërgjegjshëm ,që të nxitur nga krapiçiozllëku i moshës , shfaqin edhe skena filmike me sekuenca erotike në klasë apo mjedise publike, që për nxënësin tjetër  të  edukuar, që iu ka përkushtuar dijes  është  ofesë e madhe e papërballueshme.

Së treti përdorimi pa kufi i celularit po dëmton rëndë komunikimin njerëzor,ndërlidhjen humanitare , bisedën e gjallë midis shokëve, midis moshave e brezave.Nxënësi i zhytur në cellular flet pa kufizim kohe, nuk është i predispozuar për të  dëgjuar, dhe  as nuk është i interesuar të japë mendime e të nxisë debatin që ia vlen në klasë apo në mjedisin shoqëror. Duke qenë i dhënë pas celularit nxënësi  po harron  se është në klasë , se ka përballë e mësuesin që  jep këshilla dhe  as i intereson të jetë aktiv në orën e mësimit. Duke përqëndruar vëmendjen në celular dhe duke mbyllur veshët me kufje, nxënësi harron se pranë ka shokun ,mikun, mësuesin e prindërin që kanë nevojë për komun ikim e shkëmbim mendimesh. I kapërdisur në sedilen e  autobusit,  rrëshqet gishtat mbi ekran dhe bën sikur nuk sheh  që  tek koka e tij  qëndron në këmbë gruaja shtatzënë ,i moshuari me bastun, apo një njeri tjetër  i sëmurë  .

Së  katërti  celulari është vrasje pa efektivitet e kohës mësimore në vecanti  dhe kohës së lirë në përgjithësi.Gjatë orës së mësimit nxënësi nuk vë në punë mendjen, por kthehet në robot e vihet plotsisht në  varësi  të  celularit. Kurse në kohën e lirë nxënësi  harron  se jasht ekziston një mjedis shoqëror, ka aktivitete sportive, dhe a ii shmanget ajrit të  freskët dhe shfletimin të një libëri që i duhet për një çlodhje të kulturuar. Urdhëri i Ministres Nikolla, jo vetëm do të ndalojë përdorimin e celularit gjatë procesit mësimor, por do të bëjë të mundur që i riu apo e reja të qëndrojë sa më shumë ,larg celularit edhe në kohën e lirë.Nën mbikqyertjen e rreptë të mësuesëve në shkolla dhe bashkëpunimin e ngushtë me prindërit e familjen, nxënësit patjetër që do t’i bëhet edukatë  përdorimi sa më pak i celularit.Sa për atë që ndonjë “filozof” i opozitës  qan hallin se nuk janë kushtet për mbajtjen e celularëve në shkollë, kjo është më e   thjeshta për tu realizuar.Në çdo shkollë gjendet një dhomë me dollapë apo sirtare, ku të depozitohen celularët,por rëndësi ka puna për ndërgjegjësimin e nxënësit. Por  është e mira që mbas këtij Urdhëri ,nxënësi nuk ka pse të mbajë fare celular në shkollë. E përse i duhet? Çdo mësues kujdestar mban numrin  e celularit të çdo prindi  të nxënësve të klasës që mbulon dhe  e sinjalizon atë për çdo problem e shqetsim që mund të dalë për  fëmijën e tij gjatë procesit mësimor. Shqiptari i joshur nga hapsirat që ka krijuar demokracia,ashtu si për çdo thithje të ethshme të cdo gjëje që vjen nga Perendimi, është turrur dhe është bërë maniak pas celularit, ngaqë ne jemi në hapat e para të futjes së teknologjisë dhe informacionit në çdo qelizë të jetës.Por nxënësi është në shkollë për të nxënë dhe për t’u edukuar, dhe në këtë aspekt duhet të mposhtë me vullnet të plotë joshjen  verbërisht nga celulari.Nxënësi me mendje e trup të shëndoshë, duhet të jetë superior ndaj celularit, se sado i sofistikuar që të jetë ai, prap është medja e njeriut që e ka krijuar atë….

SHKARKO APP