Ndërhyrja e Turqisë në punët e brendshme të shqiptarëve

Nga Marjana Doda – 

 Ky vit u cilësua si Viti Mbarëkombëtare i Skënderbeut , e që përkon me disa data e ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptarë.

Nisur me 17 Janar 2018, që shënonte 550-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Duke vijuar më10 Qershor 2018- përkujtuam 140-vjetorin e Themelimit të Lidhjes Kombëtare të Prizrenit. Ndërkohë me dt 14-22 Nentor -është 110- vjetori i Kongresit të Manastirit dhe përcaktimi i alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe. Jemi në virgjilje të 106- vjetorit nga shpallja e Pavarësisë e Shqipërisë , e cila u shpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Ndërsa ndihemi krenarë se para një shekulli u shkëputëm përfundimisht nga zgjedha pesëshekullore Osmane dhe patriotët e shquar formuan shtetin e pavaruar shqiptarë, historia po përsëritet, sot jemi më të varur se kurrë nga politika turke .

Shqipëria, Kosova ,Maqedonia (pjesa shqiptare) , që deri dje luftuan kundër okupimit osman , sot fatkeqësisht shohim se si po i nënshtrohen dhe po pranojnë me vullnet pushtimin e dytë të Turqisë. Po “pushtohemi” sërish, dhe pse ndryshe. Konçensionet turke, investimet kulturore-arsimore e fetare në Shqipëri , po rriten me hapa të shpejta , aq sa duket sikur “Turqia është ulur këmbëkryq në krahun e djathtë të oxhakut shqiptarë “(qeverisë) .

Diplomacia turke nëpërmjet ish-ministrit të Jashtëm Ahmet Davutoglu, botoi strategjinë neotomane; “Thellësia Strategjike- pozita Ndërkombëtare e Turqisë”. Kjo strategji po zgjon ëndrrën e vjetër që pas 100 vjetësh Turqia të kthehet sërish në perandori, ku një vend të veçantë zë dhe “pushtimi i butë i Ballkanit”. Ashtu si dikur, po përdor si armë muslimanizimin dhe investimet ekonomike për të krijuar pashallarë të rinj në kohë moderne. Për rolin aktiv të Turqisë në Ballkan, në librin e tij Davutoglu do citonte:” Një vend Anadollian, i cili nuk ka ndikim mbi zhvillimet në Ballkan, as mund ta ruajë tërësinë mbi këtë fushë gjeopolitike të ndjeshme, as mund të hapet drejt botës…Tani Turqia po duket se zotëron në Ballkan mundësi që ia sigurojnë përvojës historike mbështetur në trashegiminë osmane. Veçanarisht dy vende, Shqipëria dhe Bosnja, ku muslimanët aleatë të natyrshëm të Turqisë, janë shumicë, është shprehur vullneti për të kthyer këtë përvojë historike të përbashkët në një aleancë të natyrshme”.

Erdogan në vizitën e tij në Shqipëri në maj 2015, në një tubim ku kishte mbështetës nga Kosova, Maqedonia, Bosnja, Mali i Zi, i entuziazmuar do deklaronte:” Ne duhet ti dalim për zot unitetit dhe besimit tonë. Mos u ndani, mos u përçani dhe mos u bëni pre e lojrave që luhen mbi muslimanët”.

Gjithçka bëhet për të arritur synimet e tyre për të qenë çdo ditë e më shumë prezent në jetën e shqiptarëve. Përgatitje hoxhallarësh në shkolla turke, përhapje shoqatash e fondacionesh islamike, hapje bankash e biznesesh, hapje aeroportesh, televizione që pushtohen nga telenovela turke, Pra një pushtim ekonomiko-kulturo e fetar që përkthehet në “pushtimin e butë”. Kjo situatë më sjell ndërmend ata patriote të cilët dhanë gjithçka për atdhe, e sot kanë dalë disa “burra” që për hir të pasurisë e karrierës së tyre po shesin pasuritë kombëtare dhe çdo vlerë të vendit të tyre. Por jo vetëm kaq. Turqia po kërkon ti kthejë trojet shqiptare në një arenë të luftrave të brendëshme të saj. Lufta e egër mes liderit fanatik, diktatorit sulltan Rexhep Taip Erdogan dhe klerikut Fetullah Gylen (dhe ky i fundit me një rrjet të organizuar fondacionesh e institucionesh fetare e arsimore, me banka e etj, i akuzuar nga kundërshtari i tij për grusht shteti më 2016), i ka kaluar kufijtë. Erdogan ka humbur aq shumë kontrollin saqë kërcënon jo më kudërshtarët e tij, por dhe lider të vendeve të konsideruar mike prej tij. Pasi mori në kontroll dhe nën drejtimin e tij shërbimin sekret turk, po bën një luftë të paskrupullt.

Në muajin mars 2018 ky shërbim realizojë një operacion të fshehtë për kapjen e 6 përfaqësueve të lartë të FETO-s së Gylenit në Ballkan. Në një tubim të Partisë Zhvillim dhe Drejtësi në Stamboll ,Erdogan do të kërcënonte:” Agjensia Turke e Inteligjences në një operacion në Kosovë i kapi dhe i solli 6 nga këta përfaqësuesit e lartë të FETO-s në Ballkan. Por kam një pikëllim. Kryeministri i Kosovës i largoi nga detyra kreun e Inteligjencës dhe ministrin e Brendshëm. Unë tani pyes Kryeministrin e Kosovës. Me udhëzim të kujt more një hap të tillë? Prej kur fillove të mbrosh ata që u përpoqën të bëjnë grusht shteti Republikës Turqisë?”.

E pabesueshme! Si mundet që një President i një vendi të kërcënojë Kryeministrin e një vendi tjetër, për mënyrën se si ky i fundit zgjidh problemet e tij? Sikur politika kosovare të ishte në bllok, siç thotë populli, Erdoganit i duhej treguar “kufiri tek thana”. Por jo. Me përulësi, pse jo, siç bënte Porta e Lartë dikur, “përça e sundo”, gjithçka kaloi sikur të mos kishte ndodhur gjë.

Falë patriotizmit dhe guximit të vetë k.min Ramush Haradinaj, më 2 prill do ti kundërpërgjigjej: “Kosova dhe unë asnjëherë s’kemi ndërhyrë në punët e brendëshme të Turqisë, as në të kaluarën, as sot, as në të ardhmen. Punët tona të shtëpisë s’do mundet kush t’i bëjë në emrin tonë në Kosovë”.

Interesant është dhe rasti i reagimit për (mos) emërimin ambasador të Kosovës në Maqedoni të Kryetarit të Liberalëve të Kosovës, Z.Gjergj Dedaj, (jo Gjergj Kastrioti) i cili.mbanë dhe detyrën e zv.min.Jashtëm. Thjesht kjo pse turqit i ka krahasuar me serbët si pushtues që kanë kryer genocid.” Edhe njëherë! Turqia dhe Serbia plot 6 shekuj kanë qenë sundimtarë më të egër dhe pushtuesit më barbarë të popullit shqiptar. Ato kanë bërë krime dhe genocid në këto troje. Turqit dhe serbët e tashëm të Kosovës nuk duhet të ndihen krenar për atë kohë por duhet distancohen nga ajo kohë e nga ato krime barbare”- do shprehej z.Dedaj.

Lidhur me këtë qëndrim të tij do reagonte Partia për Lëvizjen e Turqëve në Maqedoni e cila me një letër dërguar min.Jashtëm Nikolla Dimitrov e Presidentit George Ivanov për mospranimin e letrave kredenciale deklaruan se:” Jemi kategorisht kundër që një person me mentalitet fashizoid dhe primitiv të jetë ambasador në vendin tonë…se do rezultojë negativisht në marrëdhëniet multietnike, por dhe në miqësinë mes Maqedonisë dhe Turqisë”. Në të njëjtën linjë u shfaq dhe përfaqësuesi i komunitetit turk përmes deputetit Fikrim Damka në parlamentin e Kosovës që i ka kërkuar k.min Haradinaj të shkarkojë zv.min Dedaj dhe kërcënojë se koalicioni nuk do të ketë votat e Grupit Parlamentar 6+. “Ne mendojmë se ky person nuk e meriton të jetë zv.mininstër, por as përfaqësues i ndonjë detyre shtetërore. Ai përmes rrjeteve sociale ka bërë edhe shpifje kundër Rexhep Taip Erdogan”- do presiononte Damka.

Parë në tërësi, ndërhyrja turke në Shqipëri, Kosovë por dhe në Maqedoni është evidente, aq sa nëse institucionet nuk kundërpërgjigjen, mund të sjellë pasoja dhe më të mëdha në të ardhmen. Jo më shume se më 13 maj 2018, Erdogan në një fjalim para studentëve të huaj nuk i ka kursyer kritikat ndaj vendeve që mbështesin lëvizjen e Fetullah Gylenit të cilin e konsideron armik të Islamit e Turqisë.” Ne avancojmë çdo ditë. Fondacioni ynë Maarif në Shqipëri vazhdon proçesin e marrjes së kontrollit ndaj institucioneve të atjeshme arsimore. Herët a vonë ne do ta shkatërrojmë këtë lëvizje. Ju pëlqen apo jo, Turqia do vazhdojë të jetë gjithnjë e më e fuqishme”- deklaroi ai.

Në vazhdën e kësaj lufte Presidenti turk në muajin tetor dërgojë në një tur ballkanik ministrin e Jashtëm Mevlut Çavusoglu. Duke shkelur çdo etikë diplomatike në vizitën e tij në Shqipëri, në konferencën e shtypit më 19 tetor me homologun shqiptar deklaroi se:” Pas tentativës për grusht shteti i kemi përcjell në mënyrë të qartë gjithë kërkesat në vijim të hapave për eleminimin e veprimtarisë së FETO-s. Turqia pret që të mbyllen institucionet antiturke në Shqipëri. Kjo është pritshmëria jonë”.

Ndërsa më shumë se diplomatike ishte reagimi ministrit Jashtëm Ditmir Bushati i cili do ti kundërpërgjigjej:”Përgjigja e shtetit shqiptarë është ajo që i kemi dhënë qoftë Turqisë, qoftë në planin ndërkombëtar. Shqiperia ka qenë ndër vendet e para që është solidarizuar me ato që kanë ndodhur në Turqi në rrethanat e grushtit të shtetit, por nga ana tjetër është anëtar i NATO-s dhe kandidate e BE-së dhe aderon në disa organizma të rregullta të përcaktura për ekstradime, ndaj çdo politikë e tillë ndiqet në mënyrë diplomatike dhe asesi në konferenca shtypi”.

Diplomati turk Davutoglu do të mbante të njëjtin qëndrim dhe të njëjtat fjalime dhe në Kosovë, por ndryshe nga reagimi zotit Bushati, atje reagojë vetëm Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut(KMDLNJ) lidhur me mbylljen shkollave të FETO-s dhe të dëbimit në Turqi të atyre që kanë kontribut në grushtin e shtetit atje. ” Kjo kërkesë e Ministrit Jashtëm të Turqisë, nëse është e saktë, është ndërhyrje flagrante në punët.e brendshme të një shteti të pavarur dhe sovran, dhe si e tillë është dashur të refuzohet menjëherë duke mos i dhënë fare mundësi ministrit turk që të bëjë një kërkesë të tillë e cila në thelb është kundër të drejtave të njeriut dhe kundër të gjitha dokumentave ndërkombëtare e kombëtare që sigurojnë dhe garantojnë strehimin për shak të përndjekjes politike…”- do deklaronte KMDLNJ, njëherësh duke kërkuar vënien para përgjegjësisë të gjithë atyre që ndihmuan strukturat turke ne rrembimin e 6 personave të FETO-s dhe që Kosova duhet të ruajë neutralitetin në konfliktin Erdogan-Gylen.

Nisur nga këto mendime e citime në këtë analizë por dhe të analistëve e politikanëve të ndryshëm, të krijohet qartazi ideja se Turqia po ndërhyn në punët e brendëshme të shqiptarëve, ndonëse vetë nuk toleron në asnjë mënyrë. Thjesht le të përmendim qëndrimin e k.min Binali Yildirim më 25.8.2015 në lidhje me reagimet ndaj ministrit Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel për kriteret që duhet të përmbushte Turqia për tu bërë anëtare e BE-së:” Të shikojë punët në vendin e tij. Mos të përpiqen ti japin mend e mësime Turqisë. Askush nuk ka pozicionin dhe të drejtën të përzihet në punët e brendëshme të Turqisë”- do të raportonte thënjet e tij Anadolli Agency.

E thënë ndryshe. Përderisa Qeveria turke e cila shkel hapur të drejtat dhe liritë e njeriut në vendin e saj, për më shumë nuk pranon ndërhyrje në punët e saj të brendëshme, dhe të qenurit shumë larg vlerave të një shoqërie të civilizuar evropiane, nuk duhet të ngatërrohet në punët e brendëshme të shqiptarëve. Shqiptarët janë orientuar qartazi dhe deklaruar haptazi për aderimin e tyre në një kohë sa më të afërt në Bashkimin Evropian, dhe se ky i fundit duhet t’iu ndihet pranë për të mos lejuar boshllëk turk.

Ndaj udhëheqësit dhe politikanët shqiptarë nuk duhet të bien pre e presioneve dhe manipulimeve turke por të vazhdojnë rrugën drejt familjes evropiane. “Telenovela” turke e ndërhyrjes në punët e brendshme të shqiptarëve duhet të ndalet, përpara se ajo të kthehet në dramë.

SHKARKO APP