Nderim e kujtim për shkrimtarin Resul Bedo, biografi i dëshmorëve…

Nga: Prof. Murat Gecaj/Të hënën u dha njoftim përmes stacioneve të TV-ve, se u nda përgjihnjë nga jeta, në Tiranë, në moshën 91-vjeçare, veterani e shkrimtari Resul Bedo, me origjinë nga Gjirokastra. Gjatë jetës së tij, sidomos në dhjetëvjeçarët e fundit, ai iu përkushtua shkrimeve e botimeve të ndryshme. Temë e rëndësishme e tyre ishin lufta për çlirimin e Atdheut, jeta e heronjve e dëshmorëve etj. Ai mori pjesë aktive në luftimet e zhvilluara, në Shqipëri e Kosovë, por dhe deri thellë në Jugosllavi, në përbërje të Brigadës së 6-të Sulmuese. Në ato vite, ai ishte dhe bashkë më vëllain tonë të madh, Xhemë Pjetrush Gecaj, me të cilin mbajti lidhje të ngushta, deri sa ky u nda nga jeta, në vitin 1990. Për këtë, Resuli ka shkruar dhe në librat e tij.

Me këtë rast, u shprehim ngushëllimet tona familjarëve e të afërmve, miqëve e dashamirëve dhe bashkëluftëtarëve të tij. Kujtimi dhe vepra e Resul Bedos do të mbeten gjatë në kujtesëën e brezave. Në nderim e kujtim të tij, më poshtë po ribotojmë një shkrim të disa viteve më parë, publikuar në faqet e gazetës “Mësuesi”, ku unë shërbeva për një kohë të gjatë.

***

Para pak ditësh, në redaksinë e gazetës sonë “Mësuesi”,  veterani e shkrimtari  Resul Bedo solli dy botime të reja: Vëllimin me jetëshkrimin e dëshmorëve, të titulluar “Yje të pashuar”-VII dhe romanin “Latifea”. Në këtë të fundit, ngjarjet zhvillohen në Bosnje. Flitet aty me frymëzim për jetën e Latife Çukgjinikasit, e cila sakrifikoi vetëveten për t’u shërbyer të plagosurve, shokëve të saj të llogoreve.

Ndërsa në librin e parë, autori nënvizon idenë se jeta dhe vepra e dëshmorëve janë të paharruara për brezat. Këtë e ilustron bukur me fjalët e  Qemal Stafës: “O Heronj! O martirë të Shqipërisë! Ju gjithmonë jeni pranë nesh. Emrat e kujtimet tuaja janë të pavdekshme. Historia, me shkronja të arta, do të përshkruajë heroizmin tuaj. Dhe çdo ditë do të gjunjëzohemi para kujtimit tuaj”.

Kombi, që nderon dëshmorët, nderon vetëveten. Ndër përmendoret për ta, është dhe seria e librave “Yje të pashuar”. Në librin e përgatitur nga shkrimtari R. Bedo, flitet për jetën e dhjetëra dëshmorëve. Ata janë nga krahina të ndryshme të Shqipërisë. Disa prej tyre janë vëllezër ose të afërm të një gjaku. Binjakë ishin Akile e Polo Bezhani, vëllezër ishin Jaha e Saliko Braja, Reshit e Muharrem Çollaku, Idriz e Reiz Bajo, Nexhat e Musa Agolli, Zenel e Shemzi Baboçi, Haxhi e Veliko Beqiri. Aty njihemi me këshilltarët e Hekalit apo trimat e rrëllë Mamdi Mëzezi, Nikolla Tupe, Ferid Xhajko e Hamid Shijaku, Midhi Kostani, Kiço Greço, Muhamet Gjollesha e Tofik Çanga; me malësorin Haxhi Avdyli, dy Heroinat Bule Naipi e Persefoni Kokëdhima dhe Foto Berberi… Gjashtë dëshmorë ishin nga familja Demaj… E përbashkëta e tyre ishte: Shokë të pandarë, të një ideali.

Ja, për lirinë dhe demokracinë e vërtetë e dhanë jetën e tyre të re edhe mjaft mësues të  paharruar. Ndër ta, ishte dhe Kristaq Capo, nga Berati.  Shërbeu ai me përkushtim në Korçë e Përmet dhe u brengos në zemër nga jeta e mjerë e njerëzve të thjeshtë. Prandaj rroku armët e luftoi për lirinë. Por e vranë fashistët. Ëndrrën rinore ua prenë në mes armiqtë edhe mësuesve: Seit Demiri, Margarita Tutulani, Ajet Xhindole, Frosina

Plaku, Hanko Gjata…

Por nuk e kursyen jetën e tyre të re as nxënësit.  Kështu, autori flet me krenari për trimërinë e djaloshit 14-vjeçar Ali Spahiu, për dëshmorin 15-vjeçar Thimjo Bllaci  e të tjerë. Për ata autori ka lënë një vend të posaçëm në libër, kur flet për  afër 30 “shqiponjat e vogla”, që lanë librat e fletoret dhe luftuan deri sa ranë dëshmorë.  Me mjaft interes janë dhe letrat e dorëshkrimet e dëshmorëve, që autori i vendos nga fundi i këtij libri, si dhe tekstet e këngëve kushtuar Heronjëve: Qemal Stafa, Mine Peza, Emin Duraku, “Dëshmorëve të Shkodrës” etj.

Ashtu siç shprehet dhe autori Resul Bedo, është detyrë atdhetare mbledhja e çdo kujtimi ose dokumenti, si dhe shkrimet e botimet për jetën e dëshmorëve tanë. Libri në fjalë, ashtu si dhe të tjerët të kësaj natyre, u shërben mësuesve tanë  për leximet jashtë klase dhe në veprimtaritë e ndryshme për edukimin atdhetar.

SHKARKO APP