Ndërmjet peizazhit dhe vizatimit, ekspozita personale e Mustafa Arapit

Nga Ilir Muharremi/   Në heshtje qëndron një kullë, pastaj në kanavacën tjetër një kishë, ca rrugica të ngushta , shkëmbinj, pemë, lumenj që rrokullisen, e që në disa kanavaca të tjera sipërfaqja e ujit është e heshtur, rrumbullakohen në veprat dy dimensionale të krijuesit nga Shqipëria Mustafa Arapi, që u ekspozuan ditë më parë në Galerinë e Ministrisë së kulturës në Prishtinë. Ekspozita titullohet “Rrugëtim në imazhin mesdhetar” në të cilën tablotë veçohen për nga trajtimi i ngjyrës, njollave, lëvizjeve, dritës, hijes dhe e tëra rrjedh nga skicimi momental i artistit, i cili shprehë imazhet e udhëtimeve të tija.

      Piktura e tij ka emocion, shije, tingull përfaqësohet nga ndjenja e cila fshihet në thellësi të çdo tabloje dhe çdo vepër ka një qasje moderne, pavarësisht a është punuar me shpakull, brushë, laps, thëngjill, motivi dhe koncepti ngrihen mbi klasiken.

    E para që ta rrëmben syrin është imazhi ndijor, sugjestiv, plot harmoni. Kurse e dyta shtresa e trashë e ngjyrave veçanërisht tek tabloja “Berat” (2004, 24×30 cm, vaj mbi kanavacë.) Në shikim të parë gama e ngjyrave duket e pastër, por në fakt vërejmë shkallëzim të toneve ngjyrore, grija, e verdha, bluja pulsojnë dhe japin imazhin ekspresiv-abstrakt. Qyteti është i ngulfatur me trashësi të ngjyrës, që duket se formon strukturë, dhe në thellësi të tablosë konkretisht në perspektiv arrihet drita të cilën e krijon me të bardhën, grinë dhe të zezën. Vepra tjetër “Durrës” (1987, 65×80 cm, vaj mbi kanavacë), veçohet për nga koloriti dhe kompozimi, çiltërsia, pastërtia dhe fluiditeti tonal i cili përmes shkallëzimeve të ngjyrave, herë primare, herë sekondare, dikund edhe neutrale, arrihet një shkrirje strukturore. Durrësi qëndron në nënqiellin gri (qielli është pa shkallëzim ngryror), i punuar në sipërfaqe me çdo detaj, dhe çdo pjesë e godinave është thurur detajisht dhe drita e cila qëndron tek fasada e jashtme e ndërtesave, shtëpive , dikund edhe në kulmet e tyre, është punuar me ngjyra të ngrohta (e kuqe, portokalli.) Nga kjo vepër ne e njohim si fakt Durrësin e ’87, porse me imagjinatë artistike, sepse nëse e kopjon realitetin ashtu si është, nuk ke krijuar vepër arti.

      Trajtim kryesor që ky artist e bënë në çdo vepër është vizatimi në pikturë, lirizmi poetik, me reflekse ekspresive, dhe çdo gjë e nisë nga motivi real, konkretisht me tablonë në fjalë me qëllim të zbukurimit arkitektonik.  Ja edhe një  tablo “Cassano-Itali”(2011, 50×70 cm, vaj mbi kanavacë) e zhytur në lumnajë ngjyrash të forta të shpakullës, e ngopur me bojë drejt një kompozicioni të tejmbushur, plot vrullime koloritesh, përmasash, godinash që renditen mrekullisht dhe krijojnë komoditet psikik tek vizitori. Fare mirë ndjej qëndrueshmërinë e  tyre dhe sfondi kompozicional nuk posedon ngarkesë, e as që është i ngulfatur me godina, përkundrazi është i spastruar, gjithnjë qëndron në kontrast me qiellin, sepse stoikisht rri me të verdhën ndriçuese, dikund edhe me të bardhën, por edhe grin. Qëllimi i pikturës është motivi, është shkas dhe nxitje për krijimin e hapësirës poetike dhe estetike. Është kjo mjeshtri prej vizatimi ku kemi linjën, konturet dhe detajet, përveç disa pemëve të cilat janë në formë kaosi dhe shtrëngate, me qëllim thyerjes ekspresive të kanavacës. Edhe ajri haset në këtë peizazh jo shumë imagjinativ dhe sulmohet nga një qiell jo shumë të zemëruar i përshkuar me blunë e fortë të mbylltë. Është i kthjellët e i thellë. Tabloja “Berat” (2011, 70×90 cm, vaj mbi kanavacë) veçohet për nga ngërthimi i hapësirës, trungjet e pemëve të ngulitura në mes planeve, veçanërisht atë të parë, janë stoike, plot gjallëri, energji, dinamikë, në lëvizje, krejt këto janë përjetime të artistit të gërshetuara me ngjyra, gjësende, forma të ndryshme, proporcione, ide, ndjenjë dhe realitet artistik. Rivelimi i planit të tretë, është soditja kompozicionale, e qytetit të vjetër të Beratit, të shtrirë horizontal, të krijuar edhe nga imagjinata e artistit, sepse arkitektura reale nuk përkon me atë në kanavacë, gjithnjë ngjyra, drita, hija krijojnë shprehje lirie tek artisti. Horizontalet e theksuara të shtëpive, në dimensionin e tretë perspektivës, flasin për një atmosferë reale nga shpirtërorja artistike, pa ndonjë imponim poetik, janë të ndërtuara me njolla të penelatave, të menduara, ekspresive, të furishme, dhe gjithnjë veçohet struktura e ngjyrës, raportet e valerëve, që rijnë qetësisht në kompozicion. Atje larg vizatohet një qytet, disa shtëpi, minare të xhamive, rrugica të ngushta dhe plot ngjarje. Bëhet fjalë për punimin e radhës “Gjirokastër” (2006, 30×24 cm, vaj mbi kanavacë). Tablo e pikturuar nga lartësia, e filtëruar nga përndritjet ngjyrore me kontraste të forta ndërmjet të bardhës, indigos dhe grisë, pastaj inkuadrohet e zeza neutrale e cila lind estetikën dhe zhvillon lojën. Ai edhe këtu na tregon mjeshtrin e vizatimit dhe njohjen e perspektivës. Ngjyrat dhe format në planin e afërt janë më të theksuara, përtej konkretes, derisa në sfond krijohet një sfumato, por rruhet thellësia e cila krijohet më zbehjen e ngjyrës.

     Ajo që u pa në këtë ekspozitë, rrëfen për një mjeshtri artistike duke e vë në pah vizatimin si element primar, pastaj imagjinatën dhe konceptin. Por, tek Arapi nuk kemi vetëm peizazhin kemi edhe cilësi kozmike, figurat unike të cilat nuk i gjejmë as në ëndërr e as në realitet dhe krejt kjo përplaset në kompozicionin bardh e zi, pastaj i veshët grija e cila është e ngjeshur mirë duke u shkallëzuar që kalohet në tonalitet. Shpesh herë format marrin imazh të çuditshëm, përçudnuar, e veçanta ngrihet tek drita e cila u jep më shumë ndjesi, sepse këto forma duken sikur të metalta nga shpërndarja e dritës. E tëra duket grafikë, por nuk është grafikë, është lojë, kërkim i vetvetes, dhe do thosha gjetje e saj, sepse kur gërshetohet e kaluara (historia), përplaset e ardhmja, dhe lind momentalja, nga një kombinim mjeshtëror, por zinxhiror.

SHKARKO APP