Nderohet Aleks Buda, busti i tij vendoset përpara Akademisë së Shkencave

Kryetari i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, studiuesi i shquar Aleks Buda “rikthehet” përfundimisht në shtëpinë e tij, në Akademinë e
Shkencave.

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur unanimisht, vendosjen e bustit të tij në lulishten përpara Akademisë së Shkencave, punuar nga skulptori Ilmi Kasemi. Ceremonia e përurimit do të zhvillohet nesër në orën 11:00.

Aleks Buda lindi më 1910 dhe vdiq në vitin 1993. Ai është personalitet i historiografisë dhe i kulturës shqiptare, kryetar i parë i ASHSH dhe Mësues i Popullit.

Lindi në Elbasan në një familje të njohur intelektuale. Shkollën fillore e kreu në Leçe, Itali; të mesmen në Zalcburg, Austri dhe studimet e larta në Fakultetin e
Filozofisë të Universitetit të Vjenës.

Më pas, 1939–1943, ai punoi si mësues në Liceun e Tiranës e në atë të Korçës. Mori pjesë në Lëvizjen ANÇ; më 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit ANÇ të
qarkut të Elbasanit. Në vitin 1945–1946 qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Ishte një ndër organizatorët e Institutit të Shkencave, ku drejtoi Sektorin e historisë
e të sociologjisë dhe dha ndihmesë në ngritjen e sektorëve të arkeologjisë e të historisë së lashtë, të historisë së mesjetës, të historisë së kohës së re, të artit mesjetar, etnografisë etj.

Me formimin më 1955 të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, Buda, si një ndër organizatorët e tij dhe punonjësit shkencorë më me përvojë, themeloi sektorin e
historisë së mesjetës dhe me këtë hodhi bazat e medievistikës shqiptare.

Me ngritjen e UT, ai u bë një ndër themeluesit e katedrës së historisë së Shqipërisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në Fakultetin e Historisë dhe të
Filologjisë. Punoi veçanërisht për përgatitjen e historianëve të rinj e sidomos të studiuesve të historisë mesjetare të Shqipërisë.

Si kryetar i ASHSH që në themelimin e saj, 1972 dhe si studiues me formim e kulturë të gjithanshme, historike, gjuhësore, arkeologjike, etnografike, të artit mesjetar etj. Buda dha një kontribut të çmuar në organizimin e punës kërkimore­shkencore.

SHKARKO APP