Ndërprerjet gjatë të folurit në debate televizive

Nga: Medina Mehmeti

Në këtë tekst shqyrtohen ndërprerjet e bisedave në debate televizive të realizuara nga burrat dhe gratë, pjesëmarrës në debatet që janë përzgjedhur rastësisht.

Për shkak të mungesës së literaturës shqipe në këtë fushë, pjesa teorike e punimit bazohet në përfundimet e nxjerra nga hulumtimet për gjuhën angleze, të kryera nga studiues amerikanë dhe britanikë.

Nga rezultatet e hulumtimit është vërejtur se burrat e kanë ndërprerë më shumë njëri-tjetrin gjatë të folurit sesa që i kanë ndërprerë gratë në debatet me të ftuar burra e gra.

Të dhënat që na janë dashur për këtë tekst janë nxjerrë nga gjashtë debate televizive, të cilat trajtojnë tema politike, shoqërore dhe ekonomike. Debatet janë shfaqur në televizionet e Kosovës gjatë viteve 2017-2018. Për ta realizuar hulumtimin kemi zgjedhur dy debate me të ftuar burra dhe gra, dy debate me të ftuar vetëm burra dhe dy debate me të ftuara vetëm gra. Në emisionin e parë të përzgjedhur për hulumtim, në debatet me të ftuar vetëm burra, pjesëmarrës janë pesë folës, ndërsa në emisionin e dytë katër folës, dmth. gjithsej do të analizohet të folurit e nëntë burrave. Numër i njëjtë i folëseve është edhe te debatet e përzgjedhura rastësisht me të ftuara vetëm gra: emisioni i parë pesë folëse, i dyti katër, dmth. gjithsej nëntë gra. Tek emisionet me të ftuar burra e gra, në emisionin e parë të përzgjedhur kemi tre burra dhe tri gra që marrin pjesë në debat, ndërsa në emisionin e dytë tre burra dhe dy gra. Në mënyrë që të analizohen numër i barabartë i subjekteve të të dy gjinive, kemi vendosur që në emisionin e dytë mos të përfshihet në hulumtim udhëheqësi i emisionit. Pra, tek emisionet burra-gra do të analizohet të folurit e pesë burrave dhe pesë grave.

Vlen të ceket se emisionet e përzgjedhura janë bërë pjesë e hulumtimit në mënyrë plotësisht të rastësishme, që do të thotë se nuk jemi përqendruar në zgjedhjen e individëve të caktuar, që u takojnë profileve të caktuara, apo diçka e tillë. Emisionet e përzgjedhura janë të qasshme për këdo, sepse janë të publikuara në “Youtube”.

Zakonisht nëpër debate diskutohen çështje që i bëjnë pjesëmarrësit të harrojnë se janë para kamerave dhe të flasin në mënyrë më të shkujdesur duke mos i kushtuar shumë rëndësi radhës në bisedë e elementeve të tjera të rëndësishme. Kjo bën që debatet të zhvillohen spontanisht dhe na ndihmon të nxjerrim të dhëna më të sakta.

Studimet e gjuhës në raport me gjininë janë nisur duke u bazuar në stereotipa si: gratë flasin më shumë se burrat, gratë përdorin shprehje më të mirësjellshme, normat e prestigjit ndikojnë më shumë te gratë se te burrat, gratë përdorin më shumë forma standarde sesa burrat etj.

Adelaide Haas në vitin 1979 ka publikuar një artikull me titull “Male and Female Spoken Language Differences: Stereotypes and Evidence”, në të cilin ka përmbledhur stereotipat më të shpeshta të përmendura në studime nga hulumtues të ndryshëm. Në artikullin e saj shkruhet se burrat konsiderohen më fjalëpakë, përdorin forma jashtë standardit, flasin më shumë rreth sportit, parave dhe biznesit dhe më shpesh i referohen kohës, hapësirës, lëvizjeve fizike dhe objekteve (1979: 616). Ajo studimin e vazhdon duke shkruar se burrat njihen që përdorin më shumë zhargon, pasthirrma dhe se bëjnë gjykime armiqësore e përdorin gjuhën për të debatuar, argumentuar dhe komanduar. Ndërkaq, sa i përket të folurit të grave, sipas përmbledhjes së autores Haas, gratë janë shpesh më inkurajuese, të sjellshme, flasin më shumë për shtëpinë dhe familjen dhe përdorin më shumë fjalë që nënkuptojnë ndjenjën, vlerësimin, interpretimin dhe gjendjen psikologjike (Haas 1979: 616).

Për ta pasqyruar stereotipin e njohur se gratë flasin shumë dhe i ndërpresin burrat, Tannen ka përmendur një barsoletë në studimin e saj: “Një grua i kërkon divorc bashkëshortit. Kur gjyqtari e pyet pse dëshiron divorc, ajo shpjegon se burri i saj nuk i ka folur që dy vjet. Gjykatësi pastaj e pyet burrin: ‘Pse nuk keni folur me gruan tuaj që dy vjet?’ Burri përgjigjet: ‘Nuk dua ta ndërpres atë’”.

Në fakt, Tannen (1994) shpjegon se gjetjet e hulumtimeve të shumta kanë treguar që burrat janë ata që i ndërpresin më shumë gratë.

Edhe Dale Spender në studimin “Man Made Language” (1985), njëjtë sikur Tannen, thekson se matjet në bisedat e gjinive të përziera kanë vërtetuar se burrat janë ata që ndërpresin gratë.

Ronald Wardhaugh në librin e vet “Introduction to socio-linguistics” në përgjithësi i kundërshton stereotipat e njohura për dallimet në të folurit e burrave dhe grave. Ai mendon se të folurit e burrave dhe të grave ndryshojnë për shkak se djemtë dhe vajzat rriten në mënyra të ndryshme dhe se burrat e gratë shpesh luajnë role të ndryshme në shoqëri.

Radha në bisedë, ndërprerjet

Gjatë një bashkëbisedimi të thjeshtë apo ndonjë debati formal e joformal, për t’u përcjellë qartë mesazhi i synuar, pjesëmarrësit duhet të flasin me radhë. Respektimi i radhës u mundëson të gjithë folësve të jenë pjesë aktive e bisedës.

Për rolin e radhës në bisedë vend të rëndësishëm në studimin e analizës së diskursit ka zënë punimi “A Simplest Systematics For The Organization Of Turn-Taking For Conversation” (1974), përgatitur nga Harvey Sacks (Universiteti i Kalifornisë, Irvine), Emanul A. Schegloff (Universiteti i Kalifornisë, Los Angeles) dhe Gail Jefferson (Universiteti i Pensilvanisë).

Autorët e këtij punimi, në bazë të hulumtimeve të tyre, duke përdorur audioincizime të bisedave spontane, kanë synuar ta sqarojnë organizimin e radhës në bisedë. Ata pohojnë se organizimi i radhës ka rëndësi themelore në bisedë, si dhe në sisteme të tjera të të folurit si intervistat, takimet, debatet, ceremonitë e ndryshme etj.

Sack, Schegloff dhe Jefferson, radhën në bisedë e përkufizojnë si “forma themelore e organizimit të bisedës” (Sack et al 1974: 700). Ata kanë përpiluar disa fakte, të cilat, sipas tyre, duhet t’i përmbajë një model i radhës në bisedë:

1) Ndërrimi i folësit përsëritet, ose të paktën ndodh;
2) Në pjesën më të madhe, një palë flet në një kohë;
3) Dukuria e më shumë se një folës në një kohë është e zakonshme, por e shkurtër.
4) Tranzicionet (prej një radhe në tjetrën) pa pengesa dhe mbivendosje janë të zakonshme;
5) Rendi i radhës nuk është fiks, ndryshon;
6) Gjatësia e radhës nuk është fikse, ndryshon;
7) Gjatësia e bisedës nuk është e specifikuar paraprakisht;
8) Ajo çka thonë palët nuk është e specifikuar paraprakisht;
9) Shpërndarja relative e radhëve nuk është e specifikuar paraprakisht;
10) Numri i palëve mund të ndryshojë;
11) Biseda mund të jetë e vazhdueshme ose jo;
12) Teknikat e zhvendosjes së radhës janë të përdorshme. Folësi aktual mund ta zgjedhë folësin tjetër (kur ia drejton një pyetje palës tjetër); ose palët mund të vetëzgjedhen në fillim të bisedës;
13) Mekanizmat riparues ekzistojnë për t’u marrë me gabime të radhës, p. sh., nëse dy palët flasin në të njëjtën kohë, njëra palë do të ndalet, pra duke e riparuar problemin (Sacks et al, 1974: 701).

Nisur nga këto fakte, mund të themi se radha në bisedë varet plotësisht nga vetë palët që marrin pjesë në bisedë apo në debat. Këto karakteristika u përshtaten qoftë bisedave të përditshme, ashtu edhe debateve formale dhe ceremonive të larta.

Majlinda Bregasi në studimin “Përtej debatit politik” për termin “radhë në bisedë” ka cituar përkufizimin e Fasulo dhe Pontecorvo-s (1999: 39) dhe të Franceschini-t (2008: 30): “Njësi e vëzhgueshme që thjesht përkon me gjithë diskursin që një folës i vetëm realizon deri në fund të fjalës së vet” (Bregasi, 2015: 51). “Radha në bisedë është njësia bazë e ndërveprimit gjuhësor dhe tregon atë hapësirë kohore në bisedë që i takon një folësi” (Franceschini 2008: 30, cit. te Bregasi 2015: 52).

Sacks, Schegloff dhe Jefferson bëjnë një krahasim ndërmjet ngjarjeve si ceremonitë e ndryshme dhe debateve sa i përket respektimit të radhës së bisedës. Sipas tyre, ajo çka folësit thonë në debate nuk është e specifikuar paraprakisht, për dallim nga ceremonitë e ndryshme, ku ajo çka thuhet nga pjesëmarrësit mund të jetë e përgatitur.

“Në debate, radha në të cilën pjesëmarrësit flasin është direkt e lidhur me karakterin e asaj që ata thonë, palët karakterizohen si ‘pro’ dhe ‘kundër’, dhe radhët në të cilat flasin si ‘kundërshtim’ dhe ‘antikundërshtim’” (Sacks et al 1974: 710).

Megjithatë, gjatë bisedave, qofshin ato formale apo joformale, bashkëbiseduesit jo gjithmonë e respektojnë radhën e të folurit. Kur ka dy e më shumë folës, shpeshherë ka ndërhyrje dhe ndërprerje të fjalës të personit i cili është duke folur nga bashkëpjesëmarrësit e tjerë, edhe pse për të pasur një bashkëbisedim të mirëfilltë dhe të kuptueshëm duhet të respektohet radha e bisedës nga pjesëmarrësit në diskutim.

Ky tekst përmban sqarime për termat radha në bisedë, ndërprerjet dhe mbivendosja. Përfshihen edhe mendime të studiuesve, të cilët kanë hulumtuar biseda me folës të të dy gjinive, lidhur me atë se a i ndërpresin më shumë gratë burrat gjatë bisedave, apo është e kundërta. Ne do të nisemi nga stereotipi i njohur se gratë janë ato që flasin më shumë, prandaj rrjedhimisht edhe i ndërpresin më shumë dhe më shpesh bashkëbiseduesit.

Studiuesit që kanë trajtuar çështjen e ndërprerjeve në bisedë janë Don Zimmerman dhe Candace West, të cilët në punimin e tyre të publikuar në vitin 1975 “Sex Roles, Interruptions and Silences in Conversation” kanë pasur për qëllim t’i hulumtojnë bisedat dypalëshe ndërmjet burrave dhe grave, për të ardhur në përfundim se cila palë e ndërpret më shumë tjetrën. Hulumtimin e tyre e kanë bazuar në modelin e radhës të Sacks-it, për të cilin diskutuam më lart.

Ata theksojnë se në biseda, ndërprerjet, mungesat në rrjedhën e bisedës dhe mungesa e vëmendjes janë të zakonshme. Në punimin e tyre raportojnë pabarazitë ndërmjet burrave dhe grave lidhur me modelet e ndërprerjes, heshtjes dhe mbështetjes së partnerit në zhvillimin e temave të diskutimit.

Zimmerman dhe West kanë theksuar rolin e gjuhës dhe strukturës së saj në organizimin e marrëdhënieve shoqërore në përgjithësi dhe, nisur nga kjo pikëpamje, karakteristikat e marrëdhënieve ndërmjet burrave dhe grave.

Për radhën në bisedë, Zimmerman dhe West (1975: 107) thonë se ajo konsiston jo vetëm në kohëzgjatjen e përkohshme të një shprehjeje, por edhe në të drejtën (dhe obligimin) për të folur që është e caktuar për një folës të veçantë.

Modeli “Sacks et al”, në të cilin janë bazuar Zimmerman dhe West për studimin e tyre, përfshin disa rregulla të cilat e rregullojnë radhën gjatë bisedës.

Sipas këtij modeli, çështja primare për ndërrimin e radhës së të folurit është të dihet nëse folësi aktual e ka zgjedhur folësin e ardhshëm. Folësi aktual mund ta zgjedhë folësin e ardhshëm nëpërmjet disa teknikave siç është, për shembull, adresimi sipas emrit, ose duke i drejtuar pyetje, me ç’rast forma e adresimit ose pyetja është e ndërtuar si pjesë e njësisë, kufiri i së cilës shënon vendin e ndërrimit të ardhshëm. Nëse folësi i ardhshëm zgjedhet nga folësi aktual në atë kohë, atëherë folësi i sapozgjedhur ka të drejtën dhe obligimin për të folur. Nëse folësi i ardhshëm nuk është përzgjedhur nga folësi aktual, ekziston mundësia që folësit e tjerë të vetëzgjedhen. Gjatë vetëzgjedhjes mund të ndodhë që dy e më shumë persona të fillojnë të flasin njëkohësisht, me ç’rast e drejta për të folur i takon atij që ka filluar i pari të flasë. Në rast se askush nga folësit nuk merr nismën për të folur, pra nuk vetëpërzgjedhet, folësi aktual mund të vazhdojë të flasë, por nuk është i detyruar ta bëjë këtë.

Ky model, sipas Zimmerman-it dhe West-it, siguron fillimin, vazhdimin dhe ndërrimin sistematik të radhëve në biseda.

“Për më tepër, sistemi thuhet se ‘administrohet nga palët’, dmth. rendi dhe gjatësia e radhës kontrollohet nga palët e përfshira në bisedë, të cilët ushtrojnë mundësitë e dhëna” (Zimmerman dhe West 1975: 111).

Në studimin e tyre, Don Zimmerman dhe Candace West (1975) gjetën se 98 % të ndërprerjeve në bisedat me gjini të përzier ishin bërë nga meshkujt.

Don Zimmerman dhe Candace West (1975) bën dallimin midis një ndërprerjeje dhe një mbivendosjeje. Një mbivendosje, sipas tyre, ndodh kur një folës i dytë fillon të flasë para se folësi i parë përfundon, por në një pikë që mund të gabojë për një vend të rëndësishëm për kalimin – për shembull gjatë rrokjes përfundimtare të asaj që mund të jetë një fjali e plotë. Me fjalë të tjera, mbivendosja parashikon një radhë të re.

Dale Spender (1985) i ka cilësuar interesante përfundimet e këtyre studiuesve. Ajo thotë se të gjeturat e tyre na çojnë në përfundimin se “meshkujt e mohojnë statusin e barabartë të grave si partnerë bisedues në lidhje me të drejtën për shfrytëzim të plotë të radhëve të tyre dhe mbështetje për zhvillimin e temave të tyre” (Zimmerman dhe West 1975: 125, cit. te Spender 1985: 43).

Coates (2013) i cilëson ndërprerjet shkelje të rregullave të radhës së bisedës. Sipas saj, ndërprerjet thyejnë simetrinë e modelit bisedor, sepse ndërprerësi pengon folësin ta përfundojë radhën e tij dhe, njëkohësisht, fiton radhën për vete. Ndërkaq, për mbivendosjet Coates thotë se ato janë raste të parashikimit të lehtë nga folësi i ardhshëm.

“Mbivendosjet janë raste të një parashikimi të lehtë nga folësi i ardhshëm. Në vend se të fillojë të flasë menjëherë pas radhës së folësit aktual, folësi i ardhshëm fillon të flasë në fund të radhës së folësit të tanishëm, duke mbivendosur fjalën e fundit (ose një pjesë të saj)” (Coates 2013: 113).

Penelope Eckert dhe Sally McConnell (2003) mendojnë se ndërprerja dhe mbivendosja mund të jenë strategji për mbë-shtetjen e kontributeve të të tjerëve dhe studimet e stilit të bisedës së grave kanë treguar se gratë përdorin shumë këtë strategji në biseda informale.

“Derisa mbivendosja mund të jetë në mënyrë të qartë mbështetëse, është gjithashtu e vërtetë që një person mund të ndër-presë një tjetër vetëm për qëllimin e shfaqjes së dominimit. Modelet e dominimit priren të përqendrohen në dominatorin, kështu që mbivendosja aktuale shihet si një lëvizje dominuese” (Eckert dhe McConnell, 2003: 112).

Sipas Majlinda Bregasit (2015), pjesa më e madhe e mbivendosjeve që ndodh gjatë ndërrimit të radhëve janë pengesa vetëm në dukje, pasi ato shfaqen në mënyrë të tillë që shfaqin qartë se bashkëbiseduesit i njohin rregullat në bisedë dhe orientohen pikërisht nga ato.

Ndërprerjet në debate me të ftuara vetëm gra

Fillimisht do t’i analizojmë ndërprerjet e prezantueses së emisionit të parë. Gjatë analizës kemi vërejtur se ajo ka ndërprerë shumë shpesh rrjedhën e bisedës. Shumicën e herëve ndërprerjet e saj kanë qenë një lloj miratimi i mendimit të folëses aktuale. Ka pasur raste kur ndërprerjet e saj kanë qenë me qëllim që t’ia japë fjalën një folëseje tjetër ende pa e mbaruar plotësisht mendimin folësja aktuale.

Ndërprerjen e parë e kemi vërejtur kur ajo ka kërkuar informacion shtesë nga folësja, duke kërkuar nga ajo të marrë një shembull rreth asaj që po e tregonte. Pra, ajo e ndërpret folësen duke thënë “për shembull”, me ç’rast folësja i përgjigjet duke dhënë shembuj konkretë.

Dymbëdhjetë raste të ndërprerjes janë kur Folësja 1 përdor shprehje si “po”, “e qartë”, “e vërtetë”, “patjetër” për ta mbështetur mendimin e folëses aktuale. Njëmbëdhjetë raste të ndërprerjes janë kur Folësja 1 shton komente që e mbështesin mendimin e folëses aktuale, duke u përpjekur të japë informacion shtesë apo të tregojë diçka nga përvoja personale, madje në një rast ajo edhe kërkon falje për ndërprerje. Katër raste të ndërprerjes janë vërejtur kur prezantuesja është përpjekur ta ndërrojë temën e bisedës apo ka dashur t’i parashtrojë pyetje një folëseje tjetër, jo asaj që ishte duke folur. Katër raste të mbivendosjes, kur Folësja 1 ka shtuar ose ndonjë shprehje miratimi apo ka përsëritur fjalët e fundit e parafolëses në shenjë miratimi. Pra, gjithsej kemi 27 raste të ndërprerjeve nga Folësja 1 dhe 4 raste të mbivendosjes.

Folësja 2 ndërhyn tri herë gjatë kohës kur Folësja 2 e ka radhën e të folurit. Ndërprerja e parë ndodh kur prezantuesja fillon t’ia bëjë një pyetje dhe ajo e ndërpret fjalën e prezantueses dhe fillon të përgjigjet pa e përfunduar ende ajo pyetjen. Ndërprerja e dytë realizohet kur ajo kërkon sqarime shtesë për pyetjen e prezantueses. Ndërkaq ndërprerja e tretë është koment për mendimin e parafolëses.

Folësja 3 ndërpret gjashtë herë pjesëmarrëset e tjera në debat. Ndërprerja e parë dhe e dytë realizohen gjatë përgjigjes në pyetjet e prezantueses. Folësja 3 përgjigjet ende pa e përfunduar fjalën folësja paraprake. Ndërprerja e tretë dhe e katërta vërehen kur folësja mundohet të tregojë mbështetje për mendimin e folëses aktuale duke shtuar një koment për çështjen në fjalë. Ndërprerja e pestë dhe e gjashtë ndodhin kur folësja inkuadrohet me një shembull konkret nga përvoja e saj për ta mbështetur mendimin e folëses aktuale.

Te Folësja 4 ndërprerja e parë ndodh kur ajo nuk pret që prezantuesja e emisionit ta përfundojë pyetjen e saj për të dhe fillon të përgjigjet. Gjatë ndërprerjes së dytë, folësja shton një koment për mbështetjen e mendimit të folëses aktuale. Te ndërprerja e tretë, Folësja 4 fillon të japë shpjegime shtesë që lidhen me fjalën e folëses aktuale.

Te debati i dytë, derisa Folësja 2 është duke folur për një çështje të caktuar, Folësja 1, e cila është gazetarja që i bën pyetjet, ndërhyn duke e ndërprerë tri herë atë me pyetje të radhës ende pa e përfunduar Folësja 2 fjalën. Ndërprerjet 4-6 bëhen nga ana e Folëses 1 me qëllim që ajo të japë komente shtesë rreth çështjeve për të cilat flet folësja aktuale. Pra, Folësja 1 e ndërpret folësen aktuale me qëllimin e vetëm që të tregojë mbështetje për fjalën e saj. Ndërprerjet e radhës – 7 dhe 8 – ndodhin si rezultat i asaj që Folësja 1 kërkon sqarime shtesë rreth asaj që bashkëbisedueset flasin. Te rasti i nëntë, Folësja 1 e ndërpret bashkëbiseduesen fillimisht duke shtuar një koment apo sugjerim rreth asaj që tjetra ishte duke thënë, dhe menjëherë vazhdon t’i drejtojë pyetje pjesëmarrëses tjetër në bashkëbisedim. Rasti i dhjetë, Folësja 1 ka për qëllim ta mbështesë folësen duke shtuar një koment gjatë kohës që bashkëbiseduesja e saj është ende duke folur. Herën e radhës, Folësja 1 e ndërpret dy herë radhazi folësen aktuale me një pyetje që pak a shumë është jashtë asaj që folësja ishte duke e sqaruar. Te ndërprerja e trembëdhjetë dhe e katërmbëdhjetë Folësja 1 ndërpret Folësen duke u munduar që ta ndihmojë ta plotësojë mendimin me sqarimet e saj rreth temës që diskutohej. Ndërprerjen e pesëmbëdhjetë Folësja 1 e realizon me qëllim që mos ta lejojë parafolësen ta vazhdojë fjalën e saj, për shkak se ajo fillon të flasë për një temë për të cilën Folësja 1 nuk dëshiron të debatohet dhe ia bën të qartë se arsyeja e ndërprerjes së fjalës është se ajo nuk dëshiron të ndalen tek ajo çështje.

Folësja 2 nuk ndërpret asnjëherë ndonjërën nga pjesëmarrëset e debatit.

Folësja 3 ndërpret gjithsej shtatë herë bashkëpjesëmarrëset në debat. Në rastin e parë, Folësja 3 ia ndal në gjysmë pyetjen gazetares dhe fillon të përgjigjet pa e përfunduar ajo ende fjalën. Në rastin tjetër, Folësja aktuale i përgjigjet pyetjes së gazetares, pastaj Folësja 3 inkuadrohet në bisedë dhe vazhdon të flasë pa ia dhënë askush fjalën lidhur me temën në të cilën po fliste folësja 2. Pak më vonë, Folësja 3 ia ndërpret fjalën përkohësisht parafolëses duke shtuar një koment rreth asaj që diskutohet. Ngjashëm, herën e katërt, Folësja 3 shton një informacion rreth temës që po diskutohet nga folësja paraprake. Pastaj, Folësja 3 ndërpret bashkëbisedimin e dy folëseve paraprake duke theksuar se po dëshiron të ndërlidhet me temën nga një kënd tjetër. Gjatë dy ndërprerjeve të fundit, Folësja 3 inkuadrohet në bisedë duke u munduar të japë informata shtesë rreth temës aktuale.

Edhe Folësja 4 realizon gjithsej shtatë ndërprerje gjatë të folurit të saj. Në të gjitha këto raste ndërprerjet ndodhin për shkak se ajo dëshiron të shtojë komente rreth çështjeve që diskutohen nga bashkëbisedueset.

Folësja 5 herën e parë e ndërpret folësen paraprake për pak sekonda, sa për të shtuar një koment mbështetës, ndërkaq herën e dytë ndërpret folësen aktuale dhe vazhdon të flasë pa ia dhënë askush fjalën rreth temës së diskutuar.

Ndërprerjet në debate me të ftuar vetëm burra

Folësi 1 në debatin e parë me të ftuar vetëm burra realizon gjithsej njëzetegjashtë ndërprerje. Herën e parë ai e vazhdon fjalën e folësit paraprak duke e mbështetur mendimin e tij. Më pastaj, ai shton koment që e konteston atë që folësi aktual ishte duke e potencuar. Gjatë rrjedhës së debatit, dy herë radhazi Folësi 1 e ndërpret folësin duke kërkuar shpjegime rreth asaj që ai e deklaron. Në tri herët e radhës Folësi 1 ndërhyn në bashkëbisedimin e pjesëmarrësve në debat duke u përpjekur të vendosë një radhë bisede ndërmjet tyre. Katër ndërprerjet e radhës ndodhin për shkak se një nga pjesëmarrësit në debat insiston që Folësi 1 t’ia japë fjalën të flasë, edhe pse nuk i takon radha. Pesëmbëdhjetë ndërprerjet e fundit, pothuajse të njëpasnjëshme, ndodhin sepse Folësi 1 vazhdimisht kërkon sqarime shtesë, por duke mos e lënë bashkëbiseduesin ta përfundojë mendimin.

Folësi 2 e ndërpret dy herë Folësin 3, i cili tenton ta marrë fjalën edhe pse nuk i takon radha. Pastaj, Folësi 2 dëshiron të japë sqarime shtesë për temën që diskutohet, prandaj ia ndër-pret fjalën parafolësit. Në rastin e katërt, ndërpret folësin i cili tenton t’ia marrë radhën e të folurit, madje i kërkon leje që ta përfundojë fjalën. Më vonë, ndërhyn te fjala e gazetarit, edhe pse ai përgatitet t’ia japë fjalën dikujt tjetër. Për shkak të tensionimit të situatës, e ndërpret folësin ngase e kundërshton fjalën e tij duke e akuzuar që po flet sipas interesave të tij. Derisa situata e acaruar vazhdon, ndërhyn te fjala e folësit duke u ankuar se ai nuk po e lejon askënd të flasë dhe nuk ia jep fjalën askujt tjetër. Katër ndërprerjet e radhës janë si pasojë e kundërshtimeve të shumta ndërmjet folësve, gjatë të cilave ndodh që as të mos kuptohet çfarë po flitet për shkak se flasin nga tre persona në të njëjtën kohë.

Herën e parë, Folësi 3 e ndërpret personin që është duke folur, duke u munduar që prapë ta marrë fjalën në mënyrë që të sqarohet për deklaratat e tij paraprake. Ndërprerja e dytë ndodh ngase Folësi 3 dëshiron të shtojë informacione rreth asaj që Folësi 2 po tregonte. Në dy rastet e fundit, Folësi 3 jep sqarime rreth deklaratave ende pa e përfunduar parafolësi fjalën.

Gjatë analizimit të të folurit të Folësit 4, numërojmë gjithsej nëntëmbëdhjetë ndërprerje. Dy herët e para, Folësi 4 vazhdon të folurit pa iu kthyer përgjigje ndërhyrjeve që i bëhen nga folësit e tjerë. Gjatë rrjedhës së debatit, dy herë ndërpret parafolësin duke kundërshtuar deklaratat e tij e duke u munduar ta argumentojë mendimin e tij. Në këto dy raste, ndërprerjet realizohen me fjali të shkurtra. Tri ndërprerjet e radhës ndodhin për shkak se ai nuk pajtohet me atë çka parafolësi deklaron, madje e thotë haptazi që nuk pajtohet me ato deklarata. Pesë ndërprerjet e radhës i bën ngaqë kërkon leje nga udhëheqësi i emisionit që të flasë sepse assesi nuk arrin të pajtohet me atë çka diskutohet nga pjesëmarrësit e tjerë në debat. Rasti tjetër i ndërprerjes vjen për shkak se kërkon leje ta përfundojë fjalën. Që nga rasti i trembëdhjetë i ndërprerjes, deri te rasti i fundit, i nëntëmbëdhjeti, Folësi 4 vazhdimisht kërkon nga bashkëfolësit t’i japin hapësirë ta shprehë krejtësisht mendimin dhe sqarimin e tij për çështjen në fjalë.

Folësi 5 një herë e ndërpret folësin sepse dëshiron t’ia bëjë me dije një informacion, ndërkaq katër herë të tjerë ai e ndërpret Folësin 1 gjatë diskutimit me pyetje e përgjigje. Ai i ndërpret pyetjet dhe komentet shtesë të tij dhe vazhdon të përgjigjet.

Te debati i dytë, Folësi 1 gjatë dy ndërprerjeve të para kërkon shpjegime shtesë rreth deklarimeve paraprake të folësit. Më pas, ai tenton të ndërhyjë në fjalën e folësit aktual, ndërkaq gjatë rastit të fundit ai e miraton deklaratën e folësit aktual.

Folësi 2 një herë ndërpret folësin me qëllim që të japë sqarime shtesë dhe një herë e ndërpret bashkëbisedimin ndërmjet Folësit 1 dhe 3.

Folësi 3 dhe Folësi 4 nuk e ndërpresin asnjërin nga bashkëfolësit gjatë gjithë debatit.

Ndërprerjet në debate me të ftuar burra dhe gra

Në debatin e parë ku të ftuar ka edhe burra edhe gra, Folësi 1 realizon gjithsej shtatë ndërprerje gjatë të folurit. Herën e parë, Folësi 1 ia ndërpret fjalën Folësit 3, sepse e kundërshton mendimin e tij dhe kërkon sqarime shtesë nga ai. Në rastin e dytë, Folësi 1 përsëri e ndërpret fjalën e Folësit 3, kësaj here duke u pajtuar me mendimin e tij, dhe kur e ndërpret shton një fjali miratimi të asaj që Folësi 3 deklaron. Herën e tretë, Folësi 1 ndërpret Folësin 3 duke shtuar një koment rreth temës që Folësi 3 e trajton gjatë radhës së tij të të folurit. Në rastin e ndërprerjes së katërt, Folësi 1 prapë e ndërpret Folësin 3, kësaj here për t’i ndihmuar për ta shprehur një koncept, për të cilin folësi 3 ishte duke diskutuar. Ndërprerja e pestë dhe e gjashtë janë të njëpasnjëshme, prapë në bashkëbisedim me Folësin 3, ndërsa ndërprerja e shtatë dhe e fundit ndodh gjatë kohës kur radhën e bisedës e ka Folësi 2.

Gjatë gjithë fjalës së saj, Folësja 1 realizon katër ndërprerje. Herën e parë e ndërpret Folësin 3 duke dalë pak nga tema duke e ndërruar qasjen e debatit. Në rastin e dytë e ndërpret fjalën e Folësit 2, duke vazhduar mendimin e saj pa u lidhur me mendimin e folësit paraprak. Në rastin e tretë, Folësja 1 ia ndërpret fjalën Folësit 2 duke iu drejtuar me pyetje. Herën e fundit ajo e ndërpret Folësin 2 duke e vazhduar po të njëjtin mendim që ai ishte duke e shprehur.

Edhe Folësi 2 realizon gjithsej katër raste të ndërprerjeve. Ai e ndërpret Folësen 2 e cila e dëshiron t’i parashtrojë pyetje pa e përfunduar ende ai fjalën paraprakisht. Ndërprerja e radhës nga ana e tij ndodh ngase Folësi 2 ia vazhdon fjalën Folëses 1, duke e plotësuar mendimin e saj. Te rasti i tretë i ndërprerjes, Folësi 2 nuk e lejon Folësen 2 ta përfundojë pyetjen e saj. Gjatë ndërprerjes së fundit, Folësi 2 e ndërpret Folësin 3 me qëllimin që të shtojë informacione lidhur me atë çka Folësi 3 ishte duke e sqaruar.

Folësja 2, gjatë gjithë të folurit të saj, për aq sa zgjat debati, ndërpret fjalën e bashkëbiseduesve nëntë herë. Fillimisht ndërhyn si me shaka në fjalën e Folësit 3, pastaj dy herë me radhë e ndërpret Folësin 3 duke kërkuar sqarime shtesë përmes parashtrimit të një pyetjeje. Herën e katërt e ndërpret Folësen 1 duke shtuar një koment rreth asaj që ajo po diskutonte. Ndërprerja tjetër ndodh kur është duke folur Folësi 2, të cilit ia ndal fjalën duke i parashtruar pyetje. Pastaj e ndërpret Folësen 3, duke mos e lënë ta përfundojë mendimin dhe fillon ta japë mendimin e saj për çështjen në fjalë. Pas kësaj, ndërhyn në radhën e të folurit të Folësit 3, duke komentuar mbi çështjen që diskutohet. Prapë e ndërpret atë me qëllimin që të japë informacione shtesë rreth çështjes në fjalë. Edhe ndërprerja e fundit ndodh gjatë kohës kur Folësi 3 është duke folur. Folësja 2 e ndërpret atë duke u munduar që ta përforcojë mendimin e Folësit 3 me komente shtesë.

Gjatë bashkëbisedimit me pjesëmarrësit e tjerë në debat, Folësi 3 realizon gjithsej tetë raste të ndërprerjes së të tjerëve. Fillimisht ai e ndërpret Folësen 1 gjatë radhës së saj për të folur, duke i drejtuar pyetje. Pastaj e ndërpret Folësen 2 me ç’rast e kundërshton mendimin e saj duke e argumentuar kundërshtimin e tij. Gjatë bashkëbisedimit me Folësen 2, ajo e ndërpret atë edhe tri herë radhazi. Ndërprerja e gjashtë ndodh kur Folësi 2 provon të inkuadrohet në bashkëbisedim, mirëpo Folësi 3 ia pamundëson duke vazhduar fjalën e tij. Ndërprerja e shtatë dhe e tetë ndodhin gjatë bashkëbisedimit me Folësin 1 dhe Folësin 2.

Folësja 3 është e vetmja që gjatë gjithë debatit nuk e ndërpret askënd gjatë të folurit.

Te debati i dytë me pjesëmarrës burra e gra, Folësi 1 ua ndërpret fjalën të tjerëve gjithsej njëmbëdhjetë herë. Herën e parë ai nuk e lejon gazetarin ta përfundojë pyetjen që ia drejton. Pastaj e ndërpret Folësen 1, e cila tenton të inkuadrohet pa e pasur radhën e bisedës. Herën e tretë e ndërpret Folësin 2, me qëllimin që të japë informacion shtesë lidhur me atë që ai po diskutonte. Gjatë ndërprerjes së katërt, i drejtohet me pyetje Folësit 2, ende pa e përfunduar ai fjalën gjatë radhës së tij të bisedës. Dy herë radhazi i ndërhyn Folësit 2 në fjalë duke i parashtruar pyetje. Gjatë radhës së bisedës të Folëses 1, ai inkuadrohet në bisedë duke ia ndërprerë asaj fjalën. Më vonë, i drejtohet me pyetje Folësit 2 gjatë kohës që ai është duke shprehur mendimin e tij për një çështje të caktuar. Tri rastet e fundit të ndërprerjeve janë të njëpasnjëshme dhe ndodhin gjatë bashkëbisedimit me Folësin 2, nga i cili Folësi 1 kërkon vazhdimisht sqarime përmes pyetjeve, por duke mos e lënë bashkëbiseduesin ta çojë fjalën e vet deri në fund.

Folësja 1 ndërhyn vetëm një herë gjatë kohës kur radhën e bisedës e ka Folësi 1.

Folësi 2 ndërpret dy herë Folësin 1, me qëllimin që vetëm të shtojë informacione dhe mendime rreth asaj çka Folësi 1 ishte duke e thënë.

Folësja 2, meqenëse nuk inkuadrohen edhe aq shumë në bisedë, nuk realizon asnjë ndërprerje gjatë të folurit.

Analizë e rezultateve të hulumtimit

Në bazë të analizës së gjashtë debateve të përzgjedhura për këtë hulumtim janë nxjerrë disa përfundime. Fillimisht, te debatet me të ftuara vetëm gra gjithsej janë identifikuar 55 raste të ndërprerjeve, të cilat kryesisht kanë ndodhur për shkak të ndërhyrjes së folëseve në radhën e bisedës së njëra-tjetrës.

Te debatet me të ftuar vetëm burra janë identifikuar gjithsej 70 ndërprerje.

Në debatet me folës të përzier, gjithsej numërohen 46 raste të ndërprerjeve. Prej tyre, 12 raste të ndërprerjes janë kur gratë ndërpresin bashkëbiseduesit burra; 10 raste kur burrat ua ndërpresin fjalën bashkëbiseduesve gra; 22 raste identifikohen kur burrat ndërpresin fjalën e njëri-tjetrit, ndërkaq vetëm 2 raste vërehen në bashkëbisedimin ndërmjet grave.

Vlen të përmendet se te debatet me folës të të dy gjinive, në sasinë e të folurit të secilit prej pjesëmarrësve ndikon edhe koha më e shkurtër që ka secili në dispozicion të flasë, për shkak të numrit më të madh të pjesëmarrësve në debat. Pra, te këto debate secili prej pjesëmarrësve ka mundësi më të kufizuar të të shprehurit.

Përfundim

Bazuar në rezultatet përfundimtare, në tërësi burrat kanë realizuar 102 ndërprerje, ndërkaq gratë vetëm 70. Numri më i madh i ndërprerjeve nga ana e burrave është bërë në debatet me të ftuar vetëm burra. Në debatet me të ftuar të të dy gjinive, dominojnë ndërprerjet e realizuara nga gratë gjatë bashkëbisedimeve ndërmjet burrave. Nga përfundimet e të gjeturave vërejmë se hipoteza jonë, se burrat i ndërpresin më shumë gratë në bisedë sesa njëri-tjetrin, bie poshtë.

Pra, sipas hulumtimit tonë, burrat në fakt e ndërpresin më shumë njëri-tjetrin në bisedë sesa folëset gra.

Vlen të përmendet se jemi të vetëdijshëm se rezultatet e nxjerra nga ky hulumtim nuk japin të dhëna përfundimtare për dukuritë e analizuara. Për të ardhur në përfundime sa më të sakta nevojitet të kryhen studime të tjera sistematike dhe më të hollësishme, të cilat do të ndihmonin në zgjerimin e njohurive dhe do të kontribuonin në arritjen e përfundimeve më konkrete. /Revista “Akademia”/

Bibliografia
1. Bregasi, Majlinda (2015). Përtej debatit politik. Shtëpia Botuese Blendi: Prizren.
2. Haas, Adelaide (1979). Male and Female Spoken Language Differences: Stereotypes and Evidence. Psychological Bulletin, Vol. 86, No.3, 616-626.
3. Sacks, Harvey, Schegloff, Emanuel A., dhe Jefferson, Gail (1974). A simplest systematics for the oganization of turn-taking for conversation. Language, 50, 696-735.
4. Spender, Dale (1985). Man Made Language. Pandora Press: London.
5. Tannen, Deborah (1994). Gender and Discourse. Oxford University Press: New York.
6. Wardhaugh, Rolan (2006). An Introduction to Sociolinguistics. Fifth Edition. Blackwell Publishing.
7. Zimmerman, Don and West, Candace (1975). Sex Roles, Interruptions and Silences in Conversation.

Vegëzat në ‘Youtube’:
1. YouTube (2017, 20 dhjetor). Familja ime – Rritja e fëmijëve, sipas gjysheve apo librave – e diel – 17.12.2017. Marrë nga: https://www.youtube.com/watch?v=zu4LVl78qdM Parë për herë të fundit: 16 nëntor 2018.
2. YouTube (2018, 26 shkurt). Startup – Emisioni 97 (Gratë në teknologji) 26.02.2018. Marrë nga: https://www.youtube.com/watch?v=cagOYgPx4Zg Parë për herë të fundit: 16 nëntor 2018.
3. YouTube (2018, 5 tetor). Rubikon – 19 v jet bllokadë me Kartonin e Gjelbër. Marrë nga: https://www.youtube.com/watch?v=E3pVSRYAHcc Parë për herë të fundit: 16 nëntor 2018.
4. YouTube (2018, 21 qershor). Click – Testi i maturës dhe i sistemit 21.06.2018. Marrë nga: https://www.youtube.com/watch?v=Hp9hEAqs0GM Parë për herë të fundit: 16 nëntor 2018.
5. YouTube (2018, 29 maj). NIN – Burrat vijnë nga Marsi, Gratë nga Venera? – Klan Kosova. Marrë nga: https://www.youtube.com/watch?v=i3ulVyZuB54 Parë për herë të fundit: 16 nëntor 2018.
6. YouTube (2018, 5 tetor). Rubikon – Po hamë apo po helmohemi? 05.04.2018. Marrë nga: https://www.youtube.com/watch?v=2f8aC9yEGMA Parë për herë të fundit: 16 nëntor 2018.

TË NGJAJSHME

SHFAQ KOMENTET

Bashkë pas 45 vjet vuajtjesh: Dashuria e mohuar e ushtarakut shqiptar dhe bukuroshes bolonjeze

1 ditë

Nga: Luljeta Progni

20 shkurt 1991. Maria Gorizzia ishte zgjuar herët në mëngjes. Do përgatitej për një ditë shumë të rëndësishme. Në dhomën e saj të vetmuar, kishte diku në qoshe një komodinë ku ruante sendet më të shtrenjta. Prej andej, nxori disa bizhu e nisi t’i vendosë në qafë e duar dhe pasi u stolis, u nis plot me emocione drejt aeroportit të Bolonjës. Atje priste orën kur do të mbërrinte një aeroplan nga Tirana.

Qëndroi gati gjithë ditën, sepse aeroplani ishte nisur me vonesë nga Tirana, për shkak të situatës politike që po kalonte asokohe Shqipëria. Atë ditë, po rrëzohej busti i diktatorit Enver Hoxha. Maria Gorizzia (Gori) priti disa orë në aeroport dhe as që i shkoi mendja të largohej, pasi kishte një bindje se aeroplani nga Tirana do të vinte gjithsesi.

Kishte një jetë që e priste atë çast. Ishte pasdite në Bolonjë, kur Gori arriti të shohë nëpër tabelat e aeroportit se aeroplani nga Tirana, ishte nisur e do të mbërrinte shpejt në destinacion. Ishte vendosur në një qoshe atje ku arrinte të shquante qartë të gjithë pasagjerët që do të zbrisnin nga aeroplani. Erdhi çasti.

Aeroplani kishte mbërritur dhe pasagjerët pas pak minutash, nisën të shfaqen. Para syve i kaluan me radhë të gjithë pasagjerët dhe Gori mbeti e shtangur në këmbë. Aeroporti nisi të boshatisej dhe Gori po ndiente ftohtësinë e stinës e të fatit të keq që iu duk se po e përndiqte. Nisi t’i drejtohej portës së daljes, kur i kapi syri një siluetë në një prej karrigeve në terminal. Ishte një burrë i kthyer me kurriz që po qëndronte i drojtur dhe i vetëm në atë karrige.

Gori iu afrua ngadalë edhe nisi të bëlbëzojë emrin Valentino… silueta nisi të lëvizë e Gori me të “panjohurin” u panë sy më sy. Ishte Valentini, dashuria e jetës së saj… kishte 45 vjet që e priste.

Gori nuk e kishte njohur kur i kaloi para syve e as Valentini nuk e kishte njohur fytyrën e gruas që dikë kërkonte duke pritur me ankth. Gori e Valentini kishin ndryshuar mjaft. Ashtu si të habitur, u panë sy më sy për disa sekonda e mes lotësh u përqafuan…

“Valentini ishte ulur në një qoshe të sallës së pritjes duke parë nga jashtë, me mend se Gori do t’ishte vonue ose mund të kishte ngatërrue orarin. Ajo afrohet dalëngadalë afër përsonit, dhe me një gjysmë zani i foli: ‘Scusi Signore, lei non è per caso Valentino?…’ Valentini ishte kthye: ‘Gori?’… dhe u përqafuen pas 45 vjetëve si pleq. Ky Uliks i shekullit njëzet, ia kishte kalue Uliksit të 3000 vjet ma parë, sepse jo 20 vjet por ma tepër se dyfishin e kohës i ishte dashun të përballonte stuhitë e tallazët e detëve ideologjike të komunzmit, për të arritë të përqafonte të dashunën e tij, që ia kishin grabitë nga krahët në moshën ma të bukur të rinisë. E tashti pas 45 vjetëve arritën të bashkohën, sa thue nuk po njihnin njeni tjetrin….”, rrëfen Lekë Pervizi, takimin në aeroport të të vëllait Valentin me bashkëshorten e tij, Gorizzia (Gori).

I fundit përqafim i tyre kishte ndodhur fiks 45 vjet më parë, në mars të vitit 1946, kur Gori mori rrugën e riatdhesimit në Itali e Valentini një tjetër rrugë, një udhëtim të gjatë nëpër burgjet e kampet e internimit gjatë regjimit komunist. Prej atij përqafimi të fundit, në mars të vitit 1946, Maria Gorizzia do të kthehej në shtëpinë e saj në Bolonjë, për të qëndruar atje e vetme, me shpresë se një ditë do të kthehej bashkëshorti i saj i dashur, Valentin Pervizi.

Ndërkohë, Valentini do të shëtiste thuajse të gjitha kampet e diktaturës, duke nisur me burgun e Shkodrës, kampet e internimit të Beratit, Kuçovës, Porto-Paleroms, Tepelenës, Çorovodës, Fabrikës së Tullave Tiranë, Shtyllas të Fierit, Kuç të Vlorës, Plug e Gradishtë të Lushnjës. 47 vjet i dënuar nga regjimi komunist. E gjithë rinia e tij burgjeve e internimeve, e gjithë jeta e tij trishtim.

Dënohej vetëm për shkak se ishte i biri i gjeneralit të famshëm të asaj kohe, Preng Pervizi, i shpallur nga regjimi komunist si “armik i popullit”.

Valentin Pervizi kishte përfunduar akademinë ushtarake të Modenas në Itali. Ishte një ndër ushtarakët më në zë të kohës dhe i spikatur në luftën kundër gjermanëve. Më 20 shtator të vitit 1943, ishte kapur si rob lufte nga gjermanët me oficerët e tjerë italianë, të cilët ishin dërguar në kampin e Dakaut. Valentini bashkë me dy shokë oficerë italianë, mundën të arratiseshin nga kampi i Fraskatit. U kthye në Bolonjë, atje ku e priste e fejuara e tij Gorizzia. Në vitin 1943, Valentini dhe Gorizzia u kurorëzuan në martesë dhe u duk se gjithçka do të shkonte mirë. Por, në korrik të vitit 1944, Valentini vendos të kthehet në atdhe bashkë me bashkëshorten e tij. Gjen shtëpitë e djegura dhe familjen e strehuar në malin e Skurajt.

Pas pak muajsh, në dhjetor 1944, komunistët e arrestojnë dhe e burgosin vetëm për faktin se ishte i biri i Prenk Pervizit, që kishte qenë gjeneral në qeveritë e mëparshme të Shqipërisë.

Kështu nis kalvari i çiftit simpatik, ushtarakut elegant shqiptar, Valentin e vajzës së bukur bolonjeze, Gorizzia.

Në atë mars të 1946-ës, Valentini ishte në burgun e Shkodrës. Po i afrohej një ditë e trishtë. Drejtori i burgut që kishte qëlluar të kishte një farë humanizmi në raport me xhelatët e diktaturës, e thirri Valentinin në zyrë, atje ku e priste bashkëshortja, Maria Gorizzia. Takimi do të duhej të zhvillohej në prani të drejtorit, por ky i fundit u përpoq të largohej sa mundi për t’i lënë dy të rinjtë në aq intimitet sa mundej. Ishte takimi i tyre i fundit.

“Valentini u mundue me e qetësue bashkëshorten duke i dhan kurajo e zemër. Duke përfitue nga rasti kur drejtori shkoi në fund të dhomës, para se ai të kthehej i tha Gorit se në rastin ma të parë ai do të mundohej të arratisej nga Shqipnia, prandaj kishte një shpresë shpëtimi për ta. Këto fjalë sikur e qetesuen Maria Gorizzian, sa që e mori veten.

Drejtori e lejoi zgjatjen e takimit deri kur vetë ato të dy e vunë në dijeni se kishte ardhë çasti i ndarjes e nuk donin të përfitonin nga mirësjellja e tij. Kështu e shoqja e përshëndeti drejtorin duke i dhanë dorën në shenjë falendërimi. Por, Valentini u çudit kur drejtori, ndërsa ai po ulej te shkallët i kishte shtrëngue dorën fort duke i thanë: ‘Mos u mërzit, sepse nuk i dihet, mund të lirohësh e kështu mund të bashkohësh përsëri me të.’

Valentini e kishte falendërue dhe ai i la përsëri vetëm, ndërsa kalonin sallonin dhe zbrisnin shkallët. Kur arritën në fund të shkallëve u përqafuen para se të ndahëshin, pa mund të thonin nji fjalë aq i kishte pushtu emocioni. Valentini e përmbante veten mos me derdh lot. Matanë hekrave ishin grumbullue shokët e burgut, te cilët donin t’u gjendëshin afër në ato çaste të dhimbshme. Gori, nuk mund ta përmbante veten e kishte shpërthye në vaj të ngashëruem dhe ashtu doli prej burgut”, rrëfen Lekë Pervizi, vëllai i Valentinit.

Pas riatdhesimit të Maria Gorizzas, Valentini dënohet me tre vjet internim në Berat, ku bashkohet me gjyshen e nënën e tij. Më pas, në shkurt 1948, lirohet e bashkohet me të vëllanë e vogël, Lekën, në Tiranë. Në maj 1950, arrestohet me gjithë Lekën e mbyllet ne kalanë e Porto Palermos. Në vitet 1951-1952, Valentini e Leka dënohen në kampin e mbyllur të Tepelenës, me punë të rënda të detyrueshme. Më pas, në vitin 1952-1954, kampi i Ҫorovodës dhe fabrika e tullave Tiranë, me punë të detyrueshme; më 1954, në kampin e Plugut të Lushnjës, punë të detyrueshme në bujqësi; 1954-1955, kampi i Shtyllazit, punë të detyrueshme me të burgosurit, gërryerje me krah të një kanali të madh; 1955-1958, kampi-burg i izolimit në Kuç të Vlorës (Kurveleshit), izolim pa punë. 1958-1991, në kampet e Plugut e të Gradishtës së Lushnjës, në punë të detyrueshme në bujqësi e ndërtim.

Më 1956, Valentin Pervizi ishte një prej punëtorëve të Brigadës së ndërtimit në Çermë. Mëngjesi i tij niste me apelin në kampin e internimit në Gradisht e më pas nisej drejt Çermës ku punonte në brigadën e ndërtimit. Një makinë e merrte bashkë me të tjerë djem e burra të internuar dhe i çonte në Çermë për t’i kthyer pasdite kur paraqiteshin në apelin e radhës. Kjo ishte dita e jeta e 36-vjeçarit, Valentin Pervizi. Puna që ishte detyruar të bënte nuk kishte asnjë lidhje me profesionin e tij.

“Kështu Valentini rrinte me ne gjatë gjithë javës të punës dhe të dielave shkonte ne Gradishtë. Kjo i jepte mundësi me shkue edhe nga qyteti, ku postonte ndonjë letër ose kartolinë. Sikur u lidh një far korrespondence ma e rregullt me Gorin. Nga kjo far lirie, në letrat e Valentinit e të Gorit shprehej dashuria e pashtershme dhe shpresa e një bashkimi të afërt të tyne. Me prishjen e marrëdhanjeve me Bashkimin Sovjetik, sikur u acarue gjendja përsëri e lidhja me Kinën e keqësoi ma shumë. Letërkëmbimi me Gorin u bllokue. Kaloi një kohë shumë e gjatë heshtje. Letrat e kartolinat as shkonin as vinin. Maria Gorizzia e merakosun, i drejtohet prapë Ministrisë së Jashtme. Nga Ambasada në Tiranë vjen një telegram 29 shtator 1967, ku shkruhej: ‘…për sa do të vazhdojë regjimi aktual në Shqipëri, mendohet se do të jetë shum e zorshme që Pervizi, që konsiderohet ‘armik i popullit’, të mund të fitojë lirinë’.

Lajmi i ishte dhanë Gorit me shumë kujdes nga Ministria nëpërmjet Shtëpisë së Oficerëve, ku kishte shërbye Valentini dhe ku ai figuronte akoma efektiv (rob lufte). Sidoqoftë, Gorit, me gjithë kujdesin e treguem nga oficeri përgjegjës, lajmi i kishte shkaktue troditje e kishte kalue ne depresion, ku iu desh te shtrohej disa ditë në spital. Qëlloi që një mik yni i lirë, që i lipsej një dokument për motrën e tij të martueme ne Itali, kur kishte hyrë në Ambasadë, vetë ambasadori italian e kishte pyet nëse e njihte dhe dinte apo kishte informacion për Valentin Pervizin. Ai që na njihte fare mirë i kishte tregue sesi Valentini gjëndej i internuem pa shpresë lirimi në Gradishtë. Ky mik i joni punonte e banonte ne Lushnje dhe me qe ndonjëherë e takoja me tregoi për Ambasadën, ku e kishin pyet për Valentinin. Gjendja shpirtnore e Valentinit ishte randue.

Me fundin e diktaturës, në prag të vitit 1990, letërkëmbimi mes Valentinit dhe Gorit, u ba me i rregullt, dhe e shoqja dërgoi edhe disa pako, si dhe dollarë. Ajo shfaqte dëshirën që të vinte vetë në Shqipni, duke qenë se u hapen dyert e lirisë. Por, Valentini e këshilloi mos me e ba atë hap e ta priste në Bolonjë ku do të vinte vetë. Po të kishte ardhë grueja, ku ta çonte, në kampin e Gradishtës? Mirë do të kishte qenë për të njohun kushtet mizerabel ku kishte jetue e punue Uliksi i saj”, rrëfen lekë Pervizi.

Valentin Pervizi, jetoi në Bolonjë pjesën e mbetur të jetës së tij, bashkë me Maria Gorizzian. Valentini ndërroi jetë në mars të vitit 1999 dhe pak vite më pas, në korrik 2003, ndërroi jetë edhe Maria Gorizzia. /Kujto/

SHKARKO APP