Ndjesa dhe pendesa ndan një shoqëri të civilizuar nga turma

Nga Mentor Kikia –

Pashë një dokumentar mbrëmë. Nipi i një familjeje hebreje, që kishte mbijetuar në një kamp përqëndrimi, dhe nipi i një prej njerëzve të afërt të Hitlerit që kishte frymëzuar ngritjen e kampeve, ishin rikthyer në vendin e ferrit, në Auzhvic. Një histori gjigande. Një burrë që nuk kishte lindur në kohën kur gjyshi i tij vriste njerëz të pafajshëm në emër të një ideologjie, ndjehej fajtor dhe kërkonte ndjesë.
Unë nuk e kam përjetuar persekutimin e drejtëpërdrejtë komunist, edhe pse për shkak të varfërisë ku jetonim, të gjithë kemi qenë të persekutuar në një farë mënyre. Por nuk e heq dot nga mendja imazhin që kam parë në fshatin tim kur isha 7-8 vjeç, ku të burgosurit politikë thyenin gurë në lumë të lidhur me zinxhirë nga këmbët dhe me roje të armatosur përqark. Nuk e heq dot nga mendja kur sollën disa familje nga Tirana e Durrësi për ti interrnuar, e i futën në stallën ku mbaheshin qetë e kooperativës.
Të kthehemi tek dokumentari…
Përvec Bashkim Shehut, nuk kam dëgjuar askënd të shfaqë pendesë publike për atë që i kanë bërë këtij populli etërit e tyre. Përkundrazi, kemi parë bij e nipër të kapardisen edhe më shumë e të jenë krenarë për atë që kanë bërë prindërit e gjyshërit.
Ne nuk e dënuam komunizmin, thjeshtë brenda natës e konvertuam atë në një farë regjimi që edhe sot pas 30 vjetësh nuk e qujmë dot demokraci. Ne nuk kemi ndërgjegje si shoqëri, nuk dime të ulim kokën kur bëjmë keq, nuk dimë të kërkojmë ndjesë kur i shkatërrojmë jetën dikujt. Në këtë mënyrë se si funksionojmë duhen parë ndoshta edhe shkaqet se përse thjeshtë tërhiqemi zvrarrë si kërmilli e nuk ecim normalisht si shoqëritë e tjera.

SHKARKO APP