Ndocgjetjane
Në 75-vjetorin e lindjes
Ndocgjetjane
nga Tonin Çobani
Është koha kur gjimnazi i Lezhës sapo kishte nxjerrë maturantët e para dhe, së bashku
me to, edhe një poet të ri, Ndoc Gjetjan, që do të bëhej i njohur që në bankot e
shkollës me pezinë “Majakovski i revoltuar”. Kjo poezi e parë mban në vetvete
tharmin poetik të Ndocit, atë që unë e quaj: Ndocgjetjane.
Revolta e shpallur që në titull të poezisë “Majakovski i revoltuar” do të ndihet si
lajtmotiv në të gjithë veprën e mëpastajme të poetit lezhjan. Edhe në poezitë e tij më
të brishta kushdo mund të gjejë një revoltë të brendshme ndocgjetjane që shfaqet,
ndoshta, edhe pa u ndier në sytë e lëngëzuar të një kali, në një puthje të pafajshme apo
në një dashuri të paplotësuar. Edhe lahutari i Ndocit, tek e lëviz me qetësi harkun e
lahutës së tij, shpreh një revoltë; edhe murgu i heshtur si vetë gurët e ngrysur të
manastirit, ku ngrys vitet e fundit të jetës së vet, shpreh një revoltë; edhe vetë
autobiografia e Ndocit ndërtuar në vargje rapsodikë, kur tregon se ai bën pjesë ose jo
në një grupim të shpallur politik, shpreh revoltë.
Në çdo varg të Ndocit është ajo revoltë universale e shpallur që në nismat e tij
poetike, që në bankot e gjimnazit të Lezhës.
Ka edhe diçka tjetër në poezinë “Majakovski i revoltuar” që do të mbetet si tharm
poetik në të gjithë krijimtarinë e Ndoc Gjetjas. Vetë emri i Majakovskit ka një
domethënie programatike që ka mbetur si një lidhje e brendshme me poetin lezhjan.
Mos t’i shkojë mendja kujt se e kam fjalën për programime ideologjike. Tani që mund
të flitet lirshëm, mund të shihet fare hapur se kjo lidhje e brendshme me Majakovskin
është tonaliteti futurist i poezisë ndocgjetjane që rezonon, pa dyshim, me revoltën e
këtij drejtimi, i cili u gjend i programuar në mënyrë të pavarur edhe në Itali në
dekadat e para të shekullit që lamë pas, duke u rishfaqur herë pas here në rrethe të
ndryshme letrare-artistike edhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Por revolta futuriste e Ndocit, nëse ia lejojmë vetes ta cilësojmë kështu, merr jetë në
format tradicionale të vargut të tij, ndryshe nga ajo e Majakovskit, që kërkon edhe
thyrjen formale të vargjeve. Megjithatë ajo është aq e fuqishme emocionalisht sa
mund të konsiderohet si një rebelim i papërmbajtshëm që herë-herë kthehet në ironi e
sarkazëm tronditëse.
Mund ta kërkojmë ndocgjetjanen edhe në faktorë të tjerë biografikë dhe letrarë, por
unë desha të ndalem qëllimisht në atë poezi të parë të autorit lezhjan, respektivisht, në
kohën kur ai ishte gjimnazist, për të dëshmuar se ajo që më pas u quajt “shkolla
poetike lezhjane” është e lidhur me një shteg të ri poetik që Ndoc Gjetja inicoi me aq
siguri në një qytet me tradita të pasura folklorike. Ndoci ka ditur ta përvijojë edhe këtë
traditë në vargjet e tij të kultivuara e moderne. Kjo do të vihej re më dukshëm në
karakterin spontan të frymëzimit të tij, në lirizmin e thellë, në ngarkesën maksimale
që merr verbi poetik, e deri të imazhet plot dritë e kumbim tingëllor.
Të gjitha kato janë Ndocgjetjane.
Poeti është poet kur identifikohet me poezinë e vet, me çdo varg, me çdo fjalë a
tingull. Në poezinë e Ndoc Gjetjas kjo është e kudondier, por është edhe e shpallur si
kredo. Në ciklin “Alkimia e fjalës” është renqethës ankimi ndocgjetjan për fatin e
poetit që mbahet vetëm në penën e tij, si mbahet një prift në kryqin e vet të meshimit,
kur gjatë gjithë jetës ka sherbyer diku në një kishë të një province, që virtualisht quhet
Republika e Dreqistanit.
Përballë një përfytyrimi të tillë, kur poeti “i mbështjellë me muzgun e pleqërisë mban
në dorë penën që e puth sa herë çon meshë për ju dhe veten”, kufiri i dhimbjes dhe i
zemratës së brendshme ndocgjetjane s’mund të jetë gjë tjetër veçse ironi universale
për fatet e krijuesit mbi lëmshin e dheut.
Në një poezi të vonë, kushtuar Gjergj Fishtës, ai do të depërtojë në brendwsinë e këtij
lëmshi, që quhet realitet i tanishëm, duke përdorur një varg të rëndë rapsodik të tipit
elegjiak:
“…
filli i lëmshit është lidhë nyje
janë bërë një rrahja e puthja
janë bërë një paqa e lufta
janë bërë një tregu e miqësia
janë bërë një burgu e liria
janë bërë një gjoksi e shpina
janë bërë një stomaku e zemra
në zgavër të gjoksit ka hyrë dhelpra
që lot bishtin te buzëqeshja”
I cituam këto vargje për të vënë në dukje edhe një lidhje të natyrshme të vargjeve të
kultivuara e moderne të Ndoc Gjetjas me traditat poetike të trevave të vendlindjes së
tij ndër mote. Kjo gjë është më e dukshme në karakterin spontan të frymëzimit të tij,
në lirizmin e thellë, në ngarkesën maksimale që merr verbi poetik, e deri te imazhet
plot dritë e kumbim tingëllor, që ndikohen nga peizazhi tipik mesdhetar i Gjirit të
Drinit ku u rrit dhe u formua si poet.
Të gjitha kato janë Ndocgjetjane.