Ndriçim Xhepa kthehet pas në kohë, rrëfimi për Artan Santon

 

Premiera e “Individ” prezantohet në Teatrin e Metropolit. Regjisori Armand Bora, e quan teatër të rrëfimit poetik shfaqjen që ka realizuar mbi veprën e shkruar në vitin 2006 nga Artan Santo.

Regjisori Armand Bora gjatë rrëfimit të tij kujton se kur Santo i ka dhuruar librin, bashkë me shënimin e tij, ka ndjerë një lloj detyrimi, për ta vënë në skenë. “Pas leximit të librit, detyrimi u dyfishua edhe më shumë për këtë shfaqje. Padyshim, më vjen keq, që nuk gjeta mundësinë për ta realizuar gjatë kohës që Santo ishte gjallë”, thotë regjisori.

Premiera e “Individ” prezantohet në Teatrin e Metropolit. Regjisori Armand Bora, e quan teatër të rrëfimit poetik shfaqjen që ka realizuar mbi veprën e shkruar në vitin 2006 nga Artan Santo.

Ish-drejtoresha e Metropolit, Suela Konjari tregon se e ka “përqafuar” idenë e regjisorit për këtë shfaqje, si mikeshë dhe artiste. “Me Santon kam pasur bashkëpunim artistik kur ‘Credins’ investoi për projektin “Jashtë bie borë”, prandaj e ndjeva si nevojë të themi, që na mungon Tani.

Le ta kujtojmë si i ka shkuar poezitë e tij”. Gjithçka fillon në mënyrë kronologjike nga kujtimet e fëmijërisë, prindërit, shokët e shkollës e mësuesit e parë. Më pas vazhdon me pushimet në Durrës, Elbasan, vendin ku kishte gjyshin dhe gjyshen e tij, personat që e kanë afruar me librin. Në kujtimet e tij, një nga momentet më interesante është përshkrimi që bankieri i bën angazhimit të tij në filmin “Guximtarët”, aventura dhe njohja e një pjese të Shqipërisë së panjohur për të. Kontaktet e para me artin dhe letërsinë, për të kanë qenë një lloj dashurie me shikim të parë. Për “Shekulli”-n, artisti Ndriçim Xhepa ndalet te kujtimet që ruan me të, duke theksuar se kontributi i Santos në art ka qenë i vazhdueshëm, deri sa u nda nga jeta. Shfaqja, prezantohet deri të enjten në sallën “Shekspir”, ora 20:00 dhe vjen në formën e një ditari, të ndërprerë herë-herë nga poezi ku do të interpretojnë: Ndriçim Xhepa, Suela Konjari dhe Rozi Kostani.

Zoti Xhepa, te libri “Individ” i Artan Santo, ai iu veçon si mik të afërt, por ç’mund të na thoni ju për miqësinë tuaj me të ?

Prezenca ime në këtë rrëfim, në librin e Santos, por edhe këtu është se njohja ime me të ka lindur qysh në gjimnaz. Më pas, gjatë kohës kur ne kryenim fakultete të ndryshme ishim në këtë qytet dhe jeta në atë kohë nuk ka qenë kaq e zhurmshme sa sot. Jo kaq e shpërndarë në zgjerim dhe në gjuhën shqipe të qytetit, në gjëra pozitive ose jo. Rinia, njerëzit njiheshin dhe kishin afërsi me njëri-tjetrin. Na lidhnin aksionet e punëve prodhuese, zboret ushtarake. Pasi mbaruam universitetit zborin ushtarak 5-mujor e kemi bërë në Durrës, në kodrat e arabëve, në aksionet e drurëve me armikun majtas a djathtas, por që sigurisht nuk kishte armiq. Në rrëfimin e tij të sinqertë përmend dy a tre miq. Ishte njeri i ekonomisë dhe i bankës, por e donte artin.

Ka luajtur edhe te filmi “Guximtarët”…

Jo për faktin se ka qenë prezent te “Guximtarët”, ajo qe rastësi fëminore, siç ka pasur edhe raste të tjera në filmat shqiptarë. Filma si ata do kenë edhe fëmijë në skenarë, prandaj Santo ishte një ndër dhjetëra fëmijët e aktivizuar, por ai e donte letërsinë, finesën, elegancën. E takoja herë pas here në premiera të teatrove. Ai ishte në Bordin e Teatrit Kombëtar e frekuentonte dhe e ndiqte.

Shfaqja “Individi” vjen si një teatër i rrëfimit poetik…

Është një përcjellje artistike e përjetimeve që ai ka shkruar në librin e tij. Gjëra shpirtërore, të cilat i ka shkruar për veten e tij, që nga fillesa, familja, miqësia, shkolla, profesioni dhe lëvizjet që ka pasur. Ndër to nuk është se unë hyj te miqtë e tij të afërt, por brenda njerëzve të artit ne na puqej koha, na puqej mosha, në çfarëdolloj forme, që kalonin të rinjtë asokohe. Ne kemi pasur kontakte me njëri-tjetrin. Kanë qenë pika të ndryshme në Tiranë, si te stolat e Sahatit, te Hotel Dajti etj., që bashkonim shijet rreth teatrit. Më vonë, pas fakulteteve jeta të drejton në risi të tjera, profesioni detyrimisht që të çon në imtësi të tjera jetësore.

Si e kujtoni?

Unë e mbaj mend si një njeri të përgatitur dhe të kulturuar. Përpos asaj që ka treguar në zanatin e tij, si ekonomist, për mënyrën sesi u veçua bashkë me miqtë e tij, duke krijuar bankën e parë shqiptare. Ai e formatonte veten vazhdimisht edhe me shije të letërsisë, të artit. Këto që them, nuk janë sa për të thënë, sikurse ndodh kur një njeri nuk jeton më, që ne e ilustrojmë me gjëra që nuk i ka pasur, por realisht Santo ishte një djalë që e donte letërsinë. Këtë e shkruan edhe në librin e tij. Ai nuk rrinte dot pa prekur romanet që dilnin në treg. Ai e ndiqte vazhdimisht edhe teatrin. Ne që i përjetojmë të rejat e skenës i ndjejmë këto. Ne e ndjejmë ndryshimin se kush vazhdon që të jetë prezent dhe kush ka harruar që të vijë në teatër. Kur kalonte një fazë e caktuar pa ardhur, për shkak të angazhimeve, qëllonte që të takoheshim në rrugë dhe ai nuk i kursente minutat për të më pyetur për premierat që kishim në dorë, qoftë edhe në këmbë. Kjo tregonte interesimin e vazhdueshëm që ai kishte, jo të sforcuar, por që i vinte natyrshëm.

Ka një pjesë në këtë libër, në të cilën keni ndalur më tepër?

Këto mbrëmje janë për të përcjellë përjetimet e tij letrare, për njerëzit që e kanë njohur në të gjitha sferat jetësore. Në përgjithësi, unë përcjell në 1 orë e pak pjesën e prozës, përshkrimin e individit dhe atë që ka jetuar ai, të brendshmen e tij, botën e tij, pra Santon. Ndërsa poezitë janë nga Suela Konjari dhe Rozi Kostani. Gjithsesi më kanë mbetur në mendje disa vargje nga poezi të shkurtra, të cilat i ka për momentet që i kanë lindur fëmijët. Në to tregon sesi ka kaluar në sytë e tij rritja e fëmijëve, ka vargje edhe për prindërit. Pra më ngacmojnë ato që rrethonin botën e tij shpirtërore, janë më të ndjera dhe më cilësore.

Shfaqja

Në çdo moment autori gjen rastin për të nënvizuar, momentet komike, siç është rasti i prezantimit të tij të parë në punë apo dhe raste të tjera. Për të vijuar më tej, me sfidat e tij profesionale në fushën e ekonomisë dhe sistemit bankar, ku padyshim themelimi dhe rritja e Bankës Credins, është njëri nga më kryesorët. I dashuruar pas muzikës së Çelentanos dhe kjo ndihet në një cikël poezish, po ashtu edhe disa proza të shkurtra që ai ka shkruar. Familja, bashkëshortja dhe dy fëmijët janë prezent edhe përmes poezive shumë të ndjera që ka bërë për djalin, vajzën dhe bashkëshorten.

“Por edhe në rrëfimet e tij në prozë ku marrëdhënia me bashkëshorten është një marrëdhënie midis miqsh, të dashurish dhe bashkudhëtarësh në sfidat e tyre të përbashkëta. Ndaj në shfaqjen ‘Individ’ jemi përpjekur të realizojmë zyrën e Santos, vendi nga ku ndoshta kanë buruar shënimet dhe nga ku ka marrë formën përfundimtare ky libër”, shton Bora. Skenografia është realizuar nga Hysni Loka. Gjithashtu i gjithë teatri i rrëfimit poetik do të shoqërohet nga muzikë live e interpretuar në piano dhe projektime imazhesh e fotografish, të cilat kanë të bëjnë me Santon, duke plotësuar sfondin e poezive të tij.

Momentet kulmore në jetën e Artan Santos

Nuk mbaj mend si linda dhe ku linda. Më thanë kur përftova paksa vetëdijen time, që jam lindur në maternitetin e Tiranës, rreth orës 9 të mëngjesit, më 7 shtator të vitit 1956. Qëlloi që isha mashkull. Nuk pata rast të konvertohem gjatë rrugës, kështu që kam mbetur i tillë.

Kopshti…

Rreth moshës 3-4 vjeç më kanë çuar në kopsht. Mbaj mend edukatore Buqen, shokët e shoqet e mi të grupit, me disa prej të cilëve kam qenë deri në vitin e fundit të shkollës së mesme. Kopshti ka pasur edhe një roje plak, emri i të cilit nuk më kujtohet, por e kam ende në sy flokun e tij të bardhë dhe një kapele, kasketë prej cohe. Luanim shpesh me kukulla në një teatër hijesh, futeshim mbrapa një pëlhure të bardhë dhe sajonim ngjarje të ndryshme.

Gjimnazi

Histori më vete, pritja tërë ankth për të na dalë emri në listë se në ç’degë do të studionim. Gjatë viteve të gjimnazit dhe veçanërisht gjatë stazhit, kisha lexuar disa nga librat e mjekësisë, të arkitekturës, madje kisha kryer edhe praktika të ndryshme “stërvitore”. Juridiku më pëlqente gjithashtu. Por më doli ekonomiku.

Studimet

Në ditën e dytë të fillimit të fakultetit shtrohem në spital, për një ulcera në duoden. Në mes të vitit të parë, e lë fakultetin për dy javë, pasi s’më pëlqente. Isha në një grup me Çim Canin, shokun tim të gjimnazit dhe shpesh vendimet për të tilla ngjarje i merrnim së bashku. Më pas, e pamë që s’kishte rrugë tjetër, vijova rregullisht mësimet, me të mirat dhe të këqijat që gjykoja në atë kohë. Në disa provime, për të cilat s’kuptoja përse duheshin, i kam bërë edhe kopje. Tani them që kam bërë fort mirë, pasi tani jo e jo, por as atëherë dhe asnjëherë ato nuk kanë qenë praktikuar, veçse në kokën e atyre profesorëve tanë të dashur dhe të kohës që jetonin.

Zbori ushtarak pas fakultetit, për rreth 5 muaj në Golem, kokët e qethura, impenjimi im me grupin e piktorëve, më bëri që ta kaloja rehat atë periudhë. Mbaj mend që një herë një pedagog i Akademisë së Arteve, erdhi në repart dhe komisari ynë i thotë që kemi këtu tre djem piktorë shumë të talentuar. “Ja”, – i thotë ai, “gjithë këto tabela, piktura murale etj., i kanë realizuar ata”. Me të drejtë ai i pyet se kush janë këta dhe komisari i sjell në dhomën tonë. Me Borisin dhe Pavllon u përshëndetën si të njohur të vjetër, kurse mua më tha: “Po ty pse s’të mbaj mend?”. Shokët e mi të mirë ndërhynë përnjëherë duke i thënë që unë kisha përfunduar për skenografi e kështu, ia hodha ndonëse vërtet pikturoja dhe kisha një shkrim që ia vlente të isha pjesëtar i atij trupi.

Kur shoh fotografitë e asaj kohe me Gim Bajkon, Çim Xhepën, kur kujtoj revoltat për të mos qethur kokën, ditët e ftohta të nëntorit dhe “pozdravin” që e dëgjonim duke perënduar dielli, më krijohet një lëngështim i brendshëm për vitet që s’kthehen më, sikur çfarëdo çmimi të vësh.

Në 1984-ën, filloj punë në Institutin e Studimeve Ekonomike, në Sektorin e Ekonomisë Botërore. Aristotel Pano, më mësoi artin e të studiuarit duke e ngulitur fort në punë, ndërsa Hasan Banja, logjikën e të shkruarit dhe të gjithë së bashku, punën e mirëfilltë shkencore.

Në atë vit martohem me Arjanën, me origjinë kosovare. Qeshja asokohe me shoqërinë time se i thoja: “Dëgjoja fjalën e Partisë që ta konsiderojmë Kosovën si çështje tonën”, dhe unë i mora njërën prej “cucave” të saj, ndonëse ajo dhe prindërit e saj kishin lindur në Tiranë.

Në 1985, në nëntor, një makinë policie me sirenë e drita të ndezura, nxiton drejt maternitetit. Brenda saj, ime shoqe dhe në bark të saj ishte ime bijë, Emi. Një tigër i butë dhe i ëmbël.

Në 1988, lindi Egi, që më ka çmendur deri në moshën 7 vjeçe me kapriçiot, ulërimat, kërkesat dhe laringjitin e tij. Sot është tjetërsoj. Ndoshta sepse edhe është rritur, por është konvertuar në njeriun e mirë e të urtë, në një kohë të keqe.

Marrë nga libri “Individi”, Artan Santo.

SHKARKO APP