Ndryshimi mes Estelës dhe Ramës

Nga Fitim Zekthi –
Diferenca e thellë e kryeministrit me Studentët që nga gjuha, fjalore, eleganca dhe sigurisht e drejta.

Mjafton të dëgjosh një student nga protesta dhe ta krahasosh gjuhën e tij me atë të kryeministrit për të kuptuar diferencën kulturore mes tyre por edhe anën në cilën rri e drejta.

Studentja Estela Nazarko me një përunjësi të admirueshme tha: “Jam studente e mjekësisë dhe ka 6 vite që shoh gjendjen e rëndë në arsim. Vuajmë sepse nuk bëhet mësim, sepse nuk ka libra, sepse ka mjerim, sepse ka korrupsion, sepse sistemi është i padrëjtë dhe i uzurpuar nga interesat e vogla dhe abuzimet, sepse gjendja nuk përmirësohet, ajo përkeqësohet etj.

Vendosëm të dalim në protestë të bëjmë diçka për ata që do të vijnë. Ata që ishin para nesh nuk e bënë. Në qoftë se edhe ne nuk do ta bëjmë atëherë do të jetë shumë më keq dhe nuk do të bëhet asnjëherë”.

Ja ç’thotë kryeministri:

“Hajde të bëjmë bashkë reformën. Në protestë ka katër grupe. Lëreni Lulin dhe Monikën. Unë nuk jaaaaam hajdut, nuk jaaaaaaam trafikaaaant. Jeni vetëm 10 mijë në protestë dhe nuk përfaqësoni 130 mijë studentët e tjerë”.

Për çdokënd me dy pare mend në kokë por më personalitet dhe dinjitet nuk ka asnjë dyshim se në cilën anë duhet të jetë. Parimisht studenteve mund t’iu lejohet një gjuhë më e vrazhdë, më e ashpër madje edhe më vulgare, ndërsa kryeministrit nuk i lejohet asgjë veç gjuhës së reflektimit dhe ndjesës, veç njohjes së përgjegjësive dhe pranimit të dështimit. Duhet të kesh probleme me personalitetin, duhet të mos e kesh një përmasë të caktuar humane që e bën njeriun qenie morale që të mbrosh dhe të përpiqesh të ndihmosh kryeministrin përballë studentëve, përballë Estelës, përballë Klajdi Bellos, përballe Mirela Rukos, përballë Adriatik Kurtit, përballe Julian Saracit, përballë Inva Mamicës etj etj etj (mijerave të tillë) të cilët qoftë edhe vetëm me elegancën gjuhësore e kanë fundosur kryeministrin e jo më që janë në anën e të drejtës.

SHKARKO APP