Ndue Shyti, diamanti që shndrit në gjerdanin e vlerave të folkut

Nga Rrok Lelçaj

“Artisti i Popullit” Ndue Shyti, krijuesi, orkestruesi dhe drejtuesi i “simfonisë me dy tela”, si rrallë artist tjetër i këtij dheu, prej dekadash, hyri me dinjitet e profesionalizëm të papërsëritshëm në panteonin e vlerave më të mira të folkut burimor e kulturës tonë kombëtare. Njeriu i zakonshëm, që me krijimtarinë dhe interpretimin e tij në çifteli, bylbyl e sharki u bë njeriu i jashtëzakonshëm dhe çudibërës në skenat e festivaleve brenda dhe jashtë atdheut.  Për një gjysmë shekulli dha mbi 450 koncerte në katër kontinente.“Mbreti” i Çiftelisë, e cilësuan Ndue Shytin media prestigjioze të kohës si dhe kritikë e studiues arti. Me virtuozitetin e tij interpretativ tesiturës tepër të kufizuar të instrumentit të çiftelisë i dha një shtrirje të paimagjinueshme, duke befasuar muzikant shqiptar e të huaj. Me talentin dhe intuitën e tij prej muzikanti të mirëfilltë është i pari artist në shkallë vendi që arriti të krijojw orkestrinën e çiftelive tw temperuara duke ndarë në tone dhe semitone me shkallë muzikore të plota, maxhore e minore, tastierën e instrumentit të çiftelisë.  Bazuar në këto dhunti të Tij, shkruan Mark Mesuli në librin monografik “Gjeniu i Çiftelisë”, Çesk Zadeja do të shprehej: “Ne të gjithë kompozitorët e shkolluar, jemi munduar gjithmonë të sjellim elemente të trashëgimisë botwrore, kurse Ndue Shyti i ka dhënë trashëgimisë botwrore”. Edhe studiuesi i folklorit shqiptar Ramadan Sokoli thoshte: “Pa mohuar vlerat e pakrahasueshme si muzikant (krijues, interpretues, dirigjent), më ka bërë përshtypje shumë të madhe shkalla e lartë e inteligjencës së tij, në raport me muzikën. E vështirë dhe deri atëherë e pamundur që një instrumentist të luante në vegël e të drejtonte njëherazi 103 instrumentistë të tjerë. Këtë e ka bërë Ndue Shyti… Ndue Shyti është përfaqësuesi më dinjitoz i muzikës popullore instrumentale”. Ndue Shyti ishte i aftë të akordonte çdo instrument të orkestrës në tonalitetin e duhur sipas shtrirjes së vokalit të çdo këngëtar. Në këtë mënyrë “Artisti i Popullit” Ndue Shyti me orkestrinën e çiftelive të temperuara arriti që me dhuntinë e talentit të tij, të orkestroi dhe shoqëroi edhe këngët qytetare popullore të interpretuara nga këngëtarët e trevës së Pukës si: Vitore Rusha, Zojë Pali, Muhamet Laçi, Dava Gjergji, Nikoll Cara, Vitore Matoshi e Fran Gjoka, por dhe ata të trevave të tjera të vendit të kënduara nga artistë të mëdhenj të këngës popullore shqiptare si: Ibrahim Tukiçi, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizi, Sali Brari e të tjerë.

  Krahas këtyre arritjeve, magjia dhe mrekullia e Ndue Shytit qëndron tek interpretimi i tij virtuoz në çiftelinë e thjeshtë dhe bilbil si dhe krijimi i sa e sa pjesëve instrumentale të luajtura nga orkestra e madhe e çiftelive ku numri i instrumentistëve, të përgatitur prej këtij artisti të madh, kalonte mbi njëqind.  Ndërsa bylbyli i Ndue Shytit tingujt e të cilit ngjasonin me timbrikën e fyellit dhe flautit, i përgatitur, nw mwnyrw artizanale, nga dora e tij, kishte një bukaturë të veçantë, që as sot e kësaj dite nuk arrin ta prodhojë e t’i bjerë askush tjetër.

 Po kështu, tonaliteti e tingëllima e çiftelisë së Ndue Shytit dhe orkestrës së drejtuar prej tij, ishin dhe mbeten origjinale dhe të papërsëritshme në llojin e tyre. Kur interpretonte solo, zakonisht, dy telat e çiftelisë i akordonte në kuartë e unison. Por ai aplikonte dhe mënyra të tjera akordimi, si element të ri artistik interpretimi, me fuqi të madhe shprehëse. Ky instrument fare i thjeshtë, i ndërtuar nga mjeshtri Gjin Shkoza, me dru mani e me dy tela, u bë vegla muzikore, aq e preferuar, që në duart e artistit te madh Ndue Shyti, asokohe instrumentist edhe në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, korri sukses të paimagjinuar. Ashtu si Paganini në violinë edhe Ndue Shyti në çifteli shpesh herë ka interpretuar, me sukses, në skenë edhe kur çiftelisë së tij i është këputur njeri tel. Nga shpejtësia e dorës së djathtë që iu binte dy telave me tastin e qershisë, çdonjëri syresh nxehej e bëhej prush e dukej sikur nxirrte flakë. Ashtu në flakë, në vitet 70, ndezi dhe zemrat e spektatorëve francez, kur ngriti në këmbë një sallë të tërë që me duartrokitje të pandërprera, duke shkelur rregulloren e festivalit, risollën serish në skenë, për tjetër interpretim. artistin e madh nga Shqipëria Ndue Shytin. Virtuoziteti i Ndue Shytit, asokohe befasoj jurinë e Festivalit të Dizhonit (në Francë), ku artisti famëmadh shqiptar, me një sukses e vlerësim të padiskutueshëm, fitoi “Gjerdanin e Artë”. Duke qwnw fitues i sa e sa çmimeve kombëtare e ndërkombëtare Ndue Shyti i bëri nderë jo vetëm Pukës qw e lindi, por mbarë kombit shqiptar. Njw talent ndryshe në krijimtari, virtuoz nw interpretim dhe muzikant me vesh apsolut. Krijimtaria dhe interpretimet e tij, me audio dhe figurë, tashmë janë një pasuri e çmuar e Institutit tw Folklorit dhe arkivit të Radio-Televizionit Publik Shqiptar, që meritojnë të ruhen me kujdes dhe të promovohen sa më shumë si asete të papërsëritshme muzikore. Duke punuar për afër 20 vite në Pukë, fillimisht si instrumentist në Pallatin e Kulturës dhe më pas telekronist i TVSH-s për këtë rreth, pata fatin të punoj me Ndue Shytin në orkestrën e çiftelive, më pas si gazetar, ta xhiroj dhe intervistoj sa e sa herë e ta njoh nga afër atë, duke mbetur, që asokohe, (shtator 1981), miq të pandarë me njwri-tjetrin. Në radhë të parë Ndue Shytin e njoha si njeri tepër të thjeshtë, bujar e malwsor fisnik dhe se dyti e njoha si artistin e palodhur, që me fuqinë e tij krijuese, interpretuese e organizuese gjeneronte vlera të veçanta dhe origjinale edhe si drejtues i orkestrinës së çiftelive dhe ansamblit popullor “PUKA”.

 Vija në këtë rreth i emëruar për të punuar si mësues i gjuhës dhe letërsisë. Ndërkohë, kisha mbaruar dhe shkollw muzike dhe Puka për këtë kishte më shumë nevojë. Për këtë arsye Ndue Shyti trokiti nw derën e seksionit të arsimit dhe instanca të tjera më të larta të pushtetit që të më aktivizonte me Pallatin e Kulturës.

 Kështu u bë, s’ia prishte njeri atij. Duke parë dëshirën dhe vullnetin tim për studim, Ndoja më mësoi instrumentin e çiftelisë dhe më pas më bëri pjesë të orkestrinës që ai drejtonte. Kemi konkurruar në festivale e dhënë sa e sa koncerte, si në Pukë ashtu dhe në rrethe të tjera të vendit. Kudo, ai korrte një sukses të jashtëzakonshëm. Gjithnjë shfaqja koncertale e jona kulmonte me daljen në skenë dhe interpretimin e “Artistit të Popullit” Ndue Shyti.  Ishte shtator i vitit 1981, kur shkuam në Tiranë për të konkurruar në Festivalin e Ansambleve të Klasës Punëtore. Pas përfundimit të konkurrimit në Tiranë do të jepnim koncerte në qytetin e Durrësit. Atë ditë shtatori, pas dreke në orwn 17:00, në sallën e Institutit të Lartë të Arteve, sot Universiteti Shtetwror i Arteve, doli në skenë grupi konkurrues i rrethit të Pukës, që drejtohej nga “Artisti i Popullit” Ndue Shyti. Shfaqja ishte nën regjinë e regjisores Vera Grabocka. Salla ishte e mbushur plot me spektator, por dhe me një juri muzikantësh nga me të mirët e vendit. Sipër në lozhë, me kujtohet se, kishin zënë vend autoritetet muzikore të kohës, Kostandin Trako, Tonin Harapi, Rozmari Jorganxhi, Ibrahim Malli, Tish Daija, Pjetwr Gaci dhe të tjerë muzikant e instrumentistë që nuk i njihja. Kur pwrfundoi interpretimin Ndue Shyti me orkestrën e tij të gjithë këta muzikantë të mëdhenj shqiptar janw ngritur në këmbë duke duartrokitur gjatë.

 Episodi tjetwr: Bënim përgatitje në sallën e pallatit të kulturës së qytetit të Pukës për Fest-Folk-Gjirokastër 1983. Para se të shkonim për konkurrim, me numrat e përzgjedhur jepnim shfaqje për artdashësit e qytetit të Pukës dhe Fushë-Arrësit. Për ndihmë të kualifikuar, në njërin prej këtyre koncerteve, që emërtohej si provë gjenerale, asiston në sallë dhe kompozitori, “Artisti i Popullit”, Çesk Zadeja. Mbyllte koncertin orkestrina e çiftelive, ku Ndue Shyti luante solo në bylbyl në këtë pjesë orkestrale të krijuar prej tij enkas për këtë festival. Pas përfundimit të koncertit, kompozitori i madh Zadeja bëri një takim me festivalistët, ku i falënderoi ata dhe drejtuesit e grupit për punën e bërë. Ndërkohë për ndonjë numër prof. Zadeja parashtroi dhe sugjerimet e tij, me synim që rrethi i Pukes të përfaqësohej sa më denjësisht në këtë festival. Ashtu me sytë plot shkëlqim iu drejtua Ndue Shytit me këto fjalë: -“Të lumtë Ndue Shyti! Pjesa instrumentale e juaja mw surprizoi dhe emocionoi njëkohësisht. Gjithçka ishte perfekte. Me këtë që sollët sonte në skenë dhe me të tjerat që kam parë e dëgjuar, ju njihni, mw mirë se unë, çdo element kompozicional të krijimit e interpretimit të një vepre muzikore. Me fuqinë natyrore të talentit tuaj të lindur, njihni shumë mirë reprizën dhe codën e një vepre muzikore, siç janë këto të tuat, vërtetë një sinfoni me dy tela. Bravo Ndue”!

Erdhën gjithë pukjanët, derë për derë, bashkwpunwtorwt e afwrt tw tij, krijues e dashamirës të artit nga çdo rreth i vendit, por dhe shqiptarë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e diaspora. Të gjithë këta i bënë nderime Ndue Shytit se ishin të bindur në kontributin e tij të vyer në shërbim të artit, kulturës, shoqërisë dhe kombit të vet. Këtë vlerësim nuk e shprehën dhe aq, atë ditë, dikasteret e institucionet e vendit. Veç këshilltarit të Kryeministrit për Mbrojtjen gjeneral Sandër Lleshi, nuk u panë aty të bëjnë homazhe pranë trupit të pa jetë të artistit famëmadh as drejtues apo përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Kulturës dhe asnjë ministrie tjetër. As në këtë rast vlera e Ndue Shytit, si njeri dhe si artist i madh, nuk u zbeh aspak. Përkundrazi pjesëmarrja masive e popullit të vet, të ardhur nga çdo cep i vendit, qytet, fshat, mal, fushë dhe kodër, konfirmuan dhe një herë të vërtetën e pakontestueshme se Ndue Shyti ishte “Artist i Popullit”. Gjithsesi, në perceptimin tim logjik, krijimtaria e pasur me interpretimet e tij virtuoze, me çmimet e mëdha kombëtare e ndërkombëtare që mori, me sukseset qe korri në skenat e shumë vendeve të Europës dhe botës mbarë, autori e dirigjenti i “Simfonisë me dy tela”, “Mbreti i Çiftelisë”, “Artisti i Popullit”, “Nderi i Kombit”, Ndue Shyti fitoi varfërinë, lavdinë dhe pavdekësinë e përjetshme.

SHKARKO APP