Në 450-vjetorin e Budit

Me datë 23 04 2016 në Klos u mbait konferenca jubilare mbi 450-vjetorin e lëvruesit të parë të vjershërimit shqip, humanistit dhe klerikut patriot Pjetër Budi. Kjo veprimtari u organizua në sajë të bashkëpunimit të Bashkisë Klos me Qendrën  Shqiptare të Studimeve Letrare “Budi” dhe revistën “Emathia”.  Në mëngjesin e kësaj dite një grup intelektualësh, poetësh e studiuesish të veprës së Budit, nën drejtimin e studiuesit Behar Gjoka, bënë një vizitë në shtëpinë muze të Budit në Gur të Bardhë. Pritja e ngrohtë u bë nga familjarë e të afërm, pasardhës të Budit, si dhe nga administratori i njësisë Xibër-Guri i Bardhë, Fitim Hoxha e drejtori i shkollës nëntëvjeçare “Pjetër Budi” Guri i Bardhë Esat Lasku. Ishin të pranishëm edhe bashkëfshatarë e nxënës të shkollës dhe binte në sy mënyra tradicionale e pritjes, ku veç të tjerash shquhej edhe veshja specifike e gruas së këtij fshati, e cila është një veshje e trashëguar qytetëse me elementë  dallues që e bëjnë të zërë një vend të veçantë në fondin e artë të veshjeve tona kombëtare.

Pas vizitës mbresëlënëse në shtëpinë muze të Budit, veprimtaritë vijuan me konferencën jubilare në 450-vjetorin e Budit, e cila u zhvillua në sallën e bibliotekës së qytetit Klos. Morën pjesë studiues të veprës së Budit, profesorë, intelektualë e drejtues institucionesh, deputeti i zonës,Bedri Hoxha, Kryetari i Bashkisë Klos, z. Basir Çupa, Kryetari i Bashkisë Mat, Z. Nezir Rizvani etj. Përshëndetja dhe urimi i  mirëseardhjes për të ftuarit, u bë nga kryetari i Bashkisë Klos, Z. Basir Çupa, i cili, ndër të tjera theksoi: “Ndjehem krenar t’u uroj mirëseardhjen në jubileun e 450 vjetorit të këtij humanisti të madh, vepra madhështore e të cilit, që nga ajo kohë rrënjosi një botëkuptim laik për çështjen kombëtare dhe thirri muslimanë e të krishterë për t’i dalë zot vendit të etërve të tyre. Mirë se erdhët për t’u bërë homazh simboleve të urtësisë së kësaj treve që prej shekujsh lartësuan këto bjeshkë me thirrjen: “ Zoti kërkon që besimtarëve tu flitet në gjuhën amtare”! Ishte Budi i madh, i cili prej më se katër shekujsh vlerësonte dijen njerëzore, ndriçimin e mendjes së njerëzve, si domosdoshmëri për të qenë të lirë. Ishte Budi, bir i lavdishëm i kësaj treve dhe i gjithë kombit shqiptar, që përcaktoi pozicionin e artë midis teologjisë dhe urtësisë popullore. Janë këto troje të Budit, të Kastriotëve, të mbretërimit shqiptar, të djepit të shqiptarizmës që na bëjnë të gjithëve krenarë dhe të vendosur për të ecur të sigurtë në ardhmërinë tonë. Kjo na bën të jemi të vetëdijëshëm se detyrimi ynë për të ndriçuar këto rrënjë të thella të ekzistencës sonë nuk njeh kufi”.

Konferenca u moderua nga studiuesi Behar Gjoka, i cili mrekullisht harmonizoi rendin e veprimtarive, duke u treguar deri në fund tërësisht korekt, veçanërisht në saktësimin e problematikave, që natyrshëm në evente të tilla shfaqen edhe dukuri rastësore e pse jo edhe befasuese. Me duartrokitje u prit, përshëndetja nga larg e prof. Dr. Albert Frashëri, si dhe materiali i tij, i titulluar “Pjetër Budi, vepra e tij thelb  humanizmit shqiptar të shekujve XVI-XVII”. Kjo kumtesë u paraqit nga intelektuali i njohur Fatmir Neli, drejtor i shkollës “Tahir Hoxha” të Klosit dhe gazetar i Mat-Tv. Prof. Albert Frashëri, duke trajtuar frymën humaniste të Budit, nënvizonte “se kjo frymë humaniste u shpreh nga figura të mëdha të botës shqiptare, që e tejkaluan pamjen thjesht fetare të veprës së tyre. Ata ishin patriotë dhe intelektualë të ndritur që nuk pёrdorёn shqiptarizmёn pёr tё mbrojtur fenё. Pёrkundrazi, ata si edhe Gjergj Kastrioti, pёrdorёn fenё pёr tё mbrojtur shqiptarizmёn”. Më tej prof. Albert Frashëri vijonte: “Vepra e Pjetër  Budit ashtë themelore sepse shpreh qartë një botëkuptim laik për çështjen kombëtare dhe thelbin illuminist të veprës së humanistëve shqiptarë duke filluar nga vetë Budi.

Humanizmi i thellë i veprës së Budit përkon në kohë me Rilindjen europiane, edhe pse ashtë ende shumë herët. Ai nuk ka studiuar në auditorët e vendeve perëndimore. Kjo na jep të drejtë të mendojmë që botëkuptimi i këtij qytetari të madh të Arbërit, të jetë shprehje e humanizmit të popullit të tij”.

Më tej prof. Frashëri citonte:”Budi, njeriu i urtë si Sokrati i Lashtësisë,tregoi plagët e kombit, pa i përzierë ato me fenë.Mjerimi dhe padituria, mungesa e shkollave dhe problemi i gjuhës. Kjo ashtë diagnoza e Budit për vendin e tij”.

Po ashtu, ai citon se Budi vuri në themel të botëkuptimit të tij rolin e gjuhës në jetën dhe emancipimin e kombit. E çfaqi këtë bindje edhe kur u kërkonte klerikëve të ndihmonin më shumë për të mësuar fëmijët, sidomos në shkrimin e gjuhës amtare. Më tej , vazhdon prof. Frashëri,  “pohimi i tij mbi Zotin që lyp gjuhën amtare si mjet të komunikimit me besimtarin, përbën një hap të madh në jetën fetare të popullit. Ai do të lutej në gjuhën e vet dhe jo në latinishten që edhe besimtarët italianë nuk njihnin” .

Pas materialit interesant të prof. Frashërit, vijuan punimet me materialin e përgatitur nga  Dorian Koçi i titulluar: “Shtegëtimi i Budit në historinë e letërsisë    “, Behar Gjoka me temën”Pjetër Budi-epoka-jeta dhe vepra letrare”, Aqif Ymeri me temën “Qyteza e Petralbës-vatër e hershme qytetërimi dhe e rezistencës Shqiptare”, Hysni Ndreu me temën: “Pjetër Budi dhe vijimësia e tij gjuhësore e letrare në letërsinë shqipe”, Hamdi Hysuka me materialin e titulluar: “Mesazhe artistike nga analiza dhe komenti I poezisë budiane”, Adi Darsi me materialin e gjërë e interesant “Budi dhe publiçistika e gjysmës së parë të shek. 20” dhe së fundi me materialin shumëdimensional e të ilustruar të studiuesit Artan Kurti të titulluar: “Trashëgime historike-kulturore rreth viseve të Budit “. Duhet të nënvizojmë se midis dy seancave të konferencës, u paraqit videomontazhi mbresëlënës dhe po aq interesant i titulluar: “Guri i Bardhë në 450 vjetorin e Budit”, i përgatitur mjeshtërisht nga Artan Kurti dhe me tekst të  poetit e studiuesit Rakib Lasku. Pas kumtesave vijuan përshëndetjet, që nisën me deputetin Bedri Hoxha e më tej disa diskutantë, si Idriz Xhomara, Gjokë Dabaj, Flamur Bala, Esat Ruka etj., si dhe të tjera përshëndetje e recitime shumë dinjitoze të nxënëseve të shkollës nëntëvjeçare “Tahir Hoxha” Klos,Iris Dalliu e Xhesika Dedolli .

Aqif Ymeri

SHKARKO APP