Në 8-vjetorin e ndarjes nga jeta të fratit të madh, At Zef Pllumbi

Nga Jak Rrozhani

Sot mbushen 8 vjet nga humbja e një prej njerëzve më të ndritur, At Zef Pllumi. At Zef Pllumi, rrëfeu çfarë është e vërteta, çfarë është qëndresa dhe kush e bëri atë, fisnikërinë dhe madhështinë e saj. Ai risolli rreth nesh mësues të mëdhenj e veprën e tyre rilindase: Fishtën, Harapin, Gjeçovin, Shllakun e shumë etër të Kombit, pishtarë të tjerë të dijës e të rezistencës antikomuniste. Ai ishte njëri nga ata, si nxënës, si dishepull, si njëri prej tyre, si bartës i amanetit me veten; vetëm për me tregue dhe traditës, i përjetësoi ata, i bëri të pavdekshëm.

At Zef Pllumi, bashkoi epokat me jetën e tij të mbushur me kulturë, qëndresë, vuajtje, vite të tëra burg, qëndresë, besim te Zoti, shpresë dhe luftë paqësore për liri. Përmendorja e ideologut të lirisë kundër tiranisë, e fenomenit kulturor shqiptar, e “Nderit të Kombit”, At Zef Pllumi, e vendosur në shëtitoren përballë detit Adriatik në plazhin e bukur të qytetit të Shëngjinit, si biri i tij, e ka kthyer atë përgjithmonë tek të vetët e tek të tjerët, të gjithëve ne, si njëri prej tyre, si modeli dhe krenaria e tyre. Dëshmi kemi veprën e tij monumentale, e cila e ka përjetësuar këtë marrëdhënie uliksiane në shumë faqe krijimtarie, ku pasqyrohet e vërteta, qëndresa, shpresa, paqja. Si askush tjetër, At Zef Pllumi, me jetën dhe veprën e tij, u bë emblemë e lavdisë së Kishës Katolike Shqiptare, e Françeskanizmit Shqiptar, e binomit “ Fe e Atdhe”. Pas rënies së komunizmit, At Zef Pllumi, iu vu punës me energji rinore për të lidhur fijen e këputur me traditën kombëtare, por edhe me kontinentin, Europën, me botimin e “Hyllit të Dritës”, etj . Krijimtaria e tij e pasur dhe origjinale, e vërtetë, plot qëndresë e shpresë, e ktheu atë, në fratin e kujtimeve, i cili i zbuloi qytetërimit, se çfarë ka qenë  historia jonë, shpresat dhe honet e saj, njeriu shqiptar në dy kohë, filozofitë e tij, totalitarizmi, diktatura, mekanizmi dhe njerëzit e saj, dhuna, plagët që shkaktoi e që la, po mbi të gjitha, ai rrëfeu : çfarë ishte qëndresa dhe kush e bëri atë, fisnikërinë dhe madhështinë e saj.

At Zef Pllumi, është nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, dhe me çmimin “Penda e Artë “ në letërsi, si dhe vlerësimin më të lartë, atë të dashurisë dhe mirënjohjes që e ka marrë nga populli i tij, nga të gjithë shqiptarët. Prandaj, kush të vizitojë qytetin e bukur bregdetar të Shëngjinit, të ndalet para monumentit të At Zef Pllumit, të meditojë pak, të njihet me veprën dhe jetën e tij. Se kështu kemi për të konsoliduar krenarinë kombëtare, kemi për të gjetur më shumë besim e shpresë për të ardhmen, ideologun e lirisë kundër tiranisë në memorien e këtij kombi, shqiptarin e pa cenuar nga provat e rënda të kohës, shqiptarin siç ka qenë, siç është e si duhet të jetë, pikë referimi e pelegrinazhi për qytetarët, pushuesit e turistët, një emblemë e fratit të devotshëm, qëndresës, shkrimtarit të pasqyrimit të së vërtetës njerëzore, paqes e humanizmit.

SHKARKO APP