Në 80-vjetorin e ardhjes së “Migjenit” në Pukë
Nga: Kol DEDAJ /Është ditë e hënë datë 18 prill 2016 ora shënon 7.00 e mëngjesit, qyteti i Pukës është i tëri i zgjuar, rrugët e tij gumëzhijnë, njerëzit vijnë nga të katër anët e qytetit, në drejtim të qendrës së tij për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Bashkia për përvjetorin jubilarë të 80-vjetorit të ardhjes në Pukë të mësuesit, shkrimtarit, poetit, prozatorit të shquar Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni).
Ndërkohë që mbi Pukën piktoreske kanë rënë rrezet e para të diellit, mali i Tërbunit me madhështinë dhe gjelbërimin e tij, me armomën pranverore, krahë hapur si përherë ju uron mirëseardhjen mysafirëve nga të katër anët e vendit dhe më tej nga viset dhe diaspora, ndërsa qyteti i bukur, i pastër, i qetë, i hijshëm e kreshnik, i vendosur në rrëzë të malit të Tërbunit, dhe në mes të dy liqeneve si një oaz turistik, i pret me këngë e valle.
Këtë aktivitet e ndërojnë me pjesëmarrjen e tyre përsonalitete të larta shtetërore si: këshilltari i Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Shkëlqim Gashi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, përsonalitete të qeverisjes vendore si: kryetari i Bashkisë Pukë z. Gjon Gjonaj, Kryatari i Bashkisë Fushë Arrës z. Fran Tuci, zv. Prefekti z. Marash Kola, Drejtori i drejtorisë arsimore të rrethit Pukë z. Nikolin Prenga, studiuesit: z. Ahmet Osja, z. Bajram Xhafa, z. Moikom Zeqo, z. Neritan Ceka, z. Fadil Kraja, z. Xhemal Meci, artistja znj. Tinka Kurti, poeti i mirenjohur z. Agim Doçi, mbesa e Migjenit znj. Angjelina Ceka, znj. Tefta Radi, z. Sefer Pashaj, si dhe z. Tonin Alia, z. Bilbil Dervishi, z. Preng Pistja, z. Mark Mesuli, z. Ismet Bala, z. Muharrem Neziri, z. Pal Papushi, z. Pashk Alia, etj.
Koha kalon pa e kuptuar dhe ja tek fillon aktiviteti ku kryetari i bashkisë Pukë z. Gjon Gjonaj bën zbulimin e përmendores dhe vazhdon me fjalën përshëndetëse, për të vazhduar më tej me përshëndetjen e z. Shkëlqim Gashi, këshilltarit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ndërsa në emër të sponsorit të kësaj përmendoreje z. Fran Gjoka përshendeti i vëllai, në emër të Presidentit të Kosovës të pranishmit i përshëndeti ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, një përshëndetje të vëçantë për të pranishmit ishte dhe ajo e mbesës së Migjenit znj. Angjelina Ceka.
Më tej u vazhdua me vizitat në shkollën 9-vjeçare ” Migjeni” dhe në muzeun e arsimit “Migjeni” ku studjuesi i mirënjohur Pukjan z. Xhemal Meçi (Mjeshtër i Madh) i njohu të pranishmit me jetën dhe veprën e Migjenit të pasqyruar me foto, libra, objekte, skulpturë, etj. të administruara me kujdes të veçantë prej tij, në të katër pavionet e këtij muzeu.
Në vijim evenimenti u zhvendos në pallatin e Kulturës të qytetit në sesionin shkencore dhe promovimin e librit “Zeneli ynë i paharruar” të autorit z. Idriz Ahmetaj, ky folën zv. Prefekti z. Marash Kola, drejtori i drejtorisë arsimore të rrethit Pukë z. Nikolin Prenga, dhe më tej u vazhdua me kumtesën e studiuest Pukjan z. Xhemal Meci (Mjeshtër i Madh) me temë “Migjeni për nxënësin e tij ideal” dhe kumtesën e z. Pashk Alia me temë “Mes nesh ai ishte më i miri” sipas kujtimeve të Idriz Metit. Mjaft mbresëlënëse ishte përshëndetja që ju bëri të panishmëve znj. Zana Islami e bija e Zenel Islam Shkrelit. Pastaj për të pranishmit, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Migjeni” recituan pjesë nga krijimtaria e Migjenit.
– JETA E MIGJENIT
Ky shkrimtare i shquar i viteve 1930, konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë Shqipe të shekullit te 20-të, me një stil krejtësisht origjinal dhe krijues dhe me ndikim të drejtëpërdrejtë në letërsinë Shqipe.
Millosh Gjergj Nikolli është emri i tij i plotë, ndërsa emri i tij i shkurtuar ose siç e quajmë ndryshe emri i pendës është “Migjeni”, i formuar nga gërmat e para të: emrit, atësisë, mbiemrit (Mi-gje-ni).
Migjeni u lind me 13 tetor 1911 në Shkodër, arsimin fillor e mori në qytetin e lindjes dhe më tej nga vitet 1923 deri në vitin 1925 u shkollua në Tivar, në vjeshtën e vitit 1925 filloi studimet në gjimnazin e Manastirit deri në vitin 1927, vit në të cilin u regjistrua në seminarin “Jan Shën Teologu” po në Manastir, kohë gjatë së cilës Migjeni u bë edhe njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja si: Serbisht, Greqisht, Latinisht, Frengjisht, Rusisht, ku një rëndësi të veçantë i kushtoj gjuhës Frënge dhe Ruse në të cilat lexonte drejtëpërsëdrejti autorët më të njohur.
Me 18 qershor 1932 Migjeni mbaroi studimet.
Në vitin 1933 deri në vitin 1936 Migjeni punoi si mësues në Vrakë të Shkodrës.
Në vitin 1936 deri në nëntor 1937 Migjeni punoi si mësues në shkollën e qytetit të Pukës
Në nëntor 1937 Migjeni shkon në Itali për kurim, ku në vitin 1938 pas një sëmundje të rëndë ndërron jetë në një moshë fare të re, vetëm 27 vjeçare, ndërsa në vitin 1956 nën përkujdesjen e Shtetit Shqiptar eshtrat e Migjenit u sollën për tu prehur në atdhe.
– VEPRIMTARIA LETRARE E MIGJENIT
Veprimtaria letrare e “Migjenit” shtrihet nga viti 1933 deri në vitin 1937.
Shkrimet e para “Migjeni” i botoi në vitin 1934 në bashkëpunim me revistën “Iliria”, “Bota”, etj. për të vazhduar me poezitë e para si: “Zgjimi”, “Të bijtë e shekullit të ri”, “Shkëndia”, “Shpirtënit shtegtar”, etj.
Në veprat e tij më të mira “Migjeni” i frymëzuar nga ngjarje, dukuri dhe personazhe reale të kohës ku të paharruara mbetën veprat e “Migjenit” të tilla si: “Legjenda e misrit”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Luli i vocërr”, “Zeneli”, “Bukën tonë të përditshme falna zot”, “A don qymyr zotni”, “Zoti të dhashtë”, “Studenti në shtëpi”, “Kanga skandaloze”, “Programi i një reviste”, “Novela mbi krizën”, për të kulmuar në kryeveprën e tij “Poema e mjerimit”, etj.
Veprat e “Migjenit” janë botuar tre herë, respektivisht në vitin 1954, 1957, 1961, shumë prej të cilave janë përkthyer dhe në disa gjuhë të huaja.
Për veprën dhe jetën e “Migjenit” janë botuar, libra, shkrime, studime dhe artikuj të shumta.
Nga viti 1957, Migjeni mban titullin e lartë “Mësues i Popullit”.
Kur njihesh me jetën e veprën letrare të këtij shkrimëtari menjëherë mendja të shkon se: Rrallë mund të gjendet një poet i tillë si “Migjeni” që në katër vite krijmitari letrare, të filluar dhe mabruar në moshën e rinisë, të dhurojë vepra të tilla të gdhenduara thellë në memorjen e një Kombi.
Bashkia e Pukës i ka dhënë Migjenit titullin “Qytetar Nderi”, njëkohësisht shkolla 9-vjeçare e qytetit mban emrin “Migjeni”, gjithashtu dhe Muzeu i Arsimit mban emrin “Migjeni”, dhe tashmë në këtë qytet gjendet dhe shtatorja e “Migjenit” që në dijeninë time është e para në vend, duke bërë që binomi “Puka dhe Migjeni” të jenë përjetësisht në memorjen tonë.