Në 82-vjetorin e Bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha

Artistja e madhe shqiptare, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, Ema Sumak Shqiptare, “Madam Butterfly”, Zëri i Kristaltë, apo thjesht… Nexhmija, ka festuar ditën e djeshme 82-vjetorin e lindjes. Detajet se me kë dhe ku e ka kremtuar këtë përvjetor lindjeje akoma nuk bëhen të ditura, por ajo çka mbetet e sigurtë është fakti që Pagarusha rrethohet kudo e ngado me dashuri, pasi publiku është admirues i kësaj ikone. Një nga këngët më të dashura për të gjithë ne mbetet “Baresha”, këngë e cila këndohet sot e kësaj dite nga të gjitha grupmoshat. Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës, ku ndoqi shkollën fillore, ndërsa shkollimin e vazhdoi për 3 vjet në Beograd në shkollën e muzikës për solo kanto. Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, saqë është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera, por pati karrierë të suksesshme edhe si aktore, si në film ashtu edhe në teatër. Angazhimin e parë profesionist e pati në Radio Prishtinë, ku në vitin 1948 u pranua si soliste. Paraqitjen e parë skenike e realizoi në Beograd, ndërsa karrierën muzikore e përfundoi me një koncert në Sarajevë në vitin 1984, në mënyrë që edhe një herë t’i rikthehej skenës, në vitin 2000, kohë kur në Tiranë interpretoi këngën “Për ty”. Jehonën e muzikës popullore shqipe e përhapi në shumë vende të botës, ku interpretoi me Ansamblin “Shota”. Ndër rreth 150 këngët që ka interpretuar, mbetet e paharruar “Baresha”, e kompozuar nga bashkëshorti i saj, Rexho Mulliqi dhe me tekst të Rifat Kukajt, por edhe, “Ani mori nuse”, “Zambaku i Prizrenit”, “E dehur jam” dhe shumë të tjera. Nexhmije Pagarusha mori shumë çmime, ndër të cilat "Këngëtare e Shekullit" në Kosovë dhe Urdhrin “Nderi i Kombit”, me të cilin e dekoroi presidenti shqiptar Bujar Nishani në vitin 2012.

 

 

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?