Në botën poetike të Këze Kozeta Zylos

Kemi pasur rastin ta njohim Këze Kozeta Zylon në faqet e shtypit shqiptar dhe të huaj, me poezitë dhe me publicistikën e saj, por edhe më herët, kur ajo ishte një nga mësueset e talentuara të arsimit tonë në gjimnazin “Çajupi” dhe në shkollat e tjera të Tiranës. Përherë energjike, me fjalën e saj të ëmbël dhe të brishtë, ajo përcillte mesazhe e mendime që linin gjurmë te bashkëkohësit e saj. Qysh në vargjet e para poetike, që ajo i përmblodhi në vëllimet “Monumenti i lotit” (2005) “Pranverë pa mimoza” (2006) “ Mjellmat po të vijnë” (2008) dhe “Një fjongo dielli nga Nju-Jorku” (2010), frymëzimi i saj me refleksione filozofike, i këndon njeriut shqiptar dhe botës ekzistenciale të tij.

Emri i Këze Kozeta Zylos është bërë mjaft i njohur në shoqërinë shqiptare edhe për faktin që ajo duke emigruar në SH.B.A, mbas kaq vjetësh ka krijuar një personalitet të veçantë në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe në faqet e gazetave “ILLYRIA” dhe “DIELLI”.

Me pasionin e saj dhe shpirtin e madh kombëtar ende vazhdon si pedagoge në “Globe Institute of Technology” në Manhatan si edhe në “ Bordin e Edukimit të Nju-Jorkut” apo në shkollën e mesme  “Susan E. Wagner”.

Veprimtaritë e saj kulturore, artistike  dhe kombëtare me Shoqatën e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, ato nëKishën e Fan S. Nolit në Boston apoaktivitetet për 28 nëntorin si dhe promovimin e imazhit të Shqipërisë në disa shtete të Amerikës, e kanë bërë atë një emër të përveçëm dhe të nderuar ndër emigrantët tanë në Kontinentin e largët amerikan.

E veçanta e krijimtarisë së gjerë e të thellë të Këze Kozeta Zylos është se shpirti i saj poetik shpërfaqet jo vetëm në poezi por po aq sukseshëm edhe në publicistikë, kritikë letrare dhe ese, ku flladitja e mendimit të saj është e mbushur me një botë të pasur e të veçantë estetike. Këtë e vëmë re edhe në librin “Refleksione shpirtërore” (2010) si dhe veçanërisht në botimin e vëllimshëm me 670 faqe të titulluar “Diaspora, si krahë shqiponje”(2015), në të cilat ligjërimi i saj poeti nismon e gurgullon me rrënjë të thella në Mezhgoram të Tepelenës, në vendlindjen e saj. Janë një sërë esesh, refleksionesh e reportazhesh, të cilat kanë në qendër të tyre personalitete mjaft të shquar si Stan Dragoti, Eliza Dushku, Naum Prifti, Sami Repishti, Elez Biberaj, Merita Halili, At Liolini apo senatorët e njohur amerikanë si Dio Guardi dhe Martin Golden, si edhe figura të tjera të shoqërisë “Vatra” e të diasporës shqiptare në përgjithësi.

Duke kundruar sidomos vargun dhe mesazhin poetik të Këze Kozeta Zylos, natyrshëm vihen re gjurmët e jetës së saj aq të thella qysh nga  Mezhgorani gjer në Tiranë dhe mandej në kontinentin e madh amerikan. Në këtë mozaik poetik, kuptohet, gjurmët më të thella ajo i ka lënë në arsimin kombëtar shqiptar. Prandaj një letër prej nxënësve të saj e çon atë në vitet e rinisë dhe në auditorët e shkollave. Në poezi të këtilla, kryesisht për nxënësit, në ato me titujt “Më djeg malli”, “Me ylbere malli lidha fëmijërinë”, “ Kujtimet si fletëz libri”, “Kur vjen 8 marsi”,  “Nxënësit pres”, “Ish-nxënësit tim A.L.” apo “Fantazia”, “Mezhgorani”, e çojnë lexuesin në një botë sa më romantike dhe realiste, kur poetja Zylo mediton dhe sjell përjetime të një imagjinate të ndezur, por përherë me këmbë në tokë.

Figurat poetike në këto poezi dhe të tjera në vëllimin e saj më të fundit “Kujtime, si fletëz libri”(2015), i burojnë poeteshës nga shpirti i saj, i dëlirë, si një bashkëbisedë me kohën dhe njerëzit, duke portretizuar udhët jo të lehta të jetës së saj. Por duke qenë larg atdheut, vargjet shpeshherë mbartin mbi supet e tyre mall e brengë,por përcjellin mesazhe domethënëse për botën e pasur të njerëzve.

Ashtu si mjaft poetë të tjerë bashkëkohorë, shpirti kombëtar i poetes Zylo, pi në gurrat e pashtershme të atdhetarisë, prandaj herë-herë në frymëzimin e saj dalin në pah atdheu si diell, mes palëve të Flamurit,Ismail Qemali si prijës pa të cilin “do isha një kandil i fikur”-siç shkruan ajo (fq.41) dhe pa Is Boletinin “do isha thjesht një robinë” (po aty); i cili erdhi prej Kosovës në Vlorë “si shqipe mali mbi flamur” (fq. 36) Po ashtu në poezitë e saj hyn Naim Frashëri si hyjnor, që shkronjat shqipe i mban si hënë të florinjtë në dorë. Këtu ajo i këndon me një zë të veçantë dramatik Kosovës dhe heroit legjendar Adem Jashari, me ashtën e trupit të të cilit, po të parafrazonin autoren, do shprehsha se janë ngritur monumente në Drenicë e Kosovë, më të bukura se skulpturat e Mikelanxhelos, sepse për to është përdorur palca e shpirtit kosovar (f.56), si edhe martirizimit të kosovarëve, të cilët nuk kursyen asgjë për lirinë dhe pavarësinë e tyre.

Është një cikël i tërë ky, ku poetja Zylo shpalos fjalën e saj brilante për bëma dhe trimëri si edhe mesazhet e paqes të shqiptarëve përballë Europës. Është humanizmi që ushqen poezinë e saj në detaje e përgjithësime, por edhe në portretizime të veçanta, siç është p.sh. poezia për këngëtaren Anita Bitri, që iu shua jeta aksidentalisht atje, larg atdheut.

Si një intelektuale me një shpirt të madh atdhetar Këze Kozeta Zylo na shpërfaq në poezinë e vet edhe qëndrimin e saj e mbi të gjitha, zhgënjimet e saj për zhvillimet e demokracisë në Shqipëri. Në poezi të tilla si “Anonimët me kokë të prera”, “Anonimi me emrin “qen” ”, “Banka si sarkofag”, “Dhe rrojnë vdektarët” , “Ledy Markbeth” apo “Liderë të frikshëm” etj, zbulojnë fatin dramatik të shqiptarëve në kohët moderne dhe qëndrimin kritik të poetes Zylo.

Një cikël më vete të krijimtarisë poetike të Këze Kozeta Zylos, zë dashuria e saj për Tepelenën, kur “pranë kalasë me plagë malli” , ndalet dhe dëgjon labçen e bukur, ku balli i poetëve, Lordi Bajron si pëllumb paqeje ishte atje mysafir (f.106). E ndjek dashuria për Mezhgoranin e saj, me simfoninë e këngës së përjetshme të kroit të tij ujëfreskët, i cili e nanuriste në gjumë dhe ku “me ylbere malli lidhi fëmijërinë” (f.59). Më tej gjen vargje të ngrohtë për xhaxhain e saj veteran, Shahin Gjoni, i larguar nga kjo jetë ; për poetin e ndjerë kosovar Tahir Desku, “poet me ëndrra dielli”. Shijon vargje mbresëlënës për mbesën saj Sarandën (edhe Dean), engjëll prej perëndie, me baba amerikan. Në vargjet e mëtejshme ka përkushtesa të ndjera për Heroin e Popullit Asim Zenelin, progonatas, që ra aty përfund fshatit të saj dhe kur gratë e Mezhgoranit u veshën me të zeza si për birin e tyre. Ato e përcollën me lot të valë dhe nderim të veçantë si për një hero dhe ku vajzat dhe nuset si pulëbardha, qëndisën me fije dielli dashurinë dhe kujtimin për të (f.72). Gjen vargje për nënën e mrekullueshme , “të ëmblën, flokargjendtë”, Liri Gjoni, me të cilën autoren e lidhin ylbere malli dhe kujtime të pashuara, që në kuptimin metaforik, bën diell në rrugën e jetës së saj kudo ku ndodhet.

      Ashtu si poezitë për Atdheun dhe Kosovën edhe në poezinë “Mirënjohje Amerikë”, flatrat e frymëzimit të saj na japin një tablo të re të emigrante në Kontinentin e Lirisë dhe të të Drejtave të njeriut, ku ajo mallshëm i këndon këtij vendi të bekuar, ku vetë endet e lirë dhe me një fjongo dielli nga Nju-Jorku përshëndes vendin tim, siç shprehet poetja Zylo, (f.64)

     Duke lexuar vëllimin poetik “Kujtimet si fletëz libri” (2015) të Këze Kozeta Zylos, lexuesi ndien dhe përjeton çaste të mrekullueshme e të mallënueshme në një botë poetike me meditime filozofike që poetesha thur me shpirtin e saj si një këngë, të cilën e mban në buzë në udhët e reja të një bote të ëndërruar prej kohësh.

Prof.dr. Bardhosh Gaçe dhe  Izet S. Çulli

SHKARKO APP