Në kërkim të Shqipërisë së post- pandemisë!
Nga Alfred Peza –
Pas goditjes nga virusi vrasës Covid-19, bota është në kërkim të përgjigjeve për shumë prej pyetjeve që janë ngritur sot rreth efekteve të saj afatgjata, prej të cilave do të varet edhe e ardhmja e shoqërisë njerëzore. As ne nuk mund të bëjmë përjashtim nga ky trend, ndaj që tani vërehen disa tendenca të reja të cilat tregojnë se jemi në kohë për të kërkuar që të dimë që sot, sesi do të jetë Shqipëria e nesërme e post- pandemisë.
Një nga elementët e parë pozitivë të përballjes së shoqërisë me pandeminë, ishte sqarimi i përditshëm e i pandërprerë rreth gjithçkaje që po ndodhte nga pikëpamja shëndetësore, nga ekspertët e fushës. Marja në dorë për herë të parë në dorë i komunikimit publik, i një çështje kaq të madhe për shoqërinë nga profesionistët, i hoqi mundësinë politikës që ta përdori pandeminë për qëllimet e axhendës së vet politike të ditës. Por, edhe spekullantëve gjithfarësh, që gëlojnë me shpejtësi frenetike në të tilla raste.
Ajo për të cilën bien dakord të gjithë analistët me reputacion ndërkombëtar, është fakti se vendet që arritën të përputhin tri elementët kyçe në përballjen ndaj efekteve të pandemisë ishin: një aparat shëndetësor e shtetëror kopetent, një qeveri së cilës qytetarët i besojnë dhe e dëgjojnë dhe udhëheqësit efektivë, që sollën reagim mbresëlënës, duke i kufizuar dëmet e pësuara nga Covid-19. Padyshim që një nga këto raste, është edhe Shqipëria.
Problemi themelor që del përpara nesh pas kësaj, është menaxhimi sa më i mirë i pasojave që pandemia ka sjellë për ekonominë tonë kombëtare, e për rrjedhojë edhe për biznesin privat, portofolet familjare e ato individuale. Pas këputjes së zinxhirit ekonomik, për shkak të izolimit total të vendit në mars dhe prill, hapja graduale gjatë majit dhe vijimi i saj dinamik gjatë qershorit, po sjellin shtimin e pandërprerë të oksigjenit financiar.
Lajmi i keq si për të gjithë ekonominë globale, është se rënia ekonomike, do jetë e pashmangshme. Pas tentativës më 2019 nga opozita për provokimin e një krize artificiale politike nga djegia e mandateve të deputetëve dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale, Shqipëria u përballë edhe me pasojat e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit. Shtoi këtyre dy momenteve, edhe goditjen nga pandemia brenda harkut të një viti e gjysëm, atëherëherë është më i kuptueshë stresi i krijuar për një ekonomi si jona.
Lajmi i mirë është se parashikimi për rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike të vendit, është tejet optimist. Në vitin 2021, presim që ekonomia e Shqipërisë të rritet me 12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), e cila në thelb është më e lartë sesa humbjet e shkaktuara gjatë këtij viti,- deklaroi Matteoi Colangelo, drejtori i BERZH-it për Shqipërinë. Parashikime të tilla janë bërë edhe nga institucione të tjera financiare ndërkombëtare, çka jep shpresa për ta parë të ardhmen me optimizëm.
Ky parashikim me siguri që bazohet tek injektimi në sistemin e ekonomisë kombëtare të 1.16 miliardë eurove të Programit të Rindërtimit nga tërmeti, tek rritja për shkak të investimeve në projektet e mëdha të infrastructures së vendit, tek rikthimi në gjendje optimale i turizmit, prodhimit, industrisë përpunuese, shërbimeve, agro-biznesit dhe rigjallërimit të tregjeve, për shkak të ripërshtatjes me epokën e post- pandemisë.
Shumë sektorë të ekonomisë sonë dhe jetës sonë shoqërore, që nga shkolla, arti e kultura, sporti etj, kanë nisur që tani që të ridimensionojnë qasjen e tyre. Biznesi shqiptar, po shfrytëzon revolucionin e teknologjive digjitale dhe përparësitë që sjell puna online dhe përmes distancimit social, në raport me mënyrën tradicionale të deridjeshme.
Promovimi i modeleve të suksesit dhe suportimi i tyre përmes programeve të ndimës ekonomike nga qeveria, BE dhe strukturat e tjera financiare ndërkombëtare, do e ndihmojnë vendit që ta kapërcejë sa më parë këtë moment ku ndodhemi. Konsumi dhe kërkesë- oferta në treg rriten edhe përmes një klime pozitive besimi, stabilitetit politik, sigurisë dhe zbatimit të rregullave të shtetit ligjor për të gjithë. Media ka një rol jot ë vogël në këtë drejtim, të cilën në disa raste ka nisur që ta luajë.
Pas pandemisë, Shqipëria është e sigurtë që nuk do të jetë më si më parë, por do të ndryshojë si e gjithë bota. Shumëkush nga ne, ka në dorë që ti paraprijë, ndryshe nga atëherë kur ra Muri i Berlinit. Kemi humbur shumë kohë dhe energji gjatë tranzicionit. Kjo e sotmja është e një natyre tjetër, por ndryshimi me siguri në disa aspekte mund të jetë po aq i madh, si ai që pësuam pas rrëzimit të komunizmit. Atëherë nuk ishte faji ynë. Sot e tutje, nuk kemi se kë fajësojmë tjetër, nëse nuk e kapim momentin!
Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest