Në Lezhë, mes librash…

Duke vizituar panairin me rastin e Ditës Botërore të Librit në Lezhë

NGA  Vlash Prendi/…Së bashku me poetin e njohur Viktor Gjikola përshkojmë sheshin para Pallatit të Kulturës, i cili ka vite që i është përkushtuar proceseve të zhvillimit të artit dhe kulturës dhe futemi mes morisë së njerëzve që kishin ardhur të vizitonin Panairin e Librit që u hap në qytetin e Lezhës me rastin e Ditës Botërore të Librit.

Në panair ka gjallëri. Njerëz të moshave dhe profesioneve të ndryshme vizitojnë panairin, të vetmin eveniment vjetor që u organizua në këtë qark kushtuar librit, këtij objekti gjysmë të gjallë që e ka zanafillën që nga kohët e lashta dhe ka shërbyer për edukimin dhe formimin e shoqërisë njerëzore. Ajo që të bie në sy, sapo të hyjsh në panair është mungesa e publicitetit, si për shtëpitë botuese prestigjioze, ashtu edhe për ndonjë botim të ri, me peshë në letërsinë apo historinë tonë kombëtare. Kam vizituar periodikisht shumë panaire librash të hapura në Tiranë, më kanë pëlqyer,sepse kanë luajtur rolin e tyre pozitiv në reklamimin e vlerave të letërsisë dhe publikimin e punës së shtëpive botuese, ashtu siç po bën edhe ky panair modest që u organizua  në qytetin e bukur të Lezhës.

Ishte mëngjes, po në panair kishte mjaft njerëz. Si gjithmonë, me Viktorin po bisedonim për çështje historike dhe letrare. Më befasoi me informacionet e reja që më dha rreth kësaj ngjarje me rëndësi kulturore. Më njoftoi se në panair, tre nga autorët më me vlerë që ishin publikuar në stendat e këtij aktiviteti ishin Ndoc Nikaj, Milan Shufflay dhe Shtjefën Gjeçovi, i pari i shtëpisë botuese “Gjergj Fishta”, i dyti i asaj Françeskane dhe tjetri i Universitetit të  Prishtinës. Ai më prin për të më treguar stendën, ku janë ekspozuar librat. Befasohem kur shoh se libri ishte afishuar në vitrinën e shtëpisë botuese “At’ Gjergj Fishta në Lezhë që drejtohet nga i mirënjohuri Frano Kulli, i cili kohët e fundit është nderuar me titullin “Nderi i Qarkut të Lezhës”, për punën e lavdërueshme dhe plot pasion të bërë në fushën e botimeve. E shfletoj librin e shkrimtarit të shquar Viktor Sopi me shumë kujdes dhe nostalgji, sepse Gjeçovi është ndër të vetmit autorë që u mor me traditën historike të kombit tonë, i vetmi që nxori në dritë fakte të trishtueshme të popullit shqiptar që nga mesjeta e hershme deri në mes të shek.XIX. Ndalem për disa minuta bashkë me gazetarin Fran Gjoka para stendës së SHB “Gjergj Fishta”, ku është ekspozuar edhe vepra e Prof.Mark Vujit, i cili ka pak kohë qe është ndarë nga jeta. E kujtojmë plot nderim dhe respekt profesorin, figurën e nderuar të shkencës pedagogjike shqiptare.

Ndalemi përpara prestigjiozes “Skanderbeg Books” të botueses z.Flutura Açka. Nuk jam i painformuar për aktivitetin e kësaj shtëpie botuese nga më të njohurat në vend,sepse edhe Fluturën e kam mike të njohur. Ka botuar vite më parë disa libra të mitë, patëm një bashkëpunim me vlera. E kërkoj në panair,por nuk ndodhej aty. Shoh që vitrina e kësaj shtëpie botuese ishte e pasur. Dominonte shkrimtari turk Orhan Pamuk, të cilin Açka e ka pasur shumë përzemërt. Diku mes turmës shquaj shkrimtarin dhe gazetarin e njohur Ndue Dedaj, i cili kësaj radhe nuk ka heshtur, ka botuar librin e tij më të fundit, romanin “Unaza e virgjëreshës”, një manual ndërthurjesh kulturash tradicionale shqiptare për jetën e virgjëreshave të përbetuara, ndërsa pak më tej me një tufë librash në duar takoj shkrimtarin Gjovalin Gjeloshi, i cili së bashku me gazetarin Fran Gjoka ishin të përqendruar tek prurjet e reja në këtë panair modest, madje, edhe Klementi i vogël, djali i Gjovalinit kërkonte të blinte diçka nga panairi, megjithëse duart i kishte të mbushura me libra.

Jo rastësisht u shfaq në panair edhe shkrimtari i mirënjohur Gjon Marku, i cili solli në aktivitet librin e tij më të fundit “Amaneti përtej detit”. Ai madje tërhoqi edhe vëmendjen e organizatorëve, të cilët e respektuan duke ia promovuar librin, pasi i pati tërhequr tema aktuale, ndjenja e dashurisë së autorit për atdheun, traditën dhe respekti për kombin. E vlerësuan mjaft librin e ri të Gjon Markut. Foli për vlerat e tij shkrimtarja Lulzime Celami, shkrimtari nga Kosova Vilson Culaj, Ndue Dedaj, redaktor i librit,studiuesi Kastriot Marku, ardhur nga Milano enkas për këtë veprimtari, shkrimtari Ndue Gaspri, studiuesi Ndue Tusha. Diku larg, shquaj studiuesin kosovar Sarë Gjergji, i cili po i hidhte mbi librin e tij më të ri “Stubulla me Shkollën e Parë Shqipe 1854-1905” një autograf. Afrohem dhe e përshëndes studiuesin e njohur. Bisedojmë për veprën e tij, për të rejat në fushën e krijimtarisë. Kaloj para stendës së shtëpisë botuese “Koha” ardhur nga Prishtina, libra të shumtë, tituj të rinj interesantë, ku dominojnë shkrimtarë të letërsisë sonë, sidomos librat e studiuesit dhe analistit të njohur Veton Surroi. Dificitare m’u duk letërsia për fëmijë, megjithëse dominonte tituj ribotimi të veprave të Zhyl Vernit. Në një stendë të veçantë kishte reklamuar veprat e tij edhe studiuesi tashmë i njohur mirditor Mark Zefi me një mori veprash të karakterit historik.

Më tej më tërheq vëmendjen një vepër historike mjaft e rrallë. Dr. Kastriot Marku më thotë se është ndër të rrallat vepra të këtij panairi. Bëhej fjalë për veprën historike “Historia e Shqipnisë” të autorit Ndoc Nikaj. Vazhdojmë udhëtimin tonë nëpër panair. Megjithëse kanë kaluar mbi tre orë, nuk ndjej lodhje. Shoh figura të njohura të letërsisë, Alban Bala, Lulzime Celami, poete,Ymer Hysa, rapsodi i njohur Gjon Frroku, i cili së shpejti do të promovojë një libër me këngë rapsodike,Ymer Keta, Qemal Guri, Gjon Lleshi, gazetari Jak Rozhani, Fran Cara, Preng Cub Lleshi, Dedë Margjoni, arkeolog e të tjerë. Diku larg shquaj dashamirin e librit, administratorin e të vetmes librari në qytetin e Lezhës, Dodë Jaku që po e mban gjallë me shumë mundim jetën letrare të qytetit. Nuk munguan edhe autoritetet e pushtetit vendor. Takoj Fran Frrokun,kryetar i Bashkisë, Gjokë Ndoka, kryetar i Qarkut,nuk mungon as Eduart Ndreca, prefekti i Lezhës, Drejtori i DAR të Lezhës Bardhok Pulaj, njëherit edhe shkrimtar, të cilët përgëzojnë krijuesit dhe festojnë me lexuesit në këtë ditë të shënuar.               I lodhur, por i kënaqur për nivelin e organizimit të këtij aktiviteti të rrallë kulturor, i cili duhet të zërë minutash më të madh në median vizive dhe në faqet kryesore të medias së shkruar për vetë rëndësinë që ka Dita Botërore e Librit, dal nga panairi dhe ndahem përzemërsisht me studiuesin kosovar Sarë Gjergji, i cili kishte ardhur enkas për të parë këtë festival vlerash kulturore në qytetin e Lezhës. Me një çantë jo të lehtë mbushur plot me libra, largohem në muzg…për t’u kthyer serish në aktivitete të tjera.

SHKARKO APP