Në mbrojtje të banesave shekullore, banorët e lagjes “Subash” në Krujë kërkojnë përgjigje nga Bashkia
Banorët e lagjes “Subash” në Krujë protestuan për të tretën ditë me radhë kundër masterplanit për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti. Ata pretendojnë se banesat e tyre nuk janë dëmtuar nga tërmeti i nëntorit, dhe disa janë të shpalluara Monument Kulture.
Lagjia “Subash” është një lagje e vjetër në Krujë por pritet që të shembet për të rindërtuar nga e para banesat e shembura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Anisa Subashi është një nga banorët që na tregon historinë shekullore të lagjes së saj.
“Burimi është mbi 300 vjeçar. Ka ardhur deri afër lagjes këtu me tubacione balte.”
Ndërsa kjo është një nga banesat që sipas banorëve do të shembet në kuadër të masterplanit për rindërtim.
Punimi i tavanëve dhe dritareve është tepër i veçantë në këtë banesë.
“Punimi në tavan është njëlloj si te Muzeu Etnografik, është dashur kohë për ta punuar”.
Në çdo cep të tavanit paraqiten piktura të gdhendura në dru.
Për mbrojtjen e një pasurie të tillë, banorët e lagjes “Subash” protestuan sërish këtë të martë para bashkisë së Krujës.
“I bëra ballë tërmetit 9 ballësh, më mbroni nga masakra urbane.”
Kur tërmeti goditi Shqipërinë, Edi ishte një nga efektivët e zjarrfikëses që ndihmoi banorët e prekur në Thumanë.
Ndërsa sot, atij i duhet të luftojë për banesën e tij që rrezikon të prishet nga shteti.
“Unë që isha në vijën e parë në Thumanë për të shpëtuar njerëzit, sot ndodhem vetë në rrënojat e shtëpisë sime.”
Banorët shprehen se banesat e tyre nuk janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit por masterplani i rindërtimit përfshin edhe lagjen e tyre.
Në lidhje me këtë çështje, kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, nuk ka reaguar zyrtarisht ndërsa pas interesimit të Ora News, përmes një mesazhi telefonik tha se banesat e shpallura Monument Kulture do të ruhen.