Ne…mbyllur, ato…hapur
Nga Gentian Çala
Lajmi i madhe erdhi, më në fund do të hapen negociatat, pas tentimeve të përsëritura. E çuditshme, s’ka askush fuqi të entuziazmohet, përveç qeverisë besoj. Lajmi erdhi në një moment ku mendjet tona punojnë për mbijetesën, të gjithë të kapluar nga ethet e një pandemie, me pultin e komandimit të televizorit në duar, që duket se na është bërë pjesë e trupit.
Ne hapur, ato mbyllur. Ne plotësonim ndonjë kusht, ata shtonin kushte, aq sa dukej si një serial pa fund. Qeveria vraponte të trokiste gotat me shampanjë, pa arritur të thoshte gëzuar, lajmi dilte se nuk ishte i vërtetë. Ne jemi mbyllur nëpër shtëpi, ato duket se po hapen. Po, po, negociatat për anëtarësim në BE po hapen dhe unë nuk e di nëse duhet të gëzohem apo jo?!
Kushtet për Shqipërinë janë shtuar, po aq sa edhe keqqeverisja. Nëse më lejohet një provokim në shkrim mund të thoja se: Pandemia na ndihmoi. Një gjysëm gjallesë e shpërndarë gjithandej, nxorri në pah se ata që nuk e duan perëndimin dinë ta shfrytëzojnë edhe një fatkeqësi. Duket e çuditshme, por Shqipëria sado që është e një demokraci e brishtë, shpesh e papjekur, nuk i hedh poshtë miqtë.
Gjithësesi nuk e di nëse duhet të gëzohem apo jo?! Më duket rruga më e gjatë që ka bërë një nga popujt më të vjetër në Europë, për të shkuar aty ku e ka vendin. Ende nuk ka mbaruar dhe kjo është thjesht hyni në oborr, se për të hyrë në shtëpinë europiane mund tu duhen ende kush e di sesa kushte dhe vite.
Kurse sherri brenda nesh vazhdon, me krekosjen e njërit krah dhe kritikat e krahut tjetër. Kryeministri do të gufoset me arritjen e hapjes së negociatave, Opozita me nevojën e plotësimit të kushteve, por jo gjatë, vetëm disa orë. Nesër kemi prioritare nevojat ekzistenciale dhe hapja e sotme duket larg, një lugë bosh, me ekonomi drejt rrënimit dhe një shtet të hallakatur nga institucionet e menaxhimi.
Ato hapur, ne mbyllur, nuk di nëse duhet të gëzohem apo jo?! Këtë kohë sigurisht do ta mbajmë mend, por vetëm për pandeminë që na mbylli. Kurse hapja thjesht një akt politik, që më shumë se neve, ju shërbeu atyre që e morën këtë vendim.