Në një botë pasigurie, menaxhimi i “frikërave” është një zgjedhje e mirë
John Keats ka shkruar në fillim të viteve ‘800 “Në botë nuk ka asgjë të qëndrueshme, trazirat janë muzika jonë e vetme”.
Keats konfirmon një të vërtetë të madhe. Stabiliteti është i përkohshëm, nuk ekziston asgjë e pandryshueshme. E këto ndryshime të vazhdueshme na zhvendosin, gjenerojnë pasiguri dhe frikë për të ardhmen, për mënyrën se si gjërat mund të evoluojnë pa qenë në gjendje t’i kontrollojmë ato. Gjesti natyror kur kemi frikë është të mbrojmë veten nga emocioni, ose ta ndajmë veten tonë prej tij. Megjithatë, më poshtë disa mënyra se si mund t’i vini në ndihmë vetes suaj:
- Njihuni me frikën tuaj
Pyeteni veten se çfarë po ju frikëson. Cilët janë shkaktarët e gjendjes suaj të krijuar, pasi përpara se të dini se si të luftoni një gjë së cilës i trembeni, duhet ta njihni atë. Shpesh nuk është aq e vështirë sa ç’duket. Mjafton të “gërmoni” me veten tuaj për të gjetur situatat të cilave i shmangeni, apo i evitoni. Kjo për të bërë identifikimin.
- Njihni veten tuaj
Përpiquni të mësoni më shumë për veten tuaj. Mbani një ditar në të cilin të shkruani se cilat janë frikërat tuaja dhe si i përjetoni ato. Çfarë ndjeni saktësisht? Përpiquni të “raportoni” në ditar fiks në momentin që po përjetoni frikën, në mënyrë që më vonë të lexoni me gjakftohtësi mendimet tuaja.
- Ushtrohuni
Bëni ose shtoni “dozën” e të ushtruarit. Kjo pasi të bësh ushtrime fizike kërkon një përqëndrim të caktuar, dhe kjo do t’ju largojë vëmendjen nga frika dhe ankthi.
- Relaksohuni
Mësoni teknika relaksimi të cilat mund t’ju ndihmojnë mendërisht dhe fizikisht. Edhe thjesht të lëshoni shpatullat dhe të merrni frymë deri në fund ju ndihmon. Ose, imagjinoni sikur jeni në një vend të bukur. Mund ta mësoni ta bëni këtë përjetim vizual nëpërmjet meditimit, në një qendër masazhi, apo duke dëgjuar muzikë dhe nota relaksimi.
- Hani shëndetshëm
Hani shumë fruta dhe perime, si dhe përpiquni të evitoni sheqerin e tepërt. Rritja e nivelit të sheqerit mund t’ju rrisë ndjesinë e ankthit. Përpiquni të shmangni pirjen e tepërt të kafesë apo çajit, duke qenë se edhe kafeina mund të rrisë nivelin e ankthit.
- Shmangni alkoolin, ose pijeni në mënyrë të moderuar
Është shumë e zakonshme për njerëzit që të konsumojnë alkool kur ndihen të nervozuar, por efekti që mund të sjellë është i kundërt, të krijojë edhe më shumë frikë dhe ankth.
- Terapi plotësuese
Për njerëz të ndryshëm funksionon në forma të ndryshme. Për shembull, ushtrime fizike, relaksi, joga, meditim, etj.
- Besim dhe spiritualitet
Nëse jeni një person religjioz apo spiritual, frika mund të jetë një shtysë për t’ju lidhur më tepër me botën tuaj të brendshme dhe për ta përballuar më mirë. /mentalhealth/