Në Shqipëri Dita e Verës, në Kosovë Dita e Verëzës

Në 14 mars, si Dita e Verës në Elbasan, në Shqipëri, është edhe në Kosovë Dita e Verëzes, në të njëjtën ditë e me rite dhe emërtim të ngjashëm, në rajonin e Prizrenit, përfshirë krahinën e Opojës, rajonin më jugor të vendit, në malet e Sharrit në lartësi mbidetare mëse 1.000 metra.
Edhe pse ka ide, në Kosovë ende nuk ka organizime institucionale, për festimin e Ditës së Verës, por ritet e festës të lashtë pagane iliro-shqiptare janë ruajtur brez pas brezi nga populli.

Në Opojën e njohur për dimrat me shumë dëborë e pranvera ca “të vonuara”, në prag të Ditës së Verëzes, pasdite dhe në mbrëmje të rinjtë, por edhe fëmijët, ngjiten bjeshkëve, te krojet që nuk shterojnë kurrë, mbledhin bimë a lule, drunj e shkurra dëllinje dhe ndezin zjarre.

Vezët e ziera e të ngjyera, cakërrohen me njëra-tjetrën në garën e cila është më e forta, ndërsa të spërkatura me ujin e krojeve hahen në bjeshkë dhe në shtëpi për shëndet e jetëgjatësi.

Në Ditën e Verëzes zgjimi është i hershëm dhe vazhdojnë ritet e festës, pjesë e së cilës janë edhe këngët e vallet, edhe gatimet e traditës me miell misri apo gruri, por që nuk janë ballokume Elbasani, edhe pse janë të ngjashme.
Në drekën e Ditës së Verëzes në tryeza-sofra shtrohet edhe mishi i qengjit, sipas traditës së këtyre anëve me blegëtori të zhvilluar.

Dita e Verëzes festohet nëpër familje së bashku, si dhe me vizita te fqinjët e farefisi, me besimin se sjell fat, shëndet, mbarësi, përtëritje e dashuri njerëzore. Ritet, përfshirë edhe lulet e bimët që vendosen mbi portat e shtëpive, ndërlidhen edhe me zgjimin e bimësisë, gjallimin, kalimin nga dimri në pranverë.

SHKARKO APP